Beteja në 7 bashkitë e fundit, Dako rrit kryesimin në 10 mijë vota

Edhe pse kanë kaluar më shumë se 30 orë nga mbyllja e procesit të votimit, në 7 bashki vazhdon ende numërimi i votave.

Në Tiranë janë numëruar më shumë se 95% e votave, por janë ende 37 kuti për t’u numëruar. Aktualisht vazhdon procesi i numërimit, megjithëse me ritme të ngadalta. Kandidati i kolalicionit të majtë, Erion Veliaj udhëheq bindshëm me rreth 41 mijë vota diferencë nga kandidati i APPD, Halim Kosova. Rreth 66% e votave janë numëruar në Bashkinë e Durrësit. Edhe këtu kandidati i ASHE, Vangjush Dako ka krijuar epërsi ndaj rivales Grida Duma, me diferencë rreth 10 mijë vota. Edhe në këtë bashki vazhdon të numërohet, por me ritme të ngadalta.

Një tjetër bashki e madhe ku ende nuk ka përfunduar numërimi është ajo e Shkodrës, ku procesi nisi vetëm gjatë mëngjesit të së hënës. Deri në orët e para të së martës janë numëruar rreth 45% e votave, ku kandidatja e APPD, Voltana Ademi ka marrë 27 mijë vota, ndërsa rivalja e saj, Keti Bazhdari ka marrë rreth 19 mijë të votave. Edhe këtu diferenca duket e madhe megjithëse ende nuk janë numëruar gjysma e kutive të votimit.

Në Bashkinë e Kamzës janë numëruar rreth 70% e votave dhe gara është vërtetë e ngushtë mes Xhelal Mziut të APPD dhe Safet Gjicit të ASHE. Kandidati aktual i bashkisë, Mziu kryeson me rreth 1300 vota. Në Berat kanë mbetur vetëm 16 kuti për tu numëruar, por ky proces është ndërprerë pak para mesnate dhe pritet të fillojë. Kandidati i ASHE, Petrit Sinaj kryeson me një diferencë prej 1600 votash ndaj Kasëm Mahmutaj të APPD-­së. Rreth 70% të votave janë numëruar edhe në Krujë, ku edhe këtu kryeson kandidati i së majtës Artur Bushi me rreth 2 mijë vota nga rivali Hamdi Pasha.

Një tjetër bashki ku procesi i numërimit ende nuk ka përfunduar, madje janë numëruar më pak se në çdo bashki tjetër, është Malësia e Madhe. Ku deri në orët e para të së martës janë numëruar rreth 44 përqind të vota dhe gara është shumë e ngushtë. Tonin Marinaj i ASHE kryeson me vetëm 329 vota. 

SHKARKO APP