Beqaj: Kualifikimi i profesionistëve të shëndetit, emergjencë kombëtare

Rreth 1/3 e trupës së profesionistëve të shëndetësisë në vend nuk mund ta ushtrojnë më profesionin nëse nuk arrijnë të japin provimin e riçertifikimit, afati i të cilit është deri më 15 tetor të këtij viti. Lajmi u bë i ditur në një takim që Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, dhe Drejtorja e Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim (QKEV), Dr. Entela Shehu, zhvilluan sot (27/02/2015) me gazetarët.

Duke ofruar shpjegime të hollësishme të gjetjeve nga analiza paraprake e programit të ricertifikimit 2010-2014, Ministri Beqaj tha se rezulton që, mesatarisht, 63% e numrit të përgjithshëm të profesionistëve të shëndetësisë (mjekë, dentistë/mjekë stomatologë e farmacistë) që punojnë në sektorin publik dhe jopublik të sistemit të kujdesit shëndetësor në vend nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre për mbledhjen e krediteve të edukimit në vazhdim. Në zbatim të vendimeve kur ky proçes ka filluar 5 vite më parë, këta profesionistë të shëndetësisë që nuk kanë marrë kreditet, nuk mund të vazhdojnë ta ushtrojnë profesionin e tyre, dhe sipas z. Beqaj, kjo është një gjendje shumë e rëndë, në kufijtë e një “emergjence kombëtare”, pasi sipas tij, lidhet pikësëpari me cilësinë e ofrimit të kujdesit shëndetësor.Duke i’u referuar mbledhjes së Bordit të Ricertifikimit dhe Akreditimit (BRA) të Profesionistëve të Shëndetësisë të zhvilluar vetëm tre ditë më parë (24/2/2015), ku u diskutuan modalitetet e provimit të ricertifikimit për profesionistët e shëndetësisë që nuk kanë përmbushur detyrimet e programit 5-vjeçar të ricertifikimit 2010-2014, z. Beqaj sqaroi se janë marrë disa vendime të rëndësishme për të administruar proçesin që do të pasojë lidhur me këtë program.“Deri në 15 prill, ne do të kemi shpallur listën nominale të gjithësecilit që s’i ka marrë kreditet,” – tha kreu i shëndetësisë, duke theksuar se deri në 15 prill, do të kemi punuar me urdhërat e profesionistëve, fakultetet përkatëse të Universitetit të Mjekësisë, “për të përcaktuar programet që do të duhet të kenë parasysh profesionistët që 6 muaj nga data e shpalljes së listës, – ku gjithsecili ka emrin e tij, – do të duhet të japë provimin e riçertifikimit, që do të thotë afati është deri më 15 tetor”.Ndërkohë, po më 15 prill, QKEV do t’i çojë urdhërave të profesionistëve, listën e profesionistëve që kanë zero kredite, dhe atyre me zero, automatikisht, nuk u lejohet më ta ushtrojnë profesionin; sigurisht, edhe ata do të kenë mundësinë të përfshihen në një proçes provimi; do t’ia përcjellim Agjencisë së Barnave (AKBPM – Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore) që monitoron tregun farmaceutik; do t’ia përcjellim edhe Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor (ISHSH) që kontrollon mjekësinë jopublike, qoftë edhe pjesën e shërbimit stomatologjik, sqaroi z. Beqaj.

 

SHKARKO APP