Berisha pa imunitet, Vokshi: Mund ta arrestojnë, por ”berishizmin” nuk e prekin dot
Pjesë e grupit të Berishës, deputetja demokrate Albana Vokshi, thotë se vendimi për t’i hequr imunitetin ishte një tjetër vendim antikushtetues. Për të ish-kryeministrin mund ta arrestojnë, por ”berishizmin” nuk e arrestojnë dot.
“Nuk kisha asnjë pritshmëri që deputetët e PS, që Rama i ka vënë në resht, të mund të ndryshonin qëndrimin e tyre. Një tjetër vendim antikushtetues, që shkelmon kushtetutën përfundimisht, pas vendimeve të njëpasnjëshme nga ana e Edi Ramës.
Mund ta arrestojë Sali Berishën, por berishizmin nuk mund ta arrestojë. Shumë më tepër do të jenë në protesta të tjera. Berisha është shtyllë! Kush e izolon dot nga komunikimi dhe nëse do t’i jepet masa arrest në shtëpi? Mund ta izolosh pjesën tjetër?
Nuk e izolon dot askush Berishën! Berishizmi është frymë. Do vijojë të drejtojë Berisha PD. Kjo që ka ndodhur sot nuk do ta shuaj opozitën siç kërkon Rama”, tha ajo.