Berisha: Rama e Vuçiç punojnë për projektin e Putinit, Stoltenberg u dha një mesazh

Kreu i PD, Sali Berisha, komentoi në konferencën e sotme për mediat edhe takimin mes Kurtit dhe Vuçiç në Bruksel. Berisha tha se Stoltenberg, përsëriti vendosmërinë e NATO-së për të garantuar stabilitetin e Kosovës.

Më tej kreu i PD vijoi sërish me akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për të cilët tha se po punojnë për Vladimir Putin.

“Në Bruksel ka pasur zhvillime shumë të rëndësishme për rajonin. E kam quajtur dhe e konsideroj të një rëndësie shumë të madhe, takimin që u zhvillua në selinë e NATO-s, midis Sekretarit të Përgjithshëm , Presidentit të Serbisë, Vuçiç dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Në këtë takim, Stoltenberg, përsëriti vendosmërinë e NATO-së për të garantuar stabilitetin e Kosovës. Stabiliteti i Kosovës është për rajonin dhe më gjerë dhe këtu morën një mesazh të fortë dhe të qartë, të gjithë ata që punojnë për projektin e Putinit në Ballkan, Aleksandër Vuçiç por dhe sivëllai i tij Edi Rama.

Po kështu, Sekretari i Përgjithshëm u kërkoi palëve që kundërshtitë t’i zgjidhin me dialog dhe e mbështesim plotësisht këtë qëndrim të Sekretarit të Përgjithshëm që kontribuon në mënyrë paqësore në paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë. Të nesërmen e takimit, Kryeministri Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Vuçiç zhvilluan takime me z. Borrell dhe emisarin e BE për Dialogun Kosovë-Serbi, z. Lajçak.

Një takim mund të themi, edhe pse nuk pati rezultatet konkrete për çështjet, ishte pozitiv sepse të dy palët ranë dakord që të mos bëjnë shumë diplomacinë e altoparlantit po të vazhdojnë bisedimet dhe negociatat dhe urojmë që të dominojë arsyeja. Beogradi të heqë dorë nga projekti i Putinit për të hapur një konflikt të ri në Ballkan. Të gjitha që unë kam lexuar, deklarata të paanashme, flasin se çështja e targave dhe letërnjoftimeve siç e kërkon qeveria e Kosovës është e parashikuar në marrëveshjet e mëparshme të arritura midis dy palëve në Bruksel. Sidoqoftë, unë mendoj dhe besoj se dialogu midis palëve është i domosdoshëm për kapërcimin e krizës të krijuar nga qëndrime absolutisht të pambështetura në marrëveshje të Vuçiç ndaj problemit të targave dhe letërnjoftimevetë serbëve në Kosovë”-tha Berisha.

SHKARKO APP