Berisha me të rinjtë e FRPD-së: Rama armiku më i egër që ka njohur kombi
Këtë mbrëmje Sali Berisha zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë në selinë blu, në kuadër të turit ”Foltore”. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për shpopullimin e vendit, duke deklaruar se Shqipëria ndodhet sot në një rrezik ekzistencial si komb. Sipas tij kreu i qeverisë është armiku më i egër që ka pasur ndonjëherë kombi shqiptar, edhe më keq se diktatori Enver Hoxha.
”Këta rreshtoheshin në një mënyrë të paimagjinueshme për të mbrojtur një hajdute, e cila në mënyrë absolute në çdo tender ka firmën dhe dorën e saj të zezë, që shkon jo në qindra milionë, por në miliarda euro për vete dhe Edi Ramën. Ju mblidheni sot këtu në një kohë kur vetëm në hapësirën Shengen janë larguar mbi 700 mijë të rinj shqiptarë. Ju mblidheni sot këtu në një kohë kur ne si komb jemi në kërcënim ekzistencial. Kombi ka disa tregues demografikë. Ato janë themelorë për të ardhmen e tij. Ato tregues, po të ecin me këtë trend, pas 50 vitesh, shqiptarët i konsiderojnë komb të fshirë.
Ne sot e kemi lindshmërinë që kemi pasur 100 vite më parë kur ishim 700 mijë banorë. Sot ne kemi treguesin e lindshmërisë më të ulëtin në botë. Sot, nga viti 2018 gjer sot, ne kemi mijëra vdekje në vit më shumë se sa lindje. A e shihni ju se ku e katandisi ky? Kurse sot imagjinoni çfarë largimi të tmerrshëm masiv. Nuk ka pasur kombi ndonjëherë në histori një armik më të egër të ekzistencës së tij se sa Edi Rama. Shumë më tepër se Enver Hoxha. Enver Hoxha ishte gjakësor. Ishte mizor në të drejtat e njeriut. Por nuk mund të themi se ai dhe klika që e rrethonte vodhi shqiptarët siç vjedhin këta sot”,-tha kreu i PD-së. Berisha akuzoi qeverinë për korrupsion masiv, duke përmendur edhe çështjen e inceneratorëve. “Vetëm te djegësi i Tiranës janë vjedhur 130 milionë euro nga Edi Rama dhe Erion Veliaj”, deklaroi ai.
KOHA JONË SONDAZH

