
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se “Edi Rama u shfaq më shumë se kurrë para shqiptarëve si një bastard i xhelatëve komunistë, të cilëve u përket”.
“Ai sot doli para shqiptarëve si një zëdhënës i prokurorisë së kohërave të shkuara. Akuzoi apo paraqiti një galeri emrash, sipas tij, të inkriminuar, me akuza nga më të ndryshmet, nga armët e ftohta, te prodhimi dhe përdorimi i drogës, e deri te incesti. Harroi se përmendja e litarit në shtëpinë e të varurit nuk është mençuri, sepse, po të kthehen te dosja gjyqësore e tij e viteve ’90, do të gjejnë aty akuza që ai kurrë nuk duhet t’ua bëjë të tjerëve. Ai tha se në asnjë vend të Evropës nuk ka ndodhur që të ketë më shumë policë të plagosur sesa protestues. I pafytyrë, i pandershëm, i pamoralshëm! Raporti i të plagosurve protestues-policë është të paktën 1 me 15, mund të jetë 1 me 30, sepse janë me dhjetëra, qindra të plagosur që shmangin spitalet për t’iu shmangur persekutimit.
Pra, mashtroi në mënyrën më të pafytyrë. Unë i them se në asnjë vend të Evropës nuk ka ndodhur të manipulohen shifrat siç i manipulon ti, sepse shqiptarët panë gjatë këtyre 11 ditëve kafka të çara nga plumbat të protestuesve. Panë breshëri plumbash mbi trupat e tyre. Panë, si mbase asnjëherë e askund tjetër, me dhjetëra trupa që gjallnin të shtrirë, pa ndjenja ose gjysmë të vetëdijshëm, në sallën e Ministrisë së Arsimit. Panë bisha, kafshë të vërteta me uniformë, që protestuesve të shtrirë përdhe u hipnin me shqelma për t’u thyer gjymtyrët, dhe ua thyen gjymtyrët. Panë barbarinë ndaj të miturve, sikur të mos ishin fëmijë, por kafshë gjahu. Shqiptarët panë të gjitha këto. E vërteta është se policët e plagosur që janë parë numërohen me gishtat e duarve.
Dhe ky i pafytyrë kujton se është para Rudinës, e cila i thoshte se kishte bërë 1 milion e 600 mijë kilometra rrugë në Shqipëri”, tha Berisha në një dalje për mediat.
