Berati me probleme, KQZ-partive: Vazhdoni numërimin e votave!

Pas përfundimit të numërimit të votave për kryetarët e bashkive, është ngadalësuar ose ndërperë numërimi porsa u përket këshilltarëve, kjo ndoshta nga euforia e fitores në njërin kamp dhe demoralizimi i humbjes në kampin tjetër.  

për këtë arsye, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) u bëri thirrje këtë të martë partive politike që të respektojnë vendimet e KQZ-së në menaxhimin e procesit të numërimit të votave.

“KQZ u bën apel partive politike, kandidatëve për këshillat bashkiakë dhe KZAZ-ve që të respektojnë vendimin e KQZ-së nr. 578, ku përcaktohet se, në Vendet e Numërimit të Votave(VNV) mund të qëndrojnë vetëm anëtari dhe sekretari i KZAZ-së, anëtarët e Grupeve të Numërimit të Votave (GNV), përfaqësuesit e akredituar të medias, vëzhguesit e subjekteve zgjedhore, etj”, tha zëdhënësja e KQZ-së.

 Gjithashtu, KQZ u bëri thirrje edhe Zonave të Administrimit Zgjedhor (ZAZ) dhe grupeve të numërimit, që të vazhdojnë pa ndërprerje numërimin e votave dhe të shmangin pushimet e shpeshta.

Në zonat ku ka përfunduar numërimi i fletëvotimeve për kryebashkiakë, KQZ kërkon vijimin e numërimit të votave për këshilltarë.

KQZ apeloi edhe për dokumentimin me proceverbalet përkatëse të çdo problematike të hasur gjatë numërimit.

Berati rezulton zona më e nxehtë, në fund të procesit të numërimit të votave. Sot është pezulluar sërish procesi i numërimit të votave, për shkak se numëruesit kërkojnë ndërrimin e vëzhguesve.

Aktualisht, në Berat kryeson kandidati i ASHE-së, Petrit Sinaj, me 52.71% të votave. Kandidati i APPD-së, Kasëm Mahmutaj, ndjek me 47.29% të votave.

Ditën e hënë, komisionerët e Partisë Demokratike në Berat kanë kërkuar pavlefshmërinë e një kutie. Ata pretendojnë se kutisë nuk i korrespondojnë vulat.

Kjo ka sjellë tensionimin e situatës në ambientet e KZAZ-së. Demokratët thonë se kutia e mësipërme nuk është shoqëruar drejt Vendeve të Numërimit të Votave nga ana e policisë, por nga militantë partiakë dhe hedhin dyshime se gjatë transportit mund të jetë hapur.

Në fund është vendosur që kjo kuti t’i dërgohet KQZ-së, e cila do të marrë një vendim për të.

SHKARKO APP