Berat, depistohen 110 edukatoret e 15 kopshteve me testet e shpejta
DSHP Berat kryen depistimin e plotë për Covid-19 në 15 kopshtet dhe çerdhet e qytetit të Beratit.
Testimi i 110 edukatoreve është kryer nëpërmjet testeve të shpejta dhe përgjigja e testimeve ka përfunduar në 30-minuta.
Drejtoria e Shëndetit Publik në Berat ka kryer depistimin në të gjitha kopshtet dhe çerdhet e qarkut të Beratit.
I gjithë stafi i 15 kopshteve dhe çerdheve në qytetin e Beratit ka përfunduar sot testimin për Covid-19.
Përveç edukatoreve,testimit i janë nënshtruar edhe sanitaret,kuzhinieret dhe punonjësit e administratës në këto institucione arsimore.
Depistimi i kryer në kopshte dhe çerdhe,ku të gjitha testet kanë rezultuar “negativë” kishte si qëllim sigurimin e shëndetit të fëmijëve nga 1-6 vjeç,që kanë filluar prej dy-javësh frekuentimin e këtyre institucioneve.
Identifikimi dhe gjurmimi i rasteve pozitive përmes testit të shpejtë të antigenit, cilësohet nga mjekët epidemiologë në Berat si një mekanizëm mjaft efikas për menaxhimin e pandemisë.
Sipas mjekëve,nëpërmjet testit të shpejtë mundësohet edhe kryerja në kohë reale e hetimit epidemiologjik të rasteve të evidentuara.
Burimet zyrtare pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik Berat bëjnë me dije se,në ditët në vijim do të kryhet depistimi i plotë edhe në të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme,për të vijuar më pas me institucionet vendore.