Besmir Kola në krye të Shërbimit të Provës, ministri Gogu: Rritje e efikasitetit të institucionit
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu prezantoi këtë të martë Besmir Kolën në krye të Shërbimit të Provës, pas përfundimit të drejtimit të këtij institucioni nga Irma Bime. Gogu u shpreh se forcimi i Shërbimit të Provës mbetet një prioritet në kuadër të ndërtimit të një drejtësie që garanton zbatimin e ligjit, por edhe krijon mundësi për rehabilitim dhe riintegrim të personave të gatshëm për të ndryshuar.
Sipas ministrit, ndryshimi i drejtimit të institucionit nuk ndryshon misionin dhe përgjegjësinë e tij, që lidhen me mbështetjen e rehabilitimit, riintegrimit dhe forcimin e sigurisë publike. “Një drejtësi e fortë nuk matet vetëm me zbatimin e ligjit, por edhe me aftësinë për t’i dhënë një mundësi të dytë atyre që janë të gatshëm të ndryshojnë”, u shpreh ministri Gogu.
Ai theksoi se Shërbimi i Provës ka një rol të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë, duke kontribuar në parandalimin e përsëritjes së veprave penale, në përfshirjen sociale të individëve dhe në rritjen e besimit të qytetarëve te institucionet e drejtësisë. Ministri nënvizoi angazhimin për vijimin e forcimit institucional të Shërbimit të Provës, me synim rritjen e efektivitetit të tij në shërbim të rehabilitimit dhe sigurisë së komunitetit.
KOHA JONË SONDAZH

