Berisha denoncon: Paratë për Inceneratorët dolën nga fondi i emergjencave
Kreu i PD, Sali Berisha, ka vijuar denoncimet lidhur me aferën e Inceneratorëve. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha denoncoi se paratë e Inceneratorëve u morën nga fondi i emergjencave nga Këshilli i Ministrave.
Kryedemokrati theksoi se ky fond përdoret vetëm në rastin e katastrofave natyrale dhe fatkeqësive të mëdha natyrore, ndërsa shtoi se Edi Rama, këtë fond, e përdori për të përvetësuar, bashkë me zyrtarët e tij, dhjetëra e dhjetëra milionë euro.
“Edi Rama është përgjegjësi numër 1 i vjedhjes monstruoze me aferën e djegësave. Për djegësin e Elbasanit dhe Fierit, ministria e Mjedisit që u përdor për këtë vjedhje, kishte zero lekë në buxhetin e saj. Paratë e djegësave u morën nga fondi i emergjencave të Këshillit të Ministrave. Ky fond përdoret vetëm në rastin e katastrofave natyrale dhe fatkeqësive të mëdha natyrore. Edi Rama, këtë fond, e përdori për të përvetësuar, bashkë me zyrtarët e tij, dhjetëra e dhjetëra milionë euro. Me urdhër të tij, ai kaloi nga fondi i emergjencës dhjetëra e dhjetëra miliona euro, në buxhetin e Ministrisë së Mjedisit për vjedhjet me inceneratorët. Edi Rama është përgjegjës sepse firmosi kontratën me procedurë të mbyllur, në një kohë kur enti zyrtar, Agjencia e Prokurimeve Publike, kishte denoncuar më përpara, si të paligjshme për prokurim procedurën me negociata të mbyllura”, tha Berisha.
Më tej Berisha e ka konsideruar ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku si “më të korruptuarën në Shqipëri”.
“Kush e zëvendësoi strumbullarin e aferës së djegësve Arben Ahmetajn, ministrin më të korruptuar të historive të qeverive po e zëvendëson ministrja më e korruptuar në historinë e Shqipërisë, mundet rajonit dhe Evropës. Ajo ka një meritë të vetme, ndarjen e parave të vjedhura që kur punon në bashki e deri sot me Edi Ramën. Belinda Balluku është autorja, drejton ministrinë që ndërton rrugë me çmime të dhjetë 12 fishta në krahasim me standardin evropian”, u shpreh Berisha në deklaratën për mediat.