Berisha:Shtëpia e gjetheve, si gjethe tjetër e fikut, e Edvin Kristaq Ramës!

 

SHQIPERIA VENDI I VETEM KU NEO-BLLOKMENET JANE NE PUSHTET!

Në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër ish-komunist, në pushtet erdhen bijtë e bllokmenëve hoxhist, të cilët për 45 vjet me rradhë kryen krime monstruoze kundër njerëzimit dhe genocide ndaj popullit shqiptar. Me këtë shpjegohet fakti i hidhur se si, gjatë gjithë vitit që kaloi, Edvin Kristaq Rama, njeriu qe me 15 janar te vitit 1991 bente thirrje ne miting publik per te varur ne shtylla tensioni cdo komunist perfshi dhe te atin e tij, festoi vitin e 70-vjetorit të çlirimit nga pushtimi nazifashist bazuar ne kushtrimin e te pareve,ADN-në e tij politike, me protrete te diktatorit Enver Hoxha. Rikujtoj këtu se në këto 25 vite, pra nga rënia e Murit të Berlinit gjer sot, në asnjë vend, absolutisht në asnjë rast, forca politike të majta në pushtet nuk kanë bërë kurrë asnjë hap për rehabilitimin e diktatorëve të regjimeve të tyre komuniste. Në asnjë rast pas rënies së Murit të Berlinit qeveritë e vendeve ish komuniste nuk kanë rehabilituar Stalinin, Kadarin, Zhvikovin, Gomulken, Jaruzelskin, Novotnije apo Svoboda. Kurse Rama, aq i etur ishte për rehabilitimin e Enver Hoxhe, atit të tij shpirteror saqë javën e parë të ardhjes së tij në pushtet, shpalli si përparësi të tij rindërtimin e vilës dhe piramidës së diktatorit gjakësor. Më pas, në këtë kuader, ai çeli siparin e festimeve të 70 vjetorit të clirimit të vendit nga pushtimi nazi-fashist me shfaqjen dhe praninë e portreteve të diktatorit më mizor dhe armikut më të egër të kombit shqiptar, Enver Hoxha, në ceremonine zyrtare të organizuar tek varrezat e dëshmorëve, me 28 Nentor të vitit 2013. Për të provuar qëllimin e tij të rehabilitimit të diktatorit Hoxha, në përvjetorin e çlirimit, Rama shpërndau atë ditë krenarisht, me facebook-un personal, në mbarë botën fotot e Enverit të tij, të ndaluara me ligj. Rama vazhdoi kremtimet me portrerte te Hitlerit shqiptar të Pasluftës dhe adaptoi qendrimet, trillimet hoxhiste per Luften. Reagimit dhe dënimit të këtij akti nga opozita, qytetarët, partnerët dhe miqtë tanë, Rama iu përgjigj i palëkundur në qëndrimin dhe në vendimin e tij, duke kurorëzuar rehabilitimin e atit të tij shpirtëror, me inagurimin pak muaj më parë, të muzeut shtetëror të diktatorit Hoxha, në bunkerin e Shtabit të Përgjithshëm, për kohë lufte. Në nismën e muzeut, krahas realizimit të qëllimit politik, anakronik e pervers, Rama ndau me Bolinon e tij, shuma të mëdha të takspaguesve shqiptarë.

SHTEPIA E GJETHEVE SI GJETHJA E RE E FIKUT!

Pak javë më parë, për të zbehur apo maskuar përkatësinë e tij, si pinjoll i bllokut hoxhist dhe admirimin e tij, tashmë të njohur për Enver Hoxhën, Rama ju paraqiti shqiptarëve, si gjethen e tij të fikut, projektin kthimit në muze të shtëpisë me “gjethe” apo shtëpisë së aparaturave të përgjimit, që nga koha e Sigurimit të Shtetit. Mediat njoftuan se, për këtë qëllim, janë caktuar 1.2 milionë Euro, shumë kjo me të cilën, lirshëm mund të ndërtohen nga themelet tre ndërtesa, vila, sa shtëpia me “gjethe”. Asgjë nuk dihet për këto fonde, cili është Bolinua që do t’i ndajë ato me Ramën, le ta shohim. Dihet vetëm se në fjalën e tij Rama njoftoi për vjedhjen tjetër të rradhës që ka përgatitur, atë me muzeun e “Vrimave”, siç quajti ai sistemin e tuneleve nëntokësore të Tiranës. Por, ky nuk është qëllimi i shkrimit. Qëllimi është diku tjetër.

RAMA DHE HONECKER!

Në fjalën e inagurimit të gjethes së tij të fikut, Rama, i mërrolur dhe trishtuar në fytyrë para të pranishmëve, foli për një film që tregonte vuajtjet dhe persekutimin e një njeriu në diktaturën e Honeckerit, despotit të Gjermanisë Lindore. Ai nuk mundi të paraqiste raste konkrete, shumë më tragjikë, nga diktatura hoxhiste. Po, pse Rama zgjodhi diktaturën e Honeckerit për të ilistruar kalvarin e diktaturës komuniste, nuk është e qartë. Një mik i imi i huaj, që ishte i pranishëm në ngjarje, më shkruan se, zgjedhjen e Honeckerit, Rama e bëri për tëpasuruar biografinë e tij që ka filluar të hulumtojë, të shkruajë me pasion, një admirues i thekur i Ramës, diplomat i huaj te cilin do ta botoje se shpejti me titullin "Rama. Valesa i Shqiperise". Por pavarësisht nga shkaku që shtyu Edvinin për të zgjedhur shembullin prekës në arkivat e Honeckerit, diktatorit të Gjermanisë Lindore, e vërteta është se, Bashkimi Demokratik Europian, në pranverë të vitit 1991, në deklaratën e Samitit të Parisit, quajti Enverin dhe jo Honeckerin, si Hitlerin e Pasluftës.

RAMA DENON SISTEMIN KOMUNIST, POR SUI GENERIS!

Në të vërtetë, Rama nuk mund të merrte rast të veçantë konkretë nga diktatura Hoxhiste sepse, ai dhe në tërësi çunat e bllokut, në këtë rast e kam fjalën për ata që dënojnë sistemin komunist, nuk flasin dot kurrë për raste konkrete, për viktima konkretë të etërve të tyre. Rama dhe neobllokmenët kanë një dënim sui generis për regjimin e etërve të tyre.Ata vërtetë e dënojnë komunizmin si sistem, por e dënojnë si sistemin e fajeve pa fajtor, dënojnë krimet e tij në tërësi por si krime jetime pa autor. Këta, në takime private dhe publike, diktaturën e konsiderojnë shtet, madje sipas Ramës, por edhe Ngjelës që ka kaluar vite të tëra në burg, merita kryesore e Enver Hoxhës është se ai ndërtoi shtet. Ata, sigurisht e dinë se shteti që ndërtoi Enver Hoxha, ishte forma më e egëre diktaturës që Europa ka njohur ndonjëherë, ishte shteti që shpalli armiq aleatët e lirisë së shqiptarëve por kjo, për ata ka pak rëndësi, sepse në fund të fundit shteti i Enverit ishte shteti i ADN së tyre politike. Ky qëndrim dhe vlerësim i tyre për Enver Hoxhën që “ndërtoi shtet” për të ekzekutuar, torturuar, burgosur, internuar dhjetra mijëra shqiptarë për bindjet politike dhe për të vdekur nga uria dhe sëmundjet qindra mijëra të tjerë, dëshmon se neo-bllokmenët edhe në dënimin e sistemit të diktaturës, janë zemërthyer dhe e bëjnë atë sa për të thënë. Rama dhe neo-bllokmenët, si ato që janë bashkuar rreth tij në kupolën e PS, pra djemtë dhe vajzat e ish bllokmeneve Bushatit, Gjonit, Kolekës, Gegpriftit, Fugës, Beqës, Pezës, Shamkut, Stefanit por edhe ato të tjerët që kanë njohur në fëmijëri apo rini, rënien nga kali të etërve të tyre dhe burgosjen e persekutimin e egër të padrejtë si Lubonja, Shehu, Ngjela, etj., dallojnë shumë nga njëri-tjetri, jo në një por në disa aspekte. Megjithëkëtë, ata janë në unison, kur vjen puna tek qëndrimi ndaj krimit konkret dhe mizorë të etërve të tyre. Ata të gjithë, pa përjashtim, heshtin dhe me heshtjen e tyre duket se i mbrojnë ato krime ose së paku, heshtja ndaj tyre i akuzon ata. Ata asnjëherë nuk dënojnë etërit e tyre për krime konkrete, për arrestime, internime, burgosje, ekzekutime, varje të njerëzve, burrave, grave, femijëve, intelektualëve, të veçantë, njëlloj sikur ata të mos kenë ekzistuar ndonjëherë si qënie njerëzore, si nëna, baballarë, vëllezër, motra, bijë e bija të dikujt por thjesht si statistikë, pra jo si të veçantë, si individë por thjeshtë si të përgjithshëm, si numra dhe përqindje.

Ky qëndrim i tyre më rikujton Remarkun që shkruan se: “kur thuhet që vdiqën një milion, qyteti harron njerëzit dhe merret me milionin”, dhe neo-bllokimenët harrojnë viktimën konkrete dhe merren me statistika.

Kështu, të keqen e përgjithshme të diktaturës Rama e pranon, sepse ajo është pa gojë apo statistikë dhe flet vetëm me numra dhe përqindje, kurse të keqen e veçantë, krimin ndaj individit që flet me dhimbje,vuajtje të drejta themelore të mohuara, me lotë, tortura, sëmundje, vite rinie dhe vite jete të rrëmbyera, jetë të këputura, ai nuk mund ta pranojë sepse, me sa duket, për shkak të ADN-së, të mjedisit politik, që e kamëkuar që kur ka bëlbëzuar, ai mbetet perjetësisht me etërit e tij biologjik dhe politik, dhe jo me viktimat e tyre të pafajshme.

Edvini dhe çunat e bllokut nuk e shqipërojnë dot emrin e viktimës të babait të tyre në asnjë rast, edhe kur i dinë me emra konkretë viktimat, njerëz të pafajshëm që etërit e tyre, kanë pushkatuar me dorën e tyre, apo kanë firmosur në Byronë Politike, për ekzekutimin, siç është rasti i 27 intelektualëve shqiptarë të shkolluar në perëndim, dy ditë para se të montohej procesi farsë gjyqësor ndaj tyre.

Rama dhe neo-bllokmenët, nuk shqipërojnë emrin e një vitkime të veçantë të etërve të tyre edhe kur dinë qytetarë konkret me emer dhe mbiemer, për të cilët babai i tyre ka firmosur, në postin e anëtarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, për të mos iu falur jetën por për t’ivarur, për t’i pushkatuar dhe jo një apo dy, por mijëra dhe mijëra njerëz të pafajshëm, madje kjo edhe pas rënies së Murit të Berlinit.

Rama dhe neo-bllokmenët nuk shqipërojnë dot emra të viktimave konkretë dhe nuk e kanë bërë këtë për asnjërën prej dhjetra, mijëra fëmijë, gra, burra, të rinj, të reja, të burgosur, internuar me firmën e tyre.Atyre, emri i viktimes se veçantë, ju mbetet gjithnjë në fyt. Dhe kjo, sëpari, sepse për ata, të veçantët, jo statistikorë, ose vazhdojnë të mbahen si armiq që kanë merituar atë që morën ose, sepse sipas tyre, të veçantët, individët nuk ekzistojnë.

Së dyti, ata nuk mund ta bënin kurrë këtë për individin e pushkatuar me dorën mizore të babait, të varur me firmën e zezë po të babait, sepse po të bëjnë këtë, atyre do t’u duhet t’i kërkojnë ndjesë, privatisht apo publikisht, fëmijëve që u rritën jetimë apo në mjerim, familjes apo familjarëve të viktimave konkretë të etërve të tij. Mirëpo Rama dhe neobllokmenët të mbrujtur dhe mëkuar gjer thellë në shpirt me ndarjen “ne” dhe “ata”, me sa duket ende nuk janë të bindur se duhet të kërkojnëndjesë, ose më saktë ndjesa e tyre për “ata” nuk ekziston.

Rama dhe çunat e bllokut, që në fillimet më të hershme të memories sëtyre, janë mëkuar edukuar se “ata” janë armiq klase, janë të ligj, dhe për t’u urryer, burgosur, internuar, madje edhe pushkatuar, për të shpëtuar prej tyre.

PER EDVININ, BARBARIA HOXHISTE ISHTE THJESHT REVOLUCION QE HENGRI BIJTE E VETE DHE JO BARBARI MBI NJE POPULL TE MJERE!

Në fjalën e tij, në inaugurimin e gjethes së fikut, Rama dëshmoi se keqardhja, dhimbja e tij më e madhe nuk ishte vuajtja, kalvari i egër i torturave ç’njerëzore, vrasjeve, pushkatimeve pa gjyqe apo me gjyqe fallco, vdekjeve në burgje nga sëmundje pa ndihmë mjekësore i dhjetra mijëra shqiptarëve që ishin torturuar, ekzekutuar, burgosur apo internuar nga policia sekrete hoxhiste. Por problemi i tij madhor me kalvarin e egër hoxhist, ishin bllokmenët e ekzekutuar, familjet e tyre të persekutuara nga diktatori dhe bashkëpunëtorët e tij në pushtet, ndër tëcilët edhe vet Kristaq Rama. Pra, për Ramën, sot parësore është paqja brenda sojit të bllokut dhe jo ajo me shoqërinë.

Bash për këtë arsye ai, për të stigmatizuar si revolucion të shkuarën, nëprani të Bashkim Shehut që kishte në krah dhe, si për ta ngushëlluar këtëtë fundit i cili, mbas vrasjes së të jatit kryeministër, ishte syrgjynosur apo burgosur, padrejtësisht dhe për motive politike, pikërisht kur i ati i Ramës ishte më i pushtetshëm se kurrë. Edvini, vetëm pak kohë më parë, barbarinë e etërve të tij e quajti revolucion, siç e quan sot edhe vetëzonja e zezë e diktatorit, Nexhmije Hoxha. Në fjalën e tij, duke ia ngulur sytë B. Shehut që kishte në krahë, Rama u shpreh se: “këtu është shembulli se si revolucioni ha bijtë e tij”. Rama tha këtu një të vërtetë tëpjesshme. Është e vërtetë, regjimi hoxhist, si çdo regjim tjetër diktatorial, eliminoi eksponentë të vet për të konsoliduar pushtetin e diktatorit. Por, Rama përdori këtë të vërtetë për të mbuluar barbarinë e madhe të regjimit të etërve të tij, ekzekutimin, torturën, burgosjen, internimin, shtypjen e egër të qindra mijëra qytetarëve, burrave, grave, fëmijëve, të rejave e të rinjve. Pikërisht për të mbuluar këtë kalvar tëegër, që Bernard Henry Levie, ky filozof i të majtës e quan barbari,Rama, diktaturën komuniste hoxhiste, për ta pudrosur, e quan revolucion.

NDJESA E RAMES ESHTE THJESHT NDJESE PER BLLOKMENET!

Nga fjala e Ramës në inagurimin e gjethes së tij te re te fikut, del se preokupimi më madhor i tij është paqja me çunat e tjerë të bllokut: Bashkim Shehun, Ngjelën, Lubonjën, etj., etërit e të cilëve “revolucioni” i hëngri si bijtë e tij. Kurse ata, çunat, u persekutuan padrejtësisht dhe egërsisht nga rregjimi, në kohën që Rama vetë lustronte, me pasion të çmendur, bustet, shtatoret e diktatorit që skaliste i ati skultptor, apo bënte skicat për kopertinën e revistës së Sigurimit të Shtetit, ose kalonte orë të tëra i mbështetur, pas murit të muzeut, me një tufë lule në dorë, në gjëndje amoku, vetëm e vetëm se si të ishte më pranë diktatorit!

Pra, Rama dënon regjimin barbar hoxhist, duke e quajtur atë revolucion që hëngri bijtë e tij, sepse pushkatoi si kundërshtarë politikë, eksponentë kryesorë të tij, të cilët vërtetë u ekzekutuan si armiq dhe kundërshtarë të diktatorit. Mirëpo është po kaq e vërtetë se, ne tërësi këto viktima, kishin kryer gjatë kohës së tyre në pushtet, krime monstruoze kundër njerëzimit, genocid të vërtetë ndaj shqiptarëve. Rama nuk e dënon regjimin e Enver Hoxhës që me barbarinë e tij ekzekutoi, burgosi, internoi dy herë më shumë burra, gra, të rinj, fëmijë, pleq, të moshuar, se sa të gjitha diktaturat tjera lindore, të marra së bashku, përveç Bashkimit Sovjetik. Edvini, që kaloi fëmijërinë dhe rininë e tij në parajsën tokësore të bllokut, ku nuk mungonte as dhe qumështi i dallëndyshes, nuk dënon regjimin hoxhist për shndërrimin, nëpërmjet hiperkolektivizmit, të mbi 70% të popullsisë së vendit në skllevër, mijëra dhe mijëra prej të cilëve vdiqën nga uria kronike dhe sëmundjet e saj, si në asnjë vend tjetër të Europës komuniste! Ai e dënon atë pse ai hëngri bashkëpunëtorët e diktatorit!

Brenga e Edvinit, për aq sa ai mund të brengoset, ishte pra për këta “ne” që u bënë padrejtësisht “ata”, për këto viktima të sojit të vet, që i hëngri revolucioni ndonese shumica e tyre kishin qenë xhelatë të vërtetë të shqiptarëve. Edhe kjo është dhimbje, mëshirë, por ama e neo-bllokmenëve për neobllokmenët dhe jo për qindra, mijëra viktima të etërve të tyre, të cilat nuk i patën kurrë duart e tyre të lyera me gjak, por përkundrazi, u ekzekutuan apo vdiqën për liritë dhe vlerat që gëzojmë dhe mbrojmë ne sot, apo që vdiqën urie nëpër kooperativat dhe fermat e tij hiperkolektiviste. Ky qëndrim, natyrisht, ka shkaqe të thella:

PER RAMEN, KRISTAQI, I ATI, ESHTE I PAFAJSHEM!

I ati i Edvinit, skulptori Kristaq Rama, si anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, me votën dhe firmën e tij, për vite të tëra, ka marrë pjesë në genocidin njerëzor dhe kulturor të rregjimit Hoxhist. Ai kafirmosur, krahas diktatorit Ramiz Alia, jo burgosjen por ekzekutimin, varjen publike, të dhjetra e dhjetra qytetarëve të pafajshëm, dhe kjo, jo në vitet ’50 apo ’60, por në fund të viteve ’80, madje edhe pas rënies së Murit të Berlinit.

Skulptori Kristaq Rama qëndroi, gjer ditën e fundit, në krahë të Ramiz Alisë, madje edhe në vitin 1990, vit në të cilin regjimi i tyre pushkatoinë kufij qindra të reja dhe të rinj (në regjistrin zyrtarë janë 96 vetë) dhe zvarriti, për terror psikologjik të popllatës, trupat e të ekzekutuarve në Shkodër, Sarandë. Të gjitha këto, për fajin e vetëm se kërkonin të kalonin kufirin, mbasi ishte hequr nga Kodi Penal kalimi i kufirit si krimi tradhëtisë ndaj vendit. Rama, diku thotë se ai i kishte sharë të jatit Ramizin dhe unë edhe e besoj, por problemi i Ramës duhet të ishte dhe i ati që qëndroi në krahë dhe besnik i Ramizit gjer në fund bashkëpunëtor, edhe në krime kundër njerëzimit.

Edi Rama nuk përmend dot emra të përvetçëm, sepse i ati i tij,bashkëpunëtor i ngushtë i Nexhmie Hoxhës dhe Ramiz Alisë, ishte bashkautor në genocidin kulturor, në të cilin u shkatërruan mijëra e mijëra kisha, xhami, teqe, prej tyre dhe më të vjetrat e rajonit.

Rama nuk flet dot për krime konkrete të babait dhe bllokmenëve të tjerëhoxhistë, sepse dajua i tij, me saktë xhaxhai i nënës së tij, famëziu Spiro Koleka, ishte për 45 vjet diktaturë, xhelat i vërtetë i inteligjencës teknike.

ME MIRE VONE SE KURRE!

Rama nuk kërkon ndjesë mbasi, në archeotipin e tij psiqik, ajo me sa duket nuk ekziston. Rama nuk kërkon ndjese, sepse ai u rrit si femije i bllokut dhe si i ri i bllokut ai, piktor dështak, nisi karrierën artistike duke ilustruar, me skicat e tij, revistën e Sigurimit të Shtetit. Por, një fjalë e urtë thotë: “më mirë vonë se kurrë”.

Sot është rasti t’i themi Edi Ramës se, në rast se do të ndahesh nga e shkuara jote e bllokmenit, merr inisiativën dhe bëhu i pari pinjoll i bllokut famëkeq hoxhist, që kërkon ndjesë dhe dënon krimet konkrete të babait tënd i cili, si anëtarë i Presidiumit të Kuvendit Popullor, ka firmosur me Ramiz Alinë per krime jo do si do por per krime te mirfillta kundër njerëzimit.Une mendoj se Rama duhet të kerkoj ndjesë publike familjes së Havzi Nelës e të vendos një buqetë me lule te shtatorja e tij sepse, babai i tij, si anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, ka firmosur varjen publike, pas rënies së Murit të Berlinit, të poetit disident, ndërkohë që ai kishte në dorë që, po me Ramiz Alinë, t’i falte jetën atij. Unë nuk i sygjerojë të kërkojë falje për krimet në tërësi të babait apo dajos së tij, por të kërkojë të falur vetëm për ato që Karl Jaspers, në doktrinën e fajit, i quan faj kriminal (criminal guilt) të babait tuaj. Në këtë doktrinë, ty të takon të kërkosh të falur për të gjithë ata qytetarë të tjerë, emër për emër, për pushkatimin e të cilëve Kristaqi firmosi, së bashku me Ramizin, me gjakftohtësi kriminale dhe që në të gjitha konventat, janë krime kundër njerëzimit.

Rama duhet të dënojë të atin dhe t’i kërkojë të falur familjes Popa, për qëndrimin që mbajti Kristaqi ndaj tyre, si i dërguar i Nexhmie Hoxhës dhe Ramiz Alisë, për të negociuar me ambasadën italiane për nxjerrjen e tyre nga ambasada, ndërkohë që ato po sakrifikonin për të ndezur dritën e lirisë në ndërgjegjën e shqiptarëve.

Rama duhet të kërkojë të falur për pjesëmarrjen aktive të babait të tij në genocidin kulturor të rregjimit hoxhist ndaj besimeve fetare, institucioneve të tyre të kultit, bashkautor i të cilit ai me Ramiz Alinë kanë qenë.

Rama duhet të dënojë dajon e tij, Spiro Koleka, anëtarit më kohëgjatë në Byronë Politikë të diktaturës, i cili ishte xhelat i vërtetë i inteligjencës teknike shqiptare, që nga ekzekutimet në Kënetën e Maliqit, ekzekutimin e Prof. Zuberit, si dhe të dhjetra e qindra intelektualëve të tjerë, shqiptarë dhe të huaj. Rama duhet të kërkojë falje për thirrjet e dajos së tij, Spiro Koleka, për të futur tanket, në dhjetor të vitit ’90, studentëve dhe intelektualëve në protestë, ndërkohë që Edvinin e kishte dërguar në Korfuz për strehim.

 

RAMA DHE NEO-BLLOKMENET, SKLLAVE TE ADN-se, SE TYRE POLITIKE

Pavarësisht nga kjo thirrje drejtuar Ramës për të kërkuar ndjesë dhe për të dënuar krimet konkrete të të atit, kam bindjen se ADN politike e tij nuk e lejon të bëjë këtë akt njerëzor. Të kërkosh, të gjesh ndjesë apo falje tek Edi Rama, është njëlloj si të kërkosh eskimez autokton në shkretëtire. Ai është skllav i ADN së tij politike:

ADN-ja politike e Ramës dhe neo-bllokmenëve që qeverisin sot vendin e shënon në një farë mënyre rikthimin e “geneve” të udheheqjes së PPSH-së-së në krye të PS-së në pushtet. Pikërisht me këtë ADN politike hoxhiste në këtë farë të së keqes, qëndrojnë:

– Përdorimi nga Edi Rama, për të ardhur në pushtet, i megamashtrimeve të padëgjuara ndonjëherë, që nga koha e diktaturës, kur bllokmenët hoxhistë u premtonin qytetarëve lugën e artë dhe pothuaj parajsën tokësore.

– Rehabilitimi i diktatorit Enver Hoxha që vendosi mbi shqiptarët shtypjen më të egër, izolimin më të thellë, hiperkolektivizimin më total, barbarinë, që me Kushtetutë vendosi dënim kapital për liritë dhe të drejtat e njeriut.

– Qëndrimi tipik enverist ndaj luftës në 70-vjetorin e Çlirmit, nëtë cilën në vend të një përpjekjeje për rivlerësim tërësor tëkontributeve të të gjitha palëve dhe të dënimit , pa hezitim të vëllavrasjes që nxiti Enver Hoxha, të vlerësimit me mirënjohje të thellë të kontributit të aleatëve të tërësi dhe Britaninë e Madhe në veçanti, Rama dhe neobllokmenët ripërsëritën në këtë 70-vjetor, pa hequr asnjë presje, qëndrimet atërore ndaj luftës, madje ai nuk harroi të tallet me cinizëm, me ndihmat e aleatëve, duke cituar direkt trillimin e Enver Hoxhës, talljen cinike që ai u bëri këtyre ndihmave me parashikimin e këpucëve të të njëjtës këmbë.

– Prishjen e simbolit të dy gishtërinjve në Kavajë, si hakmarrje për përmbysjen e kastës së diktatorit.

– Zëvendësimi me shpejtësi i shtetit ligjor me shtetin policor, ligjeve, Kushtetutës së vendit me vendimet e kreut të ekzekutivit.

– Ndalimi dhe arrestimi në kuadrin e shtetit policor, në një vit, i 38 mijë qytetarëve, vetëm 300 më pak se sa në vitin e arrestimeve kulmore të regjimit të etërve të tij;

– Shndërrimi i Shqipërisë në vendin kampion në Europë për numërin e të paraburgosurve dhe vendin që aktualisht ka më shumë të paraburgosur se sa Siria dhe Iraku;

– Shndërrimi i burgjeve të vendit në qendra torturash fizike dhe psikologjike çnjerëzore, në qelitë e të cilave futen edhe 20 qytetarë, burgje në të cilat të burgosurit varin veten sepse lihen pa ilaçe;

– Lidhjet e tmershme të neo-bllokmeneve me krimin, kesaj radhe jo me krimin politik të etërve por me krimin ordiner, trafiqet që u japin siguri dhe pasuri të pafund.

Si perfundim Edi Rama dhe neo-bllokmenet e tij drejtojne Shqiperine bazuar ne kodin, ADN e tyre politike. Ndaj dhe Shqiperia ne rast se ne do te qendrojme indiferent po ecen drejtë destabilizimit të sigurt dhe të pa merituar!! sb

SHKARKO APP