Ben Blushi: Ç’kërkon të na kujtojë Italia?

(Botuar me 10 Maj 1995 në KOHA JONE)
Nga Ben Blushi-

Në kuadrin e festimeve evropiane të fitores kundër Gjermanisë dhe Italisë Fashiste ndërsimi i ushtrisë kundër shqiptarëve tingëllon keq
Pikërisht më 9 maj, ditën e kapitullimit të fashizmit, Italia na kujtoi Luftën e Dytë Botërore duke mobilizuar ushtrinë kundër shqiptarëve refugjatë. Mund të ishte gjetur një mënyrë tjetër më paqësore për t’u kujtuar shqiptarëve të sotëm se baballarët e tyre janë pushtuar dhe vrarë nga ushtria italiane 50 vjet më parë. Mund të ishte gjetur një zgjidhje tjetër për të larguar nga kujtesa e shqiptarëve dhe gjithë evropianëve të tjerë mendimin se Italia e ka shumë të lehtë të degjenerojë në rrugën e forcës për hir të interesave ashtu si 50 vjet më parë. Por Italia ndryshe nga të gjitha vendet e tjera evropiane të cilat kanë probleme shumëfish më të mprehta se ajo me emigrantët, zgjodhi rrugën e fundit: atë të demonstrimit dhe të ushtrimit të forcës. Dhe kjo rrugë u zgjodh ndaj disa qindra shqiptarëve të cilët sot më shumë se kurrë ndjehen të braktisur nga shteti i tyre dhe institucionet e tij. Italia duhet ta kuptonte se abandonimi, braktisja dhe varfëria janë të vetmet motive që i çojnë shqiptarët në brigjet perëndimore të Adriatikut. Motivi i atyre shqiptarëve që kalojnë ilegalisht kufirin italian sot është shumë më i fortë dhe njerëzor se ai i ushtarëve italianë që kaluan ilegalisht kufirin shqiptar 50 vjet të shkuara.
Megjithatë se ç’bën Italia brenda kufijve të saj shtetëror është punë e saj. Natyrisht është punë e saj se si vendos t’i mbrojë kufijtë nacionalë. Motivet dhe zgjedhjet janë thjesht italiane. Por është larg mendjes të pranohet se motivi i parë është fobia ndaj shqiptarëve. Këta të fundit duhej të ishin shumë herë më ksenofobë ndaj italianëve të cilët në shekuj e kanë pushtuar dhe braktisur të paktën nja tre herë Shqipërinë. Politikanët shqiptarë, por jo qytetarët e thjeshtë, mund ta kuptojnë këtë reagim ekstrem në kontekstin shumë të turbullt të politikës italiane. Kjo turbullirë që ka tre vjet që ka nisur dhe që nuk dihet se kur do të qartësohet duket se reflektohet edhe në vendimin akut për të përdorur ushtrinë dhe jo policinë në dëm të të huajve. Por duhet të jetë e pajustifikueshme për Italinë që vonesa në zgjidhjen e problemeve të brendshme t’i imponojë zgjidhje të forta në lehtësimin e problemeve të importuara. Nga ana tjetër Italia përpara se të lajë hesapet me refugjatët e varfër shqiptarë duhet të kontrollojë trafikantët e “mishit të gjallë” të cilët janë që të gjithë italianë. Shumë familje shqiptare në Vlorë kanë përfitime nga tregtia e refugjatëve. Por ato nuk pasurohen. Ato fitojnë vetëm bukën e përditshme. Kapitali shkon në adresë të kontrabandistëve italianë që kontrollojnë trafikun në të dyja brigjet e Adriatikut. Dhe për të bllokuar disa dhjetëra italianë ushtria është e panevojshme. Do të mjaftonte vetëm vullneti. Pjesën tjetër të operacionit do ta kryente policia lokale e Pulias… Italia sot e akuzon Shqipërinë se nuk merr masa për të ndaluar dyndjen e kurdëve dhe kinezëve drejt brigjeve të saj. Sigurisht që Qeveria e papërgjegjshme shqiptare nuk është e larë në këtë mes. Megjithatë Italia është e ndërgjegjshme që shumica e kurdëve, kinezëve apo dhe shqiptarëve e përdorin Italinë si trampolinë për t’u hedhur në Francë, Zvicër ose Gjermani. Kështu që me të njëjtin argument që Italia i jep Shqipërisë sot, Franca ose Zvicra mund të kishin dërguar ushtritë në kufirin me Italinë. Dhe me logjikën alla italiane reagimi francez do të ishte më se i përligjur. Frymëzuar nga e njëjta logjike, një tjetër vend i komunitetit evropian, Greqia do të duhet të ishte shumë herë më e ashpër ndaj klandestinëve shqiptarë nisur dhe nga shifrat alarmante të shqiptarëve që hyjnë ilegalisht në Greqi. Kështu që Italia nuk mund të justifikohet duke thënë se në fund të fundit zgjidhja e saj është zgjidhje evropiane. Ndërsimi i ushtrisë kundër shqiptarëve është patjetër zgjidhje italiane. Dhe me sa duket nuk është as zgjidhje politike përderisa nuk ka gjetur miratimin e shumicës të politikanëve në Itali. Është pra thjesht një zgjidhje ushtarake që të paktën duhej të ishte vonuar edhe nja një muaj derisa të harrohej atmosfera e bujshme e festimeve të fitores kundër Gjermanisë dhe Italisë fashiste. Në këtë valë ceremonish panevropiane zgjidhja italiane tingëllon keq. Gjatë 50 vjetëve të luftës së ftohtë ushtria italiane u konservua për të mos u përdorur kurrë. Tashmë që perdja Lindje-Perëndim ra, ushtria nxori kokën nga perdja për të sulmuar refugjatët shqiptarë të cilët varfëria i detyron të hyjnë në Itali nga dritarja.
Ben Blushi

SHKARKO APP