BIRN: Kur dënohen “peshqit e mëdhenj” në Shqipëri? Zero të dënuar!

Në shtator 2015, pas një konference mbi luftën kundër korrupsionit që u zhvillua në Rumani, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë Adriatik Llalla, deklaroi se institucioni i tij kishte “nën hetim një numër të konsiderueshëm zyrtarësh, kryesisht të nivelit të lartë, që dyshohet se janë të përfshirë në veprat penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës”.

Deklarata e tij erdhi pas vizitës në Rumani, një vend që është bërë shembull pozitiv i luftës kundër korrupsionit, ku një agjenci e specializuar ka arritur të dënojë për korrupsion vetëm gjatë vitit 2014, 24 kryebashkiakë, pesë deputetë, dy ish-ministra, një ish-kryeministër dhe rreth 1 mijë zyrtarë të tjerë.

Kuvendi i Shqipërisë miratoi një ndryshim ligjor në verën e vitit 2015, ku i vendosi hetimet për veprat penale të korrupsionit të zyrtarëve të lartë nën juridiksionin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, me supozimin se një hetim më i specializuar do të sillte më shumë rezultat. Kryeprokurori Lalla deklaroi në atë rast se për këtë arsye, ai po shtonte kapacitetet njerëzore, “pasi numri i hetimeve për korrupsionin në nivele të larta po pëson një rritje të ndjeshme”.

Të martën Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se Lalla po e ristrukturonte njësinë Antikorrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda “për faktin se ngarkesa e kësaj njësie nuk ka qenë e lartë, pasi nuk ka pasur referime për korrupsionin në radhët e zyrtarëve të nivelit të lartë gjatë muajve të fundit nga institucionet e ngarkuara me ligj”.

arrest

Shkurt, as ndryshimi ligjor për vendosjen e hetimit të korrupsionit të zyrtarëve të lartë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe as njësia e specializuar Task Forcë, nuk sollën të dënuar.

Dënime të vogla

Qeveria shqiptare ka shprehur deri tani në mënyrë të përsëritur vullnetin e saj për të luftuar korrupsionin, duke krijuar portale dhe duke ftuar qytetarët ta denoncojnë korrupsionin. Psh. qeveria thotë se në një portal të hapur prej saj, stopkorrupsionit.al, ka marrë mbi 10 mijë denoncime nga qytetarët, denoncime që kanë prodhuar deri tani 92 masa disiplinore dhe 71 kallëzime penale.

Ministria e Brendshme ka hapur disa portale për të mbledhur denoncime, si Komisariati Dixhital, Denonco Korrupsionin etj.

Por të dhënat e siguruara nga BIRN përmes kërkesave për të drejtë informimi te Ministria e Drejtësisë, paraqesin një situatë më të zakonshme. Në Shqipëri, disa qindra njerëz në vit gjykohen për korrupsion, shumica dërrmuese e të cilëve janë, ose qytetarë që tentojnë të korruptojnë dikë, ose zyrtarë të vegjël dhe që, në tërësi, dënohen me më pak se 2 vjet burg.

Sipas të dhënave të raportuara nga Ministria e Drejtësisë, në vitin 2014 nëpër gjykatat e shkallës së parë, pati 242 të gjykuar për korrupsion dhe gjykatat kanë gjetur fajtorë 195 persona. Në periudhën nëntëmujore janar-shtator 2015, pati 287 të gjykuar dhe 190 të dënuar. Në krahasim me vitet e shkuara, ka një rritje të numrit të çështjeve dhe të dënimeve, por djalli duket se qëndron te detajet.

Ministria e Drejtësisë i kushton një kapitull të veçantë gjyqeve për “korrupsion” në raportet e saj vjetore. Si total, çështjet për korrupsion janë rritur, veçanërisht në vitin 2015. Por në këtë kategori, përfshihen vepra të ndryshme penale, përfshirë çështjet për korrupsion aktiv, d.m.th. rastet kur qytetarët tentojnë të korruptojnë zyrtarët dhe “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm”, sërish kur qytetarët ndikojnë zyrtarët.

Korrupsioni pasiv

E ndarë sipas veprave penale, rezultati nuk është shumë inkurajues. Disa vepra penale, veçanërisht ajo që dënon dhënien e ryshfetit nga qytetarët te zyrtarët, duket se janë më lehtë të dënueshme. Ndryshe nga vepra penale që dënon pranimin e ryshfetit nga zyrtarët.

Gjatë këtij viti, në gjykatat e shkallës së parë, për veprën penale të korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, (neni 259 i Kodit Penal), u dënuan 16 persona ndërsa në vitin 2014, qenë dënuar 17 persona. Situata nuk duket shumë e përmirësuar në krahasim me vitin 2013, kur qenë dënuar 19 persona apo me vitin 2012, kur për korrupsion pasiv qenë dënuar 15 persona. Ndryshe ka ndodhur me veprat penale të nenit 244, i cili dënon dhënien e ryshfeti nga qytetarët për te zyrtarët. Për këtë vepër penale, numri i dënimeve të dhëna nga gjykatat e faktit është katërfishuar, nga 10 të dënuar për të gjithë vitin 2014, në 41 të dënuar në vitin 2015.

Vepra tjetër penale që i përket qytetarëve është Ushtrimi i Ndikimit të Paligjshëm ndaj zyrtarëve, përcaktuar në nenin 245/1 të Kodit Penal. Për periudhën janar-shtator 2015, për këtë vepër penale janë dënuar 15 shtetas, nga 34 që qenë dënuar në vitin 2014 dhe 32 në vitin 2013.

Shpërdorimi i detyrës

Shumica dërrmuese e zyrtarëve që kanë kaluar nga sistemi i burgjeve janë dënuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës (neni 248). Në periudhën janar-shtator 2015 u dënuan për këtë vepër 115 zyrtarë, nga 124 që qenë dënuar në vitin 2014 dhe 84 në vitin 2013. Por gjykatat e Apelit duket se u treguan më të buta, pasi në vitin 2014, dënuan 53 nga 107 të akuzuar të sjellë për gjykim, duke shpallur të pafajshëm të tjerët. Edhe për këtë vepër penale nuk ka të dhëna për rezultatet e rekurseve në Gjykatë të Lartë.

Dënime të shkurtra

Sistemi i statistikave të drejtësisë që mblidhen nga Ministria e Drejtësisë nuk përcakton masën mesatare të dënimit të dhënë nga gjykatat por i ndan dënimet në kategori sipas kohëzgjatjes. Kategoritë janë: a) dënime me gjobë; b) dënime me deri 2 vjet burg; c) dënime me 2 deri në 5 vjet burg e me rradhë. Statistikat e Ministrisë për periudhën nëntëmujore janar-shtator – 2015, tregojnë se masa kryesore e dënimit ka qenë ajo me më pak se 2 vjet burg, me vetëm 3 raste të shpërdorimit të detyrës që janë dënuar me 2 deri në 5 vjet burg dhe me 2 raste të korrupsionit pasiv të dënuar gjithashtu me 2 deri në 5 vjet burg. Statistikat nuk lejojnë gjithashtu që të mund të shikohet se si ndryshon masa e dënimit nga gjykatat e shkallës së parë te gjykatat e apelit, ndërkohë që perceptimi i përgjithshëm është që apeli zakonisht jep dënime më të lehta se sa gjykatat e faktit. Dënimi me deri në 2 vjet burg është gjithashtu i çuditshëm, për shkak se neni 259 i Kodit Penal, i cili dënon korrupsionin pasiv të zyrtarëve, sanksionon masë dënimi nga 2 deri në 8 vjet burg. Dënimet e lehta për veprat penale të korrupsionit ranë në sy edhe të zyrtarëve të Brukselit, të cilët, në raportin e fundit të progresit vërejtën se “sanksionet e imponuara në rastet e korrupsionit kanë tendencën të jenë haptazi të lehta”.

poli

Zyrtarët e lartë në pikëpyetje

Shqipëria ka një vepër penale të posaçme që synon të dënojë krahasimisht më ashpër ata që marrin ryshfet dhe që janë zyrtarë të lartë të emëruar apo të zgjedhur. Diferenca është e madhe pasi kodi penal dënon zyrtarët e zakonshëm nga 2 deri në 8 vjet burg ndërsa zyrtarët e lartë, duhet të dënohen, sipas nenit 260 me 4 deri në 12 vjet burg. Por ndërsa me termin “zyrtarë të zgjedhur” është e kuptueshme se për kë bëhet fjalë, për zyrtarët e lartë, çështja mbetet e hapur për diskutim. Kjo është aq e diskutueshme sa në Raportin e Progresit të vitit 2014, Komisioni Europian thotë se Shqipërisë i duhen “përpjekje të mëtejshme për të qartësuar përkufizimin e ‘zyrtarit të lartë të shtetit’ dhe të ‘korrupsionit në shkallë të gjerë’.

Pavarësisht këtyre defekteve, për nenin 260, i cili duhet të dënojë zyrtarët e lartë, zyrtarisht ka pasur zero të dënuar më 2014 dhe zero të dënuar më 2015.

Si për ironi, gjatë kohëve të fundit, ka pasur më shumë gjykatës e prokurorë të dënuar për korrupsion se sa ka pasur zyrtarë të lartë. Ish-kryetari i Gjykatës së Pukës, Shtjefën Lleshi, u dënua me 3 vjet burgim. Ai qe arrestuar pasi emisioni investigativ Fiks Fare arriti të regjistrojë momentin e shkëmbimit të parave. Prokurori Pëllumb Prençi, i akuzuar për të njëjtën vepër penale, u dënua gjithashtu me tre vjet burg. Të njëjtin fat pati edhe gjyqtarja Parashqevi Ademi u dënua me katër vjet burg pas një hetimi të simuluar, ku personit të cilit iu kërkua ryshfeti, i dorëzoi një avokati sekser një shumë parash tëmarkuara dhe të regjistruara nga policia.  Ish-gjyqtari i Pogradecit Dhimitër Pojanaku u dënua me 3 vjet e 6 muaj burg për një ryshfet të vogël. Ndërkohë, gjykatësi tjetër, Gjin Gjoni i Gjykatës së Apelit Tiranë, shpëtoi kur Prokuroria e Elbasanit vendosi të pushojë hetimet në prill të këtij viti. Edhe një gjykatës dhe dy prokurorë të tjerë janë aktualisht nën hetim.

I vetmi dënim i ashpër për korrupsion duket se është ai i ish-drejtoreshës arsimore të Lushnjës Luiza Tabaku, e cila u dënua me 9 vjet burg për krijimin e një rrjeti të marrjes së ryshfetit për punësimet nëpër shkolla. Ajo kërkonte 5 mijë euro në këmbim të një vendi pune. / BIRN

SHKARKO APP