Berisha merr mbështetjen dërrmuese në referendumin e PD-së, publikohen rezultatet nga degët
Sali Berisha është rikonfirmuar në krye të Partisë Demokratike për një mandat tjetër, pasi ka marrë mbi 90% të votave në referendumin e zhvilluar këtë të shtunë në të gjitha degët e partisë në vend. Edhe pse rezultati zyrtar përfundimtar nuk është shpallur ende nga selia blu, të dhënat paraprake nga qarqet tregojnë një mbështetje dërrmuese për liderin demokrat.
Procesi i votimit nisi në orën 08:00 dhe në disa degë të mëdha u shty deri në orën 19:00 për shkak të fluksit të votuesve. Sipas drejtuesve të procesit, referendumi u zhvillua pa incidente apo problematika të rëndësishme, megjithëse pjesëmarrja rezultoi më e ulët krahasuar me proceset e mëparshme, veçanërisht në degët më të vogla të partisë.
Deputetja Albana Vokshi bëri të ditur se në votim ishin thirrur rreth 51 mijë anëtarë të PD-së, një shifër dukshëm më e ulët se ajo e vitit 2021, kur kishin të drejtë vote rreth 75 mijë demokratë. Kjo diferencë vjen pas përçarjeve të brendshme dhe krizës që përfshiu partinë në vitet e fundit.
Në fletën e votimit ishte vetëm emri i Sali Berishës, pasi pesë kandidatë të tjerë që kishin shfaqur interes për garën u përjashtuan nga procesi. Kjo situatë solli reagime të ndryshme brenda kampit demokrat. Disa mbështetës e cilësuan procesin si unifikues për partinë, ndërsa kritikët e konsideruan një votim formal pa garë reale.
Gjatë ditës pati deklarata nga figura të ndryshme të PD-së, të cilët mbështetën procesin dhe kërkuan bashkim të demokratëve. Ndërkohë, nuk munguan as zërat kritikë nga anëtarë dhe simpatizantë që e krahasuan votimin me një referendum simbolik, për shkak të mungesës së rivalëve në garë.
KOHA JONË SONDAZH

