Bekim Qoku: Listë ”non grata” për VLEN në Shqipëri
Përfaqësues të VLEN në Maqedoninë e Veriut pretenduan se nuk u lejuan të futeshin në territorin shqiptar. Bëhet fjalë për koordinatorin e grupit parlamentar të Vlenit, Bekim Qoku, deputetin Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, të cilët janë ndaluar për rreth një orë pa asnjë shpjegim zyrtar, ndonëse të tre ishin të pajisur me pasaporta diplomatike.
Sot drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, sqaroi se ndaj Qokut, Azizit dhe Murtezanit nuk ka pasur asnjë urdhër ndalimi, por ata vetë kanë zgjedhur të mos kalojnë kufirin. Vetë Qoku thotë se dyshojnë që në Shqipëri ka një listë “non grata” për përfaqësuesit e kësaj force politike.
”Ajo çfarë na bëri, na la me dyshime, ishte që në kthim, pra në pikën kufitare të kthimit që janë, dy policë nga dy palët në të njëjtën kabinë, . polici i palës maqedonase, kur na ktheu pasaportat, na tha që “ju me siguri ju kanë kthyer mbrapsht sepse këtu figuroni”, sipas kolegut të tij shqiptar, “figuroni që keni ndalesë hyrjeje dhe me siguri ju kanë refuzuar hyrjen”. Ne thamë “jo”, ata na lejuan të vazhdojmë rrugën por ne vendosëm që të kthehemi. Pra është një lloj paqartësie, një lloj mjegulle me statusin tonë në pikat kufitare me Republikën e Shqipërisë dhe kjo na lë një shije të hidhur”, deklaroi Qoku në ”A2cnn”.
Sipas tij, kjo lidhet me faktin se ai vetë, por edhe persona të tjerë nga VLEN, kanë mbështetur protestat në Shqipëri, ku po kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. “Unë të paktën kam menduar që këto gjëra ndodhin vetëm në sistemin diktatorial kur ishte Enver Hoxha në pushtet, regjimi i diktaturës kur filtroheshin njerëz që do hynin në territorin e Shqipërisë. Por ja që siç duket po vazhdojmë me këto lloj sistemesh. Ne, unë kam qenë kam qenë mbështetës i protestave dhe besoj që këtu duhet të bazohet ky lloj refuzimi”, tha Qoku.
KOHA JONË SONDAZH

