BEI, Kakouris: Si mund të përfitojë Shqipëria nga plani i rritjes prej 6 miliardë eurosh i Komisionit Europian
Plani i ri i rritjes i Komisionit Europian po jep një shtysë të fortë në drejtimin e duhur, veçanërisht kur bëhet fjalë për krijimin e tregut të përbashkët rajonal dhe zbatimin e reformave themelore. Bazuar në përmbushjen e detyrimeve në kuadër të agjendës së reformave, vendet do të kenë mundësi të përfitojnë rreth 6 miliardë euro, të parashikuara në formën e huave dhe të granteve nëpërmjet disbursimeve të drejtpërdrejta në buxhetet kombëtare, thuhet në intervistën e Kyriacos Kakouris, Nënkryetar i Bankës Europiane të Investimeve (BEI) dhënë posaçërisht për Monitor.
Në kohët e pasigurive globale, qëndrimi në rrugën e rritjes së qëndrueshme drejt anëtarësimit në BE duhet të mbetet një nga prioritetet për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Si banka e Bashkimit Europian, në pronësi të shteteve anëtare, dhe financuesi më i madh shumëpalësh në rajon, ne besojmë fuqimisht se agjenda e zgjerimit dhe integrimi i mëtejshëm i tregut sjellin mundësi të mëdha për njerëzit në rajon për sa i përket qëndrueshmërisë financiare, vendeve të reja të punës dhe standardeve më të mira të jetesës.