Besim Fagu dekorohet në 90-vjetorin e lindjes

Me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Besim Fagut, sportistit të mirënjohur, krijuesit dhe drejtuesit për disa dekada të Klubit Sportiv “Partizani”, në sallën e auditoriumit të Ministrisë së Mbrojtjes u zhvillua një ceremoni përkujtimore. Ishin të pranishëm:  ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, zv.ministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, sportistë të shquar të të gjithë llojeve të sporteve jo vetëm të ish- Klubit “Partizani”, por edhe të klubeve të tjerë sportiv të vendit tonë, familjarë dhe të afërm të mirënjohurit Besim Fagu etj.

Ministrja e Mbrojtjes Kodheli, duke iu drejtuar të pranishmëve dhe veçanërisht bashkëshortes dhe fëmijëve të Besim Fagut, theksoi se është një kënaqësi e veçantë për mua që jemi mbledhur sot në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes për të kujtuar një nga gjigantët e sportit shqiptar, themeluesin e Klubit “Partizani”, të nderuarin Besim Fagu. Dhe kur shoh gjithë këto personalitete të shquara të sportit tonë, që janë sot të pranishëm në këtë ceremoni modeste, më vijnë para syve emocionet e fëmijërisë dhe rinisë, ku të gjithë ju, së bashku me të paharruarin Besim Fagu, ishit idhujt, mësuesit dhe shembujt për t’u ndjekur. “Ka shumë e shumë personalitete të sportit të cilët kanë kujtime të lidhura me punën dhe përpjekjet e Besim Fagut, por për mua, si vajzë e këtij qyteti të mrekullueshëm, ai ka qenë babi i Afërditës, i Gimit dhe i Benit, por dhe një personazh që krijonte respekt pa folur asnjë fjalë”, është shprehur znj. Kodheli.

Më tej, duke u ndalur në meritat e këtij personaliteti të sportit shqiptar, ministrja Kodheli tha: “A mund të ketë histori më të bukur se ajo e tre djemve tironas, Fagu-Demneri-Bylyku, të cilët themeluan në vitin 1946 Klubin Sportiv “Partizani”, atë që do të bëhej rivali më i madh i bardhë e bluve të Tironës?! Entuziazmi i atyre viteve, me dëshirën për të krijuar mrekullira nga hiçi, është me të vërtetë për t’u admiruar”. Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat tona të Armatosura respektojnë kujtimin e personaliteteve të tilla si Besim Fagu, që krijuan për radhët e ushtarakëve shqiptarë, një strukturë profesioniste sportive. Ishte Besim Fagu dhe shokët e tij që e bënë Klubin “Partizani” një organizëm elitë të sportit dhe fizkulturës në Shqipëri. “Partizani” ka qenë një shkollë e jetës për shumë e shumë breza të shquar ushtarakësh e sportistësh. Shumë yje kanë dalë nga aty dhe shumë prej jush këtu, jeni produkt i Klubit “Partizani. “Si ministre e Mbrojtjes, e kam detyrim moral dhe institucional të respektoj figura të ndritura si ajo e Besim Fagut. Ju faleminderit të gjithëve për praninë!”, përfundoi fjalën e saj ministrja Kodheli.

Më pas ministrja Kodheli i ka dorëzuar bashkëshortes së të paharruarit Besim Fagu, znj. Hajdije Fagu, medaljen “Për Shërbime të Shquara” akorduar për këtë figurë të shquar, me këtë motivacion: “Për kontributin e dhënë në zhvillimin e lëvizjes fizkulturore sportive, përgatitjes fizike të Forcave të Armatosura, si dhe themelues i Klubit Sportiv “Partizani”.

Në vijim gjeneral lejtënant (R) Rahaman Perllaku, në fjalën e tij vlerësoi lart figurën e Besim Fagut si një sportist i shquar dhe krijues i Klubit Sportiv “Partizani” dhe lëvizjes sportive në ushtri. Ndërsa i biri i tij, ish-basketbollisti elitar i “Partizanit” dhe i kombëtares, Agim Fagu, solli kujtime nga jeta e Besim Fagut dhe meritat e mëdha që ka lënë në historinë e Klubi Sportiv “Partizani”.

Besim Fagu lindi në qytetin e Tiranës në vitin 1925 dhe vdiq në vitin 1999. Fill pas luftës, ku ai ishte inkuadruar partizan, u lidh përjetësisht me ushtrinë dhe sportin. Ai është padyshim një nga lojtarët e rrallë jo vetëm në Shqipëri, por edhe më tej për numrin e madh të kampionateve të fituara me një skuadër. Besimi ka luajtur për klubin e kuq për 12 vite rresht. Mbrojtësi shtatlartë i “Partizanit” do ta mbyllte karrierën e tij të suksesshme me tre tituj rresht në 1957, 1958 dhe 1959, duke e çuar në shtatë numrin e trofeve me “Partizanin”. Gjatë kësaj periudhe, përveç shtatë titujve, Besim Fagu ngriti edhe katër herë Kupën e Shqipërisë. Gjithashtu Besim Fagu ka qenë pjesë e trofeut të vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë pasi fitoi Kupën Ballkanike me kombëtaren në 1946. Ai është themeluesi dhe drejtuesi për shumë vite i Klubit Sportiv “Partizani”, një ndër klubet më me emër në historinë e sportit shqiptar.

 

SHKARKO APP