Befasitë e ankandeve të peshkut, një ton shitet 1,3 milionë dollarë
Një ton i kuq u shit sot rreth 1,3 milionë dollarë, në ankandin e parë të sezonit në tregun popullor të peshkut të Tokios, sasia e dytë më e lartë e arritur ndonjëherë, sipas agjencisë së lajmeve Kyodo.
”Shitja befasuese e ekzemplarit 276 kilogramësh po ushqen shpresat tek japonezët se vendi do të vazhdojë të rikuperohet nga rënia e tij ekonomike”, raportoi agjencia.
Toni u kap të shtunën në brigjet e Oma në majën veriore të ishullit Honshu, një nga zonat kryesore të peshkimit të tonit në Japoni.
“Kishte dhjamë sa një lopë”, u citua të ketë thënë peshkatari 73-vjeçar Masahiro Takeuchi nga Kyodo, duke përshkruar momentin kur pa tonin gjigant.
Sipas Kyodos, në vitin 2019, një ton i kuq arriti ekuivalentin me 2,1 milionë dollarë – çmimi më i lartë i regjistruar ndonjëherë që nga viti 1999 kur filluan regjistrimet.
”Çmimet më pas ranë gjatë pandemisë së koronavirusit”, tha ajo.
Shumat relativisht të larta, që arrihen në ankandin tradicional të Vitit të Ri, nuk janë kryesisht për shkak të cilësisë së peshkut.
Në vend të kësaj, spektakli është krijuar për të nisur vitin e ri financiar.
“Toni i parë i vitit sjell fat. Ne duam t’i bëjmë njerëzit të buzëqeshin me ushqim”, tha Shinji Nagao, president i një operatori restorantesh sushi, që bleu peshkun së bashku me një ndërmjetës./ a.jor.