Besimtarët e krishterë kremtojnë lindjen e Krishtit

Të krishterët në mbarë botën festojnë Krishtlindjen. Qindra besimtarë katolikë u mblodhën në mesnatë në katedralen e “Shën Palit” në kryeqytet, për të kremtuar këtë moment të rëndësishëm në kalendarin kristian. 

Mesha e shenjtë e Krishtlindjes u mbajt nga Imzot Rrok Mirdita, Arkipeshkvi Metropolit i Dioqezës Tiranë-Durrës. Katedralja e Shën Palit në Tiranë u mbipopullua nga besimtarët. Jashtë saj, ata kanë pritur në radhë për të bërë ritualet. 

Ndërkohë, mesha në Kishën Ortodokse u mbajt në orët e para të ditës së sotme. 

Me rastin e festës së Krishtlindjeve, drejtuesit e Kishës Ortodokse, asaj Katolike si dhe Vëllazërisë Ungjillore shqiptare uruan besimtarët. 

Në mesazhet e tyre, përfaqësuesit e komuniteteve fetare apeluan që të gjithë të kontribuojnë për bashkëjetesën dhe paqen. 

Anastas Janullatos: Le të kremtojmë Krishtlindjen duke marrë frymëzim, besim dhe shpresë për kapërcimin e problemeve tona, personale e sociale. Gëzuar Krishtlindjen! 

Imzot Rrok Mirdita: Shumë të dashur vëllezër e motra, secili nga ju e ka ndezur një qiri për t’ju mbushur me gëzim dhe për t’ju udhëhequr drejt takimit me Krishtin. Ai ndriçoftë sot e përgjithmonë jetën tuaj dhe të familjeve tuaja. Për shumë vjet Krishtlindjet dhe gëzuar Vitin e Ri 2015! 

Ali Kurti, kryetar i Vëllazërisë Ungjillore: Në emër të Vëllazërisë Ungjillore përshëndes të krishterët ungjillorë, gjithë të krishterët dhe shqiptarët kudo që ndodhen. Gëzuar! Mesazhi i Krishtlindjes është një mesazh për Perëndinë, për Jezu Krishtin, për mirëkuptimin, faljen dhe shpresën. 

SHKARKO APP