Beqaj-Akdağ: Mbështetje e Turqisë për Sistemin Shëndetësor Shqiptar

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, ka mikpritur sot në një takim zyrtar homologun e tij turk Prof. Dr. Recep Akdağ dhe delegacionin e nivelit të lartë që e shoqëron kreun e  Ministrisë së Shëndetësisë të Turqisë në kuadër të vizitës disaditore të punës në vendin tonë. Ekspertë të shëndetësisë turke do të bëjnë një vlerësim, por edhe do të japin këshillat e tyre, për sistemin shëndetësor në vendin tonë. Kjo ka qenë kërkesa e bërë nga kreu i shëndetësisë shqiptare, z. Beqaj, ndaj homologut të tij turk Prof. Akdağ, në takimin e parë në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri.

Pas takimit mes delegacioneve, Beqaj dhe Akdağ kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media, ku Ministri Beqaj ka folur edhe për eksperiencat edhe trajnimet që ekipet mjekësore shqiptare do të mund të realizojnë në spitalet turke. “Kërkuam të forcojmë dhe të zgjerojmë bashkëpunimin në fushën e barnave, të farmaceutikës, mbështetje për reformën që po bëjmë në Urgjencën Mjekësore, si dhe në përmirësimin e kapaciteteve tona profesionale, njerëzore në shëndetësi, qoftë me specializime disa-mujore apo vjetore të mjekëve tanë në Turqi, apo qoftë me prezencën disa-mujore të specialistëve mjekë turq, në shërbimet tona spitalore”, ka pohuar Beqaj, ndërsa nuk ka harruar të falënderojë qeverinë dhe shtetin turk për ndihmën që jep çdo vit për kurimin dhe trajtimin e 100 pacientëve shqiptarë.

“Dy vendet tona kanë një marrëveshje prej disa vitesh bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë. Prej kësaj marrëveshjeje, çdo vit janë rreth 100 qytetarë shqiptarë si pacientë që përfitojnë trajtim shëndetësor falas në spitalet e Turqisë. Faleminderit Profesor! Faleminderit qeverisë turke dhe shtetit turk! Unë besoj se në gjithë këto vite shumë bashkëqytetarë tanë, shqiptarë, kanë përfituar edhe në mënyrë personale drejtëpërdrejtë nga sistemi shëndetësor turk. Nga shërbimet e kualifikuara që ofrohen atje,” nënvizoi Ministri Beqaj.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ministri i Shëndetësisë së Turqisë ka folur për eksperiencën e vendit të tij në realizimin e reformës në shëndetësi, ku në qendër të kësaj reforme ka qenë njeriu, ndërkohë që duhet mbështetja e qeverisë, mbështetja financiare, por edhe ajo e qytetarëve. “Ne krijuam një sistem shëndetësor të fokusuar tek njeriu, tek qytetari. Unë jam i bindur që edhe Shqipëria do ta realizojë një sistem të tillë shëndetësor të fokusuar te njeriu, te qytetari. Unë mendoj që po të ketë, – edhe shtypi të jap mbështetjen e tij,- qytetarët shqiptarë do ta vlerësojnë më mirë, do ti plotësojnë më mirë nevojat e tyre shëndetësore”, u shpreh Prof. Dr. Akdağ.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Çfarë do të bëjmë në të ardhmen?” – u shpreh më tej ai, duke theksuar se, “në bashkë me zotin ministër dhe të dy ekipet e vendeve tona do të jemi në një bashkëpunim tepër të ngushtë. Sigurisht, ekipi ynë gjatë kësaj jave, bëri një farë pune por sigurisht unë jam i gatshëm, dhe qeveria është e gatshme, që një ekip turk të qëndrojë në një kohë, akoma më të gjatë Shqipëri dhe të ofrojë përvojën e tij”.

Nga ana tjetër, kreu i delegacionit turk ka nënvizuar se në reformën e ndërmarrë në shëndetësi duhet të ketë mbështetje nga qeveria, mbështetje e cila deri më tani është ofruar maksimalisht. “Unë jam në dijeni që qeveria shqiptare dhe kryeministri shqiptar po bëjnë përpjekjet më të mëdha për përmirësimin e nivelit të shëndetësisë shqiptare. Unë mendoj që edhe Ministri i Shëndetësisë i Shqipërisë duhet të jetë i kënaqur nga kjo gjë, sepse ne si ministra shëndetësie, në qoftë se nuk do të kemi mbështetje të qeverive përkatëse, kurrë nuk do të jemi të suksesshëm,” theksoi kreu i shëndetësisë së Turqisë.

Delegacioni turk do të vazhdojë të qëndrojë përgjatë javës në vendin tonë për të parë nga afër funksionimin e sistemit shëndetësor në vendin tonë.

Fjala e Ministrit Beqaj:

Mirëdita! Sot kam kënaqësinë të pres në Ministrinë e Shëndetësisë homologun tim, ministrin turk të Shëndetësisë, Profesor Recep Akdağ. Ai është në krye të një delegacioni të nivelit të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë turke, që gjatë kësaj jave është këtu me ftesën tonë, dhe me dëshirën e tyre të mirë për të na ndihmuar në zhvillimin e mëtejshëm të sistemit shëndetësor në Shqipëri, bazuar padyshim edhe në eksperiencën shumë të suksesshme që Turqia ka bërë në shëndetësi, sidomos dekadën e kaluar.

Kjo, edhe për faktin se programi i transformimit të shëndetësisë në Turqi që ka ndodhur dekadën e kaluar është drejtuar personalisht nga Profesor Akdağ, sepse ai ka qenë Ministër i Shëndetësisë në periudhën 2002-2013 dhe është rikthyer në këtë detyrë në maj 2016.

Profesor Recep-i është profesor në pediatri, por në fakt, këto vite, sidomos përpara se të rifillonte detyrën e tij si Ministër, ka qenë edhe profesori im, qoftë në takimet në Turqi, apo qoftë në takimet në Harvard. Prezenca e tij këtu më bën mua të ritheksoj një falënderim që dua ti bëj shtetit turk për mbështetjen që ka dhënë në vite për shëndetësinë shqiptare.

Dy vendet tona kanë një marrëveshje prej disa vitesh bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë. Prej kësaj marrëveshjeje, çdo vit janë rreth 100 qytetarë shqiptarë si pacientë që përfitojnë trajtim shëndetësor falas në spitalet e Turqisë. Faleminderit Profesor! Faleminderit qeverisë turke dhe shtetit turk!

Unë besoj se, në gjithë këto vite, shumë bashkëqytetarë tanë shqiptarë kanë përfituar edhe në mënyrë personale drejtëpërdrejtë nga sistemi shëndetësor turk, nga shërbimet e kualifikuara që ofrohen atje. Shërbime që sidomos, -të gjithë ne e dimë,- në dekadën e kaluar, ka patur zhvillime shumë të mira, unë besoj, falë edhe drejtimit të reformës që ka bërë në atë kohë Profesor Recep-i.

Dëshiroj të theksoj ndihmën që vazhdon të na japë shteti turk për trajtimin e pacientëve, sepse nëse më parë ne kemi patur marrëveshje të tilla me disa vende, prej krizës financiare botërore disa nga vendet, nuk mund ta ofrojnë këtë gjë më, ndërkohë që shteti turk ka vazhduar ta ofrojë me gjithë ngarkesën e madhe financiare tashmë prej 2 vjetësh prej krizës së refugjatëve,- i duhet të përballojnë. Dhe, besoj, është një ilustrim shumë i mirë i marëdhënieve shumë të mira që popujt dhe vendet tona kanë.

Turqia e ka mbështetur sistemin tonë shëndetësor edhe nëpërmjet një instrumenti tjetër zhvillimi, Agjencisë turke për bashkëpunim, TIKA. Nëpërmjet TIKA-s, ne kemi bërë përmirësime shumë të mira, qoftë në shërbimin Parësor, apo qoftë në kualifikimin e personelit tonë shëndetësor.

Unë i kërkova në takim profesor Recepi-t, që ai dhe bashkëpuntorët e tij, të mund të bëjnë një vlerësim të mirë për sistemin shëndetësor tonin. Mirëpresim këshillat e tyre, por duke u fokusuar në vlerësimin e përgjithshëm të sistemit tonë të kujdesit Parësor, në marrjen e eksperiencës për të parë mekanizmat e financimit të kujdesit spitalor, të pagesës së mjekëve në spitale sipas performancës, si dhe të shfrytëzimit të oportuniteteve që Partneriteti Publik-Privat ofron në shëndetësi.

Përtej tyre, kërkuam të forcojmë dhe të zgjerojmë bashkëpunimin në fushën e barnave, të farmaceutikës, në mbështetje për reformën që po bëjmë në Urgjencën Mjekësore, si dhe në përmirësimin e kapaciteteve tona profesionale, njerëzore në shëndetësi, qoftë me specializime disa-mujore apo vjetore të mjekëve tanë në Turqi, apo qoftë me prezencën disa-mujore të specialistëve mjekë turq, në shërbimet tona spitalore.

Profesor Recep-i, mirëseerdhët në Tiranë dhe në Ministrinë e Shëndetësisë! Unë ju uroj një qëndrim të këndshëm gjatë vizitës tuaj në Shqipëri!

Fjala e Ministrit Ekdağ:

Duhet të pohoj se për disa vende kemi ndjenja të veçanta, dhe një ndër këto vende është edhe Shqipëria. Shqipërinë ne e konsiderojmë një vend vëlla, dhe kemi ndjenja tepër miqësore për të. Sigurisht, ne kemi një të kaluar tonën të përbashkët. Zakonet tona, kultura jonë i ngjan shumë njëra-tjetrës. Dhe ai që ka shkruar himin kombëtar, tekstin e himnit kombëtar është me origjinë nga Shqipëria.

Unë duhet të them që që në momentin e parë që kam takuar ministrin tuaj të Shëndetësisë, kam krijuar një lidhje të veçantë, kam patur me të dhe kam një bashkëpunim të veçantë.

Shëndetësia është një gjë e tillë, për të cilën ke nevojë që në mitrën e nënës e deri në varr. Dhe ka dhe një veçori tjetër: në qoftë se ke nevojë, pritshmëritë e qytetarëve kur bëhet fjalë për shëndetësinë nuk mund të shtyhen më vonë. Mund të shtyni për më tutje disa nevoja tuajat, por nevojat shëndetësore, kurrë!

Kolegu im i nderuar, me një modesti, ndoshta të tepruar, mu drejtua mua si profesor. Por, me thënë të drejtën, unë do të them diçka më ndryshe. Ne të dy kemi qenë profesorë për njëri-tjetrin. Ai më komplimentoi dhe unë duhet ta pranoj që kam kontributet e mia në krijimin dhe forcimin e sistemit të ri shëndetësor në Turqi.

Por unë do të them, unë do ta kisha tepër, tepër të veshtirë, nëse kryeministri i atëhershëm dhe Presidenti i tanishëm, zoti Recep Tayyip Erdogan nuk do të më kishte mbështetur në mënyrë të fuqishme. Nëse nuk do të më kishte mbështetur fuqimisht me gjithë qeverinë, – dhe dua ta theksoj, – në qoftë se nuk do kisha pasur pranë dhe mbështetje gjithmonë edhe ministrat e financave.

Sigurisht, të gjithë qytetarët, i gjithë opinioni turk ishte pranë nesh në të gjithë këtë reformë që realizuam në shëndetësi, por, pranë nesh pati edhe përfaqësues të shtypit, të cilët, – duhet ta theksoj, – që duhet të jenë gjithmonë në mbështetje të reformave në shëndetësi.

Unë jam në dijeni që qeveria shqiptare dhe kryeministri shqiptar po bëjnë përpjekjet më të mëdha për përmirësimin e nivelit të shëndetëisë shqiptare. Unë mendoj që edhe Ministri i Shëndetësisë i Shqipërisë duhet të jetë i kënaqur nga kjo gjë, sepse ne si ministra shëndetësie, në qoftë se nuk do të kemi mbështetje të qeverive përkatëse, kurrë nuk do të jemi të suksesshëm.

Në qoftë se një ministër Shëndetësie i një vendi mik i vendit tuaj, qoftë si një person i cili ka disa kontribute në reformën shëndetësore në Turqi, unë, dhe me lejen edhe të zotit Beqaj, dëshiroj të falënderoj kryeministrin e Shqipërisë, i cili po përpiqet maksimalisht për përmirësimin e mëtejshëm të sistemit shëndetësor këtu në Shqipëri.

Nevojat e vendeve të ndryshme, nevojat shëndetësore janë të ndryshme. Prandaj në asnjë mënyrë nuk mund të thuhet që modeli i një vendi, në fushën e shëndetësisë, mund të jetë model edhe për vendin tjetër.

Shtetasit turq, aktualisht, e ndjejnë veten mjaft pranë sistemit shëndetësor. Sistemi shëndetësor ju aforhet shumë më pranë atyre sesa në vitin 2002, kur partia jonë erdhi në pushtet. Dhe unë mund të them që ne realizuam ndërtimin e një shërbimi shëndetësor të njëjtë me atë të vendeve më të zhvilluara europiane me një kosto sa 1/8 e tyre. Ne krijuam një sistem shëndetësor të fokusuar te njeriu, te qytetari. Unë jam i bindur që edhe Shqipëria do ta realizojë një sistem të tillë shëndetësor të fokusuar te njeriu, te qytetari.

Unë mendoj që po të ketë, – edhe shtypi të jap mbështetjen e tij,- shtetasit shqiptarë do ta vlerësojnë më mirë, do ti plotësojnë më mirë nevojat e tyre shëndetësore.

Çfarë do të bëjmë në të ardhmen?

Unë bashkë me zotin ministër dhe të dy ekipet e vendeve tona do të jemi në një bashkëpunim tepër të ngushtë. Sigurisht, ekipi ynë gjatë kësaj jave, bëri një farë pune, por sigurisht unë jam i gatshëm dhe qeveria është e gatshme, që një ekip turk të qëndrojë në një kohë, akoma më të gjatë Shqipëri dhe të ofrojë përvojën e tij.

Unë kam bindjen e plotë që për të arritur një sistem shëndetësor sa më të mirë duhet të kemi një sistem sa më të mirë publik shëndetësor. Domethënë, një mbështetje përherë e më të madhe nga shteti. Unë mendoj se ka shumë rëndësi që të gjithë mjekët që punojnë në sektorin publik, në varësi të performancës së tyre, në varësi të kapaciteteve të tyre të kenë edhe pagesat e tyre shtesë. Por ama, vetëm në qoftë se punojnë mirë dhe kanë rezultate.

Si kemi vepruar ne në Turqi?

Mjekët e sektorit shtetror nuk vazhdonin më të punonin edhe në mënyrë private. U krijuam atyre kushte më të mira në sektorin shtetëror, pati një ardhje më të madhe të pacientëve drejt spitaleve shtetërore, dhe kjo solli, në varësi edhe të performancës tyre, edhe rritjen e pagave të mjekëve në sektorin shtetëror. Por, në të njëjtjen kohë, kemi fuqizuar shumë partneritetin midis publikut dhe privatit, po spitali vazhdon të jetë shtetëror. Por ama, një pjesë të konsiderueshme të shërbimeve të tij, ai ja ka kaluar privatit, por pacienti nuk nxjerr asgjë nga xhepi, gjithçka përballohet nga shteti.

Unë kam bindjen e plotë se kolegu im, zoti Beqaj, me mbështetjen që do të marrë nga kryeministri, me mbështetjen që do të marrë nga kabineti i kryeministrit dhe nga përfaqësuesit e nderuar të shtypit, sigurisht, do të ketë rezultate të mëtejshme pozitive në zhvillimin e sektorit të shëndetësisë.

Domethënë, objektivi ynë i vetëm është që të gjithë njerëzit të jenë të lumtur. Domethënë, cili duhet të jetë objektivi ynë, – të ruajmë shëndetin njerëzve! Por ama, kur njerëzit të sëmuren, të vuajnë sa më pak! Ne në Turqi kemi një slogan të tillë, të cilin e ndjek edhe unë, edhe kryeministri, edhe Presidenti: “Dhimbjet tona personale do të pushojnë në atë çast kur do të pushojnë dhimbjet e pacientit të fundit që po pret radhën në spital”!

Unë dua të falenderoj zotin Ministër, ekipin e tij dhe përfaqësuesit e shtypit për mikëpritjen e veçantë që po tregojnë ndaj nesh. Juve, dhe nëpërmjet jush, gjithë popullit shqiptar, i sjell përshëndetjet e mia më miqësore, të miat personale, të qeverisë turke dhe të popullit turk!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?