Bello: Partive të mëdha nuk u interesojnë listat e hapura, rritet rivaliteti i brendshëm

Në një intervistë për Ora News me gazetaren Matilda Mcini, ish-Ministri socialist i Integrimit Marko Bello, tha se reforma zgjedhore mund të realizohet brenda datës 31 maj nëse ekziston vullneti politik.

Por ajo çfarë e bën Bellon pesimist, është fakti që nuk do ketë ndryshim sistemi.

Sipas tij, partive të mëdha nuk u interesojnë listat e hapura pasi nuk u intereson rivaliteti i brendshëm në parti.

Marko Bello: ”Deri më 31 maj janë edhe dy ditë. Besoj se është një kohë e mjaftueshme nëse ekziston vullneti politik. Rëndësi ka që të bien dakord, dhe unë shpresoj që palët të bien dakord sepse interesi i përgjithshëm është që të shkojmë drejt një reforme të re. Por ajo që mua më bën pak pesimist është fakti se mesa kuptoj nuk do ketë ndryshim sistemi, mesa shoh unë. Se po të ketë ndryshim sistemi, të paktën të ketë lista të hapura siç po kërkojnë partitë e vogla, partive të mëdha nuk u interesojnë listat e hapura. Kjo është për një arsye pragmatiste. Jo se kryetari i partisë siç thonë disa ka interes t’i vendosë vetë në listë, dhe kjo mund të jetë një arsye por kryetari i partisë prapë do i bëjë listat me drejtues të tjerë të partisë.”

”Partive të mëdha nuk u intereson që të fillojë rivaliteti i brendshëm. Imagjinoni një parti të madhe PD ose PS, ku lista do të përbëhet nga kandidatë të cilët do të luftojnë secili kundër njëri tjetrit për të zënë sa më shumë vendet e sipërme të tabelës. Ata mendojnë që energjia në vend që të fokusohet ndaj kundërshtarëve, do të fokusohet brenda rradhëve të veta. Për qytetarët është mirë që të ketë lista të hapura, që dhe qytetari të ndikojë.”

SHKARKO APP