Berisha: Me 23 dhjetor bllokojmë krejtësisht Tiranën, nga Qafë Priska gjer në Vorë. Nuk kalon dot njeri!

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, kryedemokrati Sali Berisha tha se kjo është pjesë e mosbindjes civile.

“Më datën 23 dhjetor, ditën e hënë në ora 17.00, kemi mosbindjen civile më të fuqishmen që ka parë Tirana ndonjëherë. Mbarë bota mezi pret këtë akt, këtë mosbindje E kanë pëlqyer shumë, kudo në botë. U them unë juve. Se një gjë duhet ta dini. Atë ndihmë që na ka dhënë ne shtypi ndërkombëtar, nuk i dalim borxhit kurrë.

Dhe ta dini që, ka gazetarë të cilët kanë humbur vende për shkrimet që kanë bërë. Janë treguar të mëdhenj. Janë treguar njerëz të lirë, dhe mirënjohja jonë është e pakufishme ndaj tyre. Ndaj dhe, e keni parë ju vet se me ç’pasion i paraqesin mediat e botës protestat tona, sepse janë anti-diktaturë, sepse janë për liri. Nuk mund të ndodhtë ndryshe.

Ndaj dhe kjo mosbindje, Tiranën nga Qafë Priska gjer në Vorë duhet ta bllokojmë plotësisht, totalisht nga të gjitha drejtimet. Jam i sigurt se, ju do të mobilizoni të gjithë potencialet që kemi për të bërë një nga mosbindjet civile më të shkëlqyera, më të fuqishmet që kemi realizuar ndonjëherë” – tha Berisha.

I pyetur nga mediat për skenarin e kësaj proteste, Berisha tha se detajet do të komunikohen sapo të finalizohen, por ka theksuar se ajo do të jetë shumë dinamike.

“Do të jetë një skenar shumë i ngjeshur dhe i fortë. Unë do të jem patjetër atje. Skenari i protestës së 23 dhjetorit do komunikohet sapo të finalizohet. Do jetë një skenar shumë i ngjeshur dhe i fortë. Unë do jem patjetër”, – u shpreh Berisha

SHKARKO APP