Besnik Mustafaj: Berisha dhe Topalli duhet të jenë në listën e PD për deputetë

Besnik Mustafaj, ish-ministër i PD dhe anëtar i Komisioni të Vlerësimit të kandidatëve për deputetë, thotë se Sali Berisha duhet të jetë në listën e Partisë Demokratike. Një intervistë për “News 24”, Mustafaj shprehet se Berisha ka merita jo vetëm si ish-drejtues i PD, por edhe për aktivitetin si deputet opozitar këto vite në parlament.

“Unë jam një nga kritikët e Sali Berishës që më 2007. Por, në kohën që ai është në opozitë, Berisha ka dhënë kontribut të çmuar në opozitarizëm. Berisha denoncoi drogën, denoncoi një sërë skandalesh. Në këtë kuptim, Sali Berisha ka kontribut në Partinë Demokratike. Në cilësinë e Berishës si deputet, ai mund të themi ka kontribut.”,- thotë Musftaj.

Ish-ministri argumenton se në PD ka vend dhe për ata që janë të zëmëruar këto vite më opozitën. Një nga emrat që ai përmend në këtë grup është ai i Jozefina Topallit.

“Unë jam ndër të parët që kam kthyer disa figura sërish në PD. Unë besoj se të zemëruarit e ikur edhe mund të kthehen. Jozefina Topalli për shembull ka pasur kritika për PD, por është e lidhur me Partinë Demokratike. Ajo mund të jetë propozuar në Shkodër. Kur bashkëvepron eksperienca me të renë, besoj se bëhet diçka e mirë. Rama ka bashkëpunëtor figura që janë të reja, por janë një lloj klani le ta themi. Shoqëria ka eksperiencën për të gjykuar drejt programin tonë dhe kandidaturat”,- deklaron Besnik Mustafaj.

Qëndrimi i Besnik Mustafajt, një nga themeluesit dhe drejtuesit e Partisë Demokratike në vite, vjen pas deklaratave të ish-ministrit Genc Ruli, i cili deklaroi se Berisha duhet të tërhiqej vetë nga kandidimi për deputet. Në qëndrimin e tij, Mustafaj jep një vlerësim më racional për zhvillimet në opozitë duke theksuar se në PD ka vend për të gjithë ata sidomos për që kanë dhënë kontribute si Sali Berisha dhe Jozefina Topalli.

SHKARKO APP