Presidenti Begaj në Tuz dhe Plavë-Guci: Të mbrojmë gjuhën shqipe dhe identitetin kombëtar

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj e nisi me komunat shqiptare, Tuzin e Plavë- Gucinë, vizitën zyrtare dyditore në Malin e Zi, ku iu rezervua një pritje vëllazërore dhe ceremoni festive. Në Tuz, ansambli “Besa” e priti Presidentin e Republikës së Shqipërisë me “Vallen e Mejdanit” në sheshin ku ngrihet monumenti i heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit Skëndërbeu.

Presidenti Begaj vendosi një kurorë me lule në monumentin e Skënderbeut, të vendosur në këtë shesh më 28 Nëntor të vitit të shkuar për festën e flamurit dhe u përshendet me qytetarët.

Më pas zhvilloi një takim me drejtues të Tuzit dhe përfaqësues politikë të shqiptarëve në institucione, me të cilët diskutoi për forcimin e pozitave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe rajon, si dhe angazhimin e përbashkët për të mirën e tyre. Kreu i Shtetit inkurajoi drejtuesit e Tuzit të vazhdojnë përpjekjet për ruajtjen e identitetit, ndërsa garantoi mbështetjen e Shqipërisë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, duke u shprehur se kjo është një përparësi për institucionet shqiptare.

Edhe në takimin me veprimtarët shqiptarë të Plavës e Gucisë, Presidenti i Republikës, ndërsa u njoh me problematikat që ata hasin, theksoi nevojën e gjetjes së rrugëve për të ruajtur dhe forcuar identitetin shqiptar përballë çdo lloj sfide, siç është emigrimi apo asimilimi i shqiptarëve autoktonë.

Presidenti përgëzoi shqiptarët që kanë ruajtur gjuhën dhe shqiptarinë, si dhe shprehu vullnetin për të ndjekur projektet zhvillimore ndërkufitare që do të ndikonin në ekonominë e këtyre trevave, ndërsa theksoi rëndësinë e realizimit të projekteve të përbashkëta mes Shqipërisë, Kosovës e Malit të Zi.

SHKARKO APP