Berisha kandidat i vetëm për zgjedhjet e kreut të PD-së, Kaso: Dy të tjerët nuk plotësonin kriteret
Kryesia e PD shqyrtoi sot raportin e Komisionit të Organizimit dhe të Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE) lidhur me kandidaturat për zgjedhjet e brendshme për kryetar të partisë, të planifikuara që të zhvillohen më 23 maj. Në një deklaratë për mediet, Ivi Kaso, sekretar për ligjet dhe çështjet zgjedhore në Partinë Demokratike, tha se kryesia u njoh me tre kandidaturat zyrtare, atë të kryetarit aktual, Sali Berisha, si dhe kandidaturave të paraqitura nga Mereme Msela dhe Vladimir Mulaj. Sipas Kasos, Komisioni vlerësoi se të tre kandidatët plotësonin kushtin bazë të anëtarësisë në Partinë Demokratike, por ka konstatuar dallime në plotësimin e kritereve të tjera të parashikuara.
“Kandidatura e kryetarit të Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berishës, plotësonte të gjitha kriteret e përcaktuara në vendimmarrjen e datës 18.03.2026 i KOKOE-s, pra të Komisionit të Organizimit dhe të Kontrollit të Operacioneve Elektorale, që kishin të bënin me atë të qenies në radhë të parë anëtar i Partisë Demokratike, më pas eksperiencë drejtuese në nivel kombëtar dhe rajonal në betejat politike të Partisë Demokratike për kauzat qytetare dhe politike, si dhe kriteret e zgjedhshmërisë sipas ligjit 138/2015, pra të integritetit të personave që zgjidhen, që emërohen në funksione publike”, tha ai.
Kaso nënvizoi se kandidatura e Sali Berishës përmbush të gjitha kriteret e vendosura nga KOKOE, përfshirë anëtarësinë në parti, eksperiencën drejtuese dhe kriteret e integritetit sipas ligjit për dekriminalizimin. Po ashtu, kryesia u njoh me faktin se këto kritere janë të njëjta me ato të aplikuara në garën e vitit 2022. Ndërkohë, Kaso shtoi se sipas vlerësimit të komisionit, kandidatët e tjerë nuk plotësojnë kriteret e eksperiencës drejtuese 10-vjeçare në strukturat e PD-së, duke u konsideruar të papërshtatshëm për të vijuar garën.
Sa i përket ish-deputetit Ervin Salianji, Kaso nënvizoi se KOKOE ka vlerësuar se ai nuk plotëson kushtin e anëtarësisë në parti, duke iu referuar shkeljeve të pretenduara të Kodit të Etikës dhe dispozitave statutore, që sipas komisionit e përjashtojnë nga gara. Në përfundim, kryesia e Partisë Demokratike ka miratuar vendimin e KOKOE-së, duke konfirmuar kandidaturën e Sali Berishës për zgjedhjet e 23 majit për kryetar të PD-së.
KOHA JONË SONDAZH

