Beqaj: Investuam 70 milionë lekë për sistemin e testimit në Bankën e Gjakut

Në Ditën Botërore të Hepatitit, Ministri i Shëndetësisë,  Ilir Beqaj, ka vizituar laboratorin e ekzaminimeve në Spitalin Universitar Obstetriko-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë. Çdo vit në 28 Korrik, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) organizon Ditën Botërore të Hepatitit për të rritur informimin dhe ndërgjegjësimin për hepatitin dhe pasojat që ai shkakton.

Me programin e ri të menaxhimit të integruar të instrumenteve kirurgjikalë të sterilizuar kemi kufizuar ndjeshëm shkallën e përhapjes qe deri dje ishte tej normave të lejuara të infeksioneve spitalore, duke cënuar sigurinë e jetës së pacientëve, u shpreh Beqaj. “Me këtë projekt të rëndësishëm, fryt i partneritetit publik-privat i orientuar në menaxhimin e rrezikut infektiv me të njëjtën cilësi dhe performancë të lartë në 153 salla operatore për 555 kirurgë në të gjithë vendin, mundësuam përmirësimin rrënjësor të sterilitetit në mjediset operatore, përmes zëvendësimit të autoklavave të vjetra dhe të amortizuara, të cilat deri më sot nuk kanë mundësuar të sigurojnë standardet e kërkuara të sterilizimit,” tha më tej kreu i shëndetësisë. Sipas tij, ky program rrit sterilitetin në të gjitha sallat operatore. “Besoj se edhe programi i ri që po zbatohet deri më tani me sukses në Kirurgjinë e Përgjithshme dhe do të shtrihet në të gjithë vendin, në këtë spital do të vijë rreth dhjetorit, me rritjen shumë të lartë të sterilitetit në instrumentat kirurgjikalë dhe në sallat e operacionit, do të ulë shumë mundësinë e përhapjes së këtyre sëmundjeve,” ka pohuar ministri.

Nga ana tjetër, ai ka theksuar edhe ndryshimet e bëra në listën e barnave të rimbursueshme gjatë këtyre dy viteve të fundit, pikërisht për pacientët me Hepatit të cilët po trajtohen me medikamente të ribursueshme, barna të cilat mundësojnë shërimin e tyre. “Por, që nga viti 2015 në listën e barnave të rimbursueshme ne ribursojmë 100% edhe barna të gjeneratave shumë të reja inovativë, që janë shërues për Hepatitet. Vjet ne kemi financuar rreth 600 mijë euro për të kuruar 11 të sëmurë (me Hepatit C). Kurse këtë vit, deri më tani kemi financuar më shumë se 1 milion euro për 25 të sëmurë të tjerë. Madje, në listën e barnave të rimbursueshme 2016 që është efektive që nga data 1 Janar kemi edhe dy barna të tjerë shumë më inovativë të regjistruar në Amerikë dhe në Evropë vetëm vitin e kaluar, dhe për më tepër falë përpjekjeve të vazhdueshme që bëjmë, pa cënuar aspak cilësinë e barit duke pranuar barin inovativ të kemi edhe ulje të çmimeve. Në qoftë se një trajtim vjet ishte në 60 mijë euro këtë vit ka rënë në 40 mijë euro, me të njëjtin bar duke bërë një trajtim shërues të hepatiteve me një cikël mjekimi që është praktikisht 12 javë,” pohoi ministri Beqaj.

Sipas tij, pas 6 vjet përpjekjesh, investuam 70 milionë lekë për instalimin dhe funksionimin në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut të sistemit të ri dhe modern të NAT-it (Nucleic Acid Testing), me teknologji që mundëson testimin e gjakut për agjentë infektivë kërcënues për jetën e njeriut të Hepatitit B, C dhe HIV. “Por, nëse do ta shohim në një qasje më të plotë, para 6 javësh në Ditën Botërore të Dhurimit të Gjakut ndamë me publikun një risi në QKTGJ, ku kemi mundësuar zbatimin e një analize të re tek dhuruesit e gjakut, në mënyrë që të zbulojmë shumë shpejt nëse gjaku i dhuruar ka Hepatit dhe ta ndalojmë përdorimin e tij më vonë,” ka pohuar Beqaj. Sipas kreut të shëndetësisë, me anë të këtij investimi ofrohet një siguri më të lartë për kryerjen e analizave të gjakut, një periudhë më të shkurtër për pritjen e rezultateve të analizave, dhe ulje të mundësisë së infektimit të personave që marrin gjakun e dhuruar. [Për Hepatitin C periudha dritare shkurtohet në 2.2 ditë dhe për Hepatitin B në 16 ditë].

Që nga dhjetori 2014 kemi në miratuar një udhëzues të posaçëm kombëtar për parandalimin e agjentëve infektivë që transmetohen nga nëna te fëmija, ndërkohë, që në mars 2016 kemi miratuar një ligj të ri për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive, i cili përcakton rregullat dhe aktivitetet për zbulimin në kohë, evidentimin, parandalimin dhe kontrollin e tyre, për eliminimin dhe zhdukjen e sëmundshmërisë dhe të vdekshmërisë nga këto sëmundje. Mjekja mikrobiologe pranë Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” ka pohuar se gjatë viteve të fundit ka një ndërgjegjësim të madh të grave të cilat kryejnë analizat e Hepatiti Viral, në mënyrë që vaksinimi i fëmijëve të jetë sa më i shpejtë. “Është shumë e rëndësishme që në 12 ditshin e parë të lindjes së bebit të bëhet vaksina, kur dihet që nëna është bartëse, si dhe imunoglobulina për hepatitin B. Ajo që është e rëndësishme është se nënat shtatzëna duhet të kryejnë analizën e hepatitit sa më herët që të jetë e mundshme, që kur vërtetohet që është shtatëzane. Pra, sa më herët që të bëhet analiza e Hepatitit, aq më mirë është si për gruan shtatzënë ashtu edhe për bebin. Nga të dhënat që ne kemi rezulton se gjatë vitit të fundit mbi 95% e nënave shtatzënë e kanë kryer këtë analizë, çka tregon një ndërgjegjësim të tyre,” ka pohuar Vera Barça, mjeke mikrobiologe pranë maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.

Ndërkohë, mjeku Spiro Damo, Shef i Neonatologjisë në këtë spital, ka pohuar se çdo fëmijë vaksinohet brenda 72 orëve të para të lindjes. “Tashmë, kryerja e analizës së Hepatitit është bërë pjesë e protokollit të ndjekjes së shtatzënisë, pasi kjo është një sëmundje e rrezikshme dhe ka invaliditet të lartë, ndaj edhe ne jemi zbatues të protokolleve. Rreziku i transmetimit vertikal të sëmundjes nga nëna te fëmija, dhe menjëherë sa marrim sinjalin që nëna është mbartëse e Hepatitit Viral sa më parë që të jetë e mundur kryejmë vaksinën dhe imunoglobulinën, e cila nuk na ka munguar asnjëherë falë interesit dhe përkushtimit të drejtorisë, duke e aplikuar në mënyrë intravenoze për të krijuar një mbrojtje pasive për fëmijën, pasi jep antikorpe të gatshme tek bebi. Edhe nëse nëna nuk është mbartëse e Hepatit Viral, pra që nuk ka kaluar atë filtrin e depistimit në shtatëzani, në Hepatitin Viral e aplikojmë tek të gjitha bebet pasi është vaksinim bazal. Kjo vaksinë kryehet sa më parë që të jetë e mundur, por jo më vonë se 72 orë që nga lindja e fëmijës,” ka pohuar Damo.

Në Ditën Botërore të Hepatitit 2016, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u bën thirrje politikëbërësve, stafit shëndetësor dhe publikut “Të njohin hepatitin, të veprojnë tani!” OBSH-ja bën thirrje që të informohemi në lidhje me infeksionin, të ndërmarrim nisma pozitive për të njohur statusin e infektimit me virusin e hepatiteve duke u testuar, dhe së fundi, të kërkojmë trajtim për të reduktuar vdekjet e panevojshme nga ky infeksion i parandalueshëm dhe i trajtueshëm.

Hepatiti viral – një grup i sëmundjeve infektive të njohura si hepatiti A, B, C, D dhe E – ndikon jetën e qindra miliona njerëzve në mbarë botën, duke shkaktuar sëmundje akute dhe kronike të mëlçisë dhe vrasjen e afër 1.4 milionë njerëzve çdo vit, kryesisht nga hepatiti B dhe C. Është vlerësuar se vetëm 5% e njerëzve me hepatit kronik e dinë që janë të infektuar, dhe më pak se 1% e tyre kanë qasje në trajtim.

***

 Fjala e plotë e ministrit gjatë aktivitetit: 

Sot është Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Hepatitet. Kjo ditë përkon me atë që në maj të këtij viti OBSH-ja ka miratuar një strategji 5-vjeçare për qasjet ndaj sëmundjeve që vijnë nga Hepatitet, sëmundje që në rang botëror janë goxha të përhapura, por edhe në Shqipëri po ashtu, dhe motoja e OBSH-së, në radhë të parë, është që duhet ta njohim atë.

Sigurisht, që unë besoj se këto vite janë bërë përpjekeje të mira, edhe pse duhet të pranojmë që kemi ende shumë për të bërë, për të trajtuar këto sëmundje në të gjithë ciklin e tyre, që nga parandalimi, dhe së fundmi, edhe në trajtimin efektiv të tyre. Sot, siç e pamë edhe në këtë laborator pranë Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë,” pamë se çfarë procedurash zbatohen këtu për të parandaluar transmetimin e këtyre sëmundjeve, dhe në rastin konkret të Hepatitit B nga nënat tek bebet që do të lindin.

Këtu ka një sistem shumë të mirë të kontrollit, ka një program të mirë të zbatimit të protokolleve gjatë periudhës së shtatzanisë dhe ka një ndërhyrje efektive për ato raste kur bebet vijnë nga nëna që janë bartëse të saj.  Fillimisht, përdoret vaksina tek të gjitha bebet që në orët e para të lindjes, në rastet kur nëna ka qenë me Hepatit B dhe është mundësia e transmetimit vertikal bëhet edhe një mjekim tjetër i plotë, i cili prej 2-3 vjetësh tashmë është i garantuar në këtë spital.

Por, nëse do ta shohim në një qasje më të plotë, para 6 javësh në Ditën Botërore të Dhurimit të Gjakut ndamë me publikun një risi në Qendrën Kombëtare  të Transfuzionit të Gjakut, ku kemi mundësuar zbatimin e një analize të re tek dhuruesit e gjakut, në mënyrë që të zbulojmë shumë shpejt nëse gjaku i dhuruar ka Hepatit dhe ta ndalojmë përdorimin e tij më vonë.

Besoj se edhe programi i ri që po zbatohet deri më tani me sukses në Kirurgjinë e Përgjithshme (në QSUT) dhe do të shtrihet në të gjithë vendin, në këtë spital do të vijë rreth dhjetorit, me rritjen shumë të lartë të sterilitetit në instrumentat kirurgjikalë dhe në sallat e operacionit, do të ulë shumë mundësinë e përhapjes së këtyre sëmundjeve.

Por, që nga viti 2015 në listën e barnave të rimbursueshme ne ribursojmë 100% edhe barna të gjeneratave shumë të reja inovativë, që janë shërues për Hepatitet. Vjet ne kemi financuar rreth 600 mijë euro për të kuruar 11 të sëmurë. Kurse këtë vit, deri më tani kemi financuar  më shumë se 1 milion euro për 25 të sëmurë të tjerë. Madje në listën e barnave të rimbursueshme 2016 që është efektive që nga data 1 Janar kemi edhe dy barna të tjerë shumë më inovativë të regjistruar në Amerikë dhe në Evropë vetëm vitin e kaluar, dhe për më tepër falë përpjekjeve të vazhdueshme që bëjmë, pa cënuar aspak cilësinë e barit duke pranuar barin inovativ të kemi edhe ulje të çmimeve. Në qoftë se një trajtim vjet ishte në 60 mijë euro këtë vit ka rënë në 40 mijë euro, me të njëjtin bar duke bërë një trajtim shërues të hepatiteve me një cikël mjekimi që është praktikisht 12 javë. Rezultatet e 11 pacientëve që kanë marrë mjekimin e plotë vitin e kaluar kanë qenë jashtëzakonisht të mira.

SHKARKO APP