Berisha: Të mblidhemi të enjten me urgjencë në Parlament të miratojmë rritjen e pagave dhe pensioneve!

Ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar që këtë të enjte të mblidhet me urgjencë parlamenti të votojnë rritjen e pagave dhe pensioneve.

Deklaratë e Sali Berishës para mediave nga selia e PD-së: 

Mirëdita!
Në këtë fushatë, Edi Rama nuk kursen gënjeshtër pa lëshuar, nuk kursen fjalë të denjë vetëm për të pa përdorur. Jam zotuar që të mos merrem me fjalorin e tij koprolalik, por të merrem me probleme të mëdha që ky regjim i ka krijuar qytetarëve, të merrem me paraqitjen e alternativës sonë për zgjedhjen e tyre. Këtë po bëjnë të gjithë kandidatët tanë në mbarë Shqipërinë.
Kemi ftuar dhe ftojmë gjithnjë për ballafaqime televizive, apo edhe në shesh për transparencë dhe në interesin më të madh të zgjedhësve shqiptarë. Por unë sot jam këtu për t’i shkurtuar këmbët mashtrimit të paskrupullt të tij me rrogat dhe pensionet.
Edi Rama për herë të parë pas 10 vitesh, pasi u bë e qartë si drita e diellit, se ngrirja e rrogave dhe rritja e tmerrshme e çmimeve i zhyti shqiptarët në një varfëri të frikshme, varfëri që i detyron ata të largohen masivisht nga Shqipëria, ai lëshoi një seri premtimesh për rritje rrogash. Ndër të tjera paraqiti në Parlament një ligj ku parashikohej rritja e rrogës mesatare, 900 euro.
E vërteta është se ligjin e bllokoi vetë në Parlament. Me një marrëveshje të turpshme me Alibashën, mbylli Parlamentin dhe këtë e bëri vetëm e vetëm pse ai premtim ishte një mashtrim. Unë jam këtu sot në emër të qytetarëve shqiptarë, demokratëve, socialistëve dhe të paparti, të ftoj të mbledhim me urgjencë ditën e enjte Parlamentin dhe të votojmë ligjin për rritjen e rrogave dhe pensioneve.
Të tallesh me njerëzit që numërojnë edhe qindarkat për të mbyllur 15-ditëshin apo muajin, duke i joshur ata me premtime boshe, është një akt cinik, dhe kur e bën në fushatë elektorale është një krim elektoral. Ndaj dhe i them Edi Ramës, bëhu njëherë njeri me ndjenja për qytetarët dhe hajde të votojmë ligjin për rritjen e rrogave. Përgjigju ofertës sonë, ofertë e cila ka si synim, absolutisht jo bashkëpunimin me ty, se ti e ke faktuar veten një armik të interesave të qytetarëve dhe interesave kombëtare të shqiptarëve, por ka si qëllim mbështetjen e qytetarëve shqiptarë. Ka si qëllim një rrogë për qytetarët shqiptarë, të cilët ata e kanë merituar prej kohësh dhe e meritojnë plotësisht dhe sot.
Pra, e enjtja është një ditë prove për të vërtetën e këtij premtimi dhe unë i garantoj shqiptarët se të gjithë votat tona do shkojnë për ligjin e rritjes së rrogave dhe pensioneve.
Faleminderit shumë!

SHKARKO APP