Berisha: Në kilometrin e fundit, vendosmëria e grave është kyçe në këtë provë
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Lidhja Demokratike e Gruas, në bashkëpunim me FRPD dhe Departamentin Brain Gain, organizoi një aktivitet në selinë e Partisë Demokratike për të nderuar dhe vlerësuar kontributin e grave në shoqërinë shqiptare.
Në fjalën e tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha, paralajmëroi se kombi shqiptar po përballet me një rënie të dukshme demografike dhe sfida serioze sociale. Ai përmendi rënien e nxënësve në arsimin parauniversitar nga 801 mijë në vitin 2013 në 405 mijë në vitin 2025, duke theksuar se kjo tregon një situatë shqetësuese për vendin dhe familjet shqiptare.
Berisha kritikoi qeverinë si një “regjim mizogjen dhe kriminal”, që sipas tij, synon të mbrojë interesat e pushtetarëve dhe të ndryshojë ligjet për përfitime të veta. Ai nënvizoi se vendi është në një moment kritik dhe se përballja me këto sfida kërkon energjinë, guximin dhe vendosmërinë e grave shqiptare.
Ai shtoi se PD-ja do të angazhohet për barazi gjinore dhe për krijimin e mundësive që gratë të zhvillojnë dhuntitë dhe forcën e tyre krijuese, duke theksuar se gratë dhe vajzat shqiptare do të jenë pjesë kyçe në përpjekjet për të ruajtur familjen dhe për të sfiduar regjimin aktual.
Berisha ftoi gratë demokrate të vazhdojnë këtë betejë paqësore, duke e cilësuar si një mision historik për të mbrojtur të ardhmen e kombit shqiptar.
KOHA JONË SONDAZH

