Berisha takim me Kongresmenin Pete Sessions: Diskutuam mbi pasojat e narkoshtetit dhe nevojën për qeveri teknike në Shqipëri
Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me kongresmenin republikan Pete Sessions, ku në fokus të diskutimeve ishin zhvillimet politike në Shqipëri, lufta kundër trafikut të drogës, korrupsioni dhe proceset zgjedhore.
Në takim, ku Berisha shoqërohej nga kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, u diskutua, sipas Berishës, për pasojat e asaj që ai e cilëson si “narkoshtet”, si dhe për ndikimin e krimit të organizuar dhe parave të drogës në politikën dhe zgjedhjet shqiptare.
Berisha tha se gjatë bisedës u trajtua gjerësisht lufta kundër karteleve të drogës dhe ndikimi i tyre në proceset zgjedhore. Ai iu referua gjithashtu qëndrimeve të Presidentit amerikan Donald Trump dhe Sekretarit të Shtetit Marco Rubio për marrëdhëniet strategjike SHBA–Shqipëri dhe luftën kundër trafikut të drogës.
Postimi i plotë
Takim me Kongresmenin Pete Sessions: Diskutuam mbi pasojat e narkoshtetit dhe farsën zgjedhore, nevojën për qeveri teknike në Shqipëri. Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i shoqëruar nga Kryetari i Partisë Republikane të Shqipërisë, Fatmir Mediu, pata kënaqësinë të zhvilloja një takim të rëndësishëm me anëtarin e Komisionit të Mbikëqyrjes dhe Reformës së Qeverisjes, kryetarin e Nënkomisionit të Operacioneve Qeveritare, Kongresmenin Pete Sessions. Diskutimi ynë u përqendrua në problemet madhore me të cilat përballet Shqipëria, kryesisht trafiku i drogës dhe narkoshteti, korrupsioni galopant dhe ndikimi i tyre i drejtpërdrejtë në manipulimin e proceseve zgjedhore.
Lufta ndaj karteleve të drogës dhe ndikimi te zgjedhjet u trajtuan gjerësisht në këtë takim. Gjatë takimit u vu theksi te qëndrimet e shprehura nga Presidenti Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio, sipas të cilëve partneriteti strategjik me Shqipërinë synon në radhë të parë luftën pa kompromis ndaj trafikut dhe karteleve të drogës. U denoncua fakti se krimi i organizuar dhe paratë e drogës, të lidhura me nivelet më të larta të qeverisjes, po përdoren nga administrata dhe qeveria e sotme e Edi Ramës për të manipuluar zgjedhjet, për të kontrolluar pushtetin dhe për të pastruar paratë e drogës.
E njohëm kongresmenin amerikan me situatën jashtëzakonisht të vështirë ku ndodhet vendi. Kryeministri Rama ka shkatërruar Kushtetutën dhe të gjitha institucionet e pavarura, duke përqendruar në duart e tij një pushtet absolut që prodhon korrupsion absolut. Po ashtu, ngritëm shqetësimin se qeveria kontrollon plotësisht drejtësinë dhe po e përdor atë si armë politike kundër opozitës, me qëllim mbajtjen e pushtetit. Ai refuzoi t’i heqë imunitetin Ballukut, duke i bllokuar kështu haptas drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit.
Në këtë takim e falënderuam Kongresmenin Sessions për interesin e tij për zhvillimet në Shqipëri dhe rajon, luftën kundër karteleve të drogës dhe politizimin e drejtësisë. Takimi ishte i hapur. Në takim merrnin pjesë z. Bert Misuzawa, kandidat republikan për Senat në Shtetin e Virxhinias, dhe Gjenerali Zapanta.
KOHA JONË SONDAZH

