Berisha në Vlorë: Pas 11 Majit do të dalim në krye të vendeve të rajonit për rrogat dhe pensionet

Sali Berisha ka prezantuar kandidatët për deputetë të PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore për qarkun Vlorë. Pas përshëndetjes për mikpritjen entuziaste, kreu i PD-së se Shqipëria pas 11 majit do të nisë udhën për të dalë në krye të vendeve të rajoni, për rrogat, pensionet dhe për mbështetjen e tyre nga shteti. ”U jap ju fjalën se 3 muajt e parë, kjo situatë përmbyset. Shqiptarët në mjerim nuk do ketë më. Çdo shqiptar do marrë 200 euro. Nuk do ketë rrogë minimale nën 500 euro”,-tha Berisha.

Pjesë nga fjala 

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush, qytetarëve të Vlorës, banorëve të këtij qarku nga Konispoli në Mifol. Vlonjateve dhe vlonjatëve në Vlorë, në Shqipëri dhe kudo që ndodhen sonte. Mirënjohjen më të pakufishme për këtë mbështetje të jashtëzakonshme. Dua të përshëndes gjithashtu këtu para jush, në emër të koalicionit, udhëheqësin politik të qarkut të Vlorës, zotin Bujar Leskaj.

Drejtuesen politike të Sarandës, zonjën Ina Zhupa. Ekipin e mrekullueshëm të përfaqësuesve tuaj në parlamentin shqiptar, krenari për Vlorën, krenari për Shqipërinë. Miqtë e mi, unë vij tek ju për të paraqitur para jush projektin e Shqipërisë Madhështore. Por theksoj këtu se në rast se ky projekt do kishte një djep, djepi i madhështisë së shqiptarëve është Vlora.

Miqtë e mi, por ne u ngritëm si shqiptarë që besojnë se do bëjmë të pamundurën të mundur. Që besojnë se këtë regjim, këtë të keqe, do e shkulim nga rrënjët. Do e përcjellim në arkivat e historisë. Shqipërinë Madhështore, ndërtimin e saj, ne e nisim nga shpirti madhështor i shqiptarëve, i nënave, motrave, burrave dhe grave, të cilët në shekuj kanë ndarë kafshatën me njëri-tjetrin, nuk kanë pranuar kurrë të lënë në mjerim siç ndodh sot.

Po miq, e kemi shpallur, do e nisim nga zemra e dhimbsur. Do ta nisim me përulje. Do ta nisim me njerëzi. Me kujdes për ata që ky regjim pothuajse i përjashtoi nga Shqipëria, i varfëroi, i poshtëroi, i topiti dhe i la në mjerim ekstrem. Jo, jo. Nuk do ketë më asnjë shqiptar që do jetë në mjerim ekstrem sepse ne taksat tuaja, paratë tuaja, djersën tuaj, para së gjithash dhe mbi të gjitha, do ua kthejmë ju dhe vetëm ju.

Marrin pension më pak se sa Gjermania jep për kafshën shtëpiake. Ministrat, mbiministrat marrin 50 pensione. U jap ju fjalën se 3 muajt e parë, kjo situatë përmbyset. Shqiptarët në mjerim nuk do ketë më. Çdo shqiptar do marrë 200 euro. Nuk do ketë rrogë minimale nën 500 euro. Nuk do ketë rrogë mesatare nën 1200 euro. Mësuesit e fëmijëve tanë do marrin 1500 euro. Shqipëria, shqiptarët nisin udhën për të dalë në krye të vendeve të rajonit për rrogat, pensionet dhe mbështetjen e tyre.

SHKARKO APP