BIRN: Sulmet ndaj prokurorit shkaktojnë shqetësim për presion qeveritar mbi drejtësinë

Prania në sallën e gjyqit dhe akuzat e zv.kryeministrit Erion Braçe ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja shkaktojnë alarm për ndërhyrje në punën e prokurorisë në KLP si dhe denoncohen si presion i hapur nga opozita

Në një shfaqje të pazakontë në gjykatë, numri 2 i qeverisë, Erjon Braçe ishte i pranishëm të premten në mëngjes në seancën gjyqësore për masën e sigurisë ndaj Drejtori të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Liridon Pula.

Braçe u filmua i ulur në fund të sallës së gjyqit dhe menjëherë pas vendimit të gjykatës për të lënë në arrest drejtorin e AKSH-së, sulmoi prokurorin e çështjes, Arjan Ndoja se po bënte “presion kriminal” ndaj të akuzuarit Pula.

“Pa më të voglin diskutim që është akti final i një historie të gjatë gati një mujore, presioni, shantazhi kriminal mbi punonjësin që sot ishte me pranga në sallën e gjyqit,” deklaroi Braçe, duke marrë në mbrojtje zyrtarin e akuzuar.

“Presion dhe shantazh kriminal, që është bërë jo për këtë çështje, por për pallate monstruoze që duhet të legalizohen në këtë qytet,” tha ai, duke mos i kursyer akuzat për prokurorin e çështjes.

Prania në sallën e gjyqit dhe komentet para gjykatës të zv.kryeministrit ishin në të njëjtën linjë me akuzat e një dite më parë të kreut të qeverisë, Edi Rama, i cili tha në parlament se “një prokuror në Durrës i lidhur me krimin e organizuar, po u bënte presion punonjësve të shtetit”.

Por ndërhyrje të tilla nga drejtuesit më të lartë të ekzekutivit ndaj një prokurori dhe një çështjeje hetimore në vazhdim kanë shkaktuar alarm në Këshillin e Lartë të Prokurorisë si dhe u denoncuan si presion i hapur ndaj drejtësisë nga Partia Demokratike në opozitë.

“Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet të hënën për të dalë me një qëndrim të të gjithë anëtarëve kundër ndërhyrjes së politikës në punën e prokurorisë,” tha një burim nga KLP për BIRN. “Prokurorit në këtë rast i ka dhënë të drejtë gjykata,” shtoi ai.

Opozita i denoncoi reagimet e Ramës dhe të Braçes si presion që i bën “të pushtetshmit të paprekshëm”.

“Presioni i Qeverisë nga Kryeministri tek Zëvendëskryeministri ndaj prokurorisë dhe gjykatës që kanë urdhëruar arrestimin e Drejtorit të Kadastrës në Durrës, është kriminal,” tha ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj.

Zv.kryeministri Braçe refuzoi t’i quante ndërhyrje në çështjen hetimore deklaratat e tij në një bisedë për BIRN, ndërsa tha se “kishte të drejtë të shprehte opinionin e tij pas asaj që kishte dëgjuar në gjyq”. Gjithashtu, Braçe i shtoi akuzat për Ndojën duke deklaruar se “i ishte krijuar bindja që ai kishte mashtruar gjykatën”.

Akuzat për zyrtarët e Kadastrës

Përplasja mes qeverisë dhe prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja nisi pas arrestimeve të fundit në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Durrës. Në fillim të muajit, prokuroria arrestoi Lusiena Kolën, përgjegjëse e sektorit juridik në ASHK-në e Durrësit. Më pas njoftoi edhe arrestimin e Liridon Pulës, i cili mbante postin e drejtorit. Prokuroria ka bërë po ashtu  shpalljen në kërkim të ish-kreut të agjencisë së legalizimeve.

BIRN mësoi se si Pula ashtu edhe Kola akuzohen për shpërdorim detyre, pasi sipas prokurorisë kanë regjistruar dhe lëshuar certifikata pronësie në një prej fshatrave turistikë në Gjirin e Lalzit. Në dokumentin e Gjykatës së Durrësit për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj Kolës bëhet me dije se ajo kishte kryer procedura për regjistrimin e pronës “në emër të subjektit investitor ndërtues Lura sh.p.k”.Prokuroria pretendon se regjistrimet janë bërë në shkelje të ligjit dhe me gabime.

“Ka rezultuar gjithashtu se sikurse në librat ku bëhet regjistrimi manualisht, edhe në kartelat e pasurive për të cilat janë lëshuar certifikata e pronësisë nuk janë shënuar kufizimet përkatëse sipas kontratave që janë lidhur me pronarët e truallit, kusht ky i kërkuar shprehimisht nga Ligji Për Kadastrën”, thuhet në kërkesën e prokurorisë për masën e sigurimit ndaj Kolës.

Të dy zyrtarët e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Durrës mohojnë akuzat

Zv.kryeministri Braçe mori në mbrojtje dy nëpunësit, ndërsa tha se akuzat ndaj tyre ishin të pabazuar në prova. Ai tha se pronat ishin regjistruar siç kërkohej prej ligjit dhe se për këtë nuk kishte ankesë as nga investitori, as nga pronarët e truallit dhe as nga shteti. Ai po ashtu tha se përndryshe nga sa pretendoi prokurori, kufizimet e pronave të zotëruesve të truallit ishin shënuar në dokumentet e regjistrimit, ashtu siç ishin edhe të parashikuara në kontratat e sipërmarrjes.

Ndërkohë, gjatë deklaratës publike për mediat menjëherë pas seancës gjyqësore, Braçe akuzoi prokurorin e çështjes se arrestimi ishte vijim i një presioni kriminal ndaj Pulës.

Opozita kërkon hetime

Opozita akuzoi qeverinë për presion ndaj prokurorëve që hetonin korrupsionin dhe kërkoi nisjen e hetimeve ndaj Ramës dhe Braçes për “ushtrim ndikimi të paligjshëm”. Në një deklaratë për mediat, ish-ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj tha se “veprimet e prokurorit të çështjes u gjetën ligjërisht korrekte nga gjykata” dhe mburri gjyqtaren Besjana Garxenaj për integritetin profesional.

Ai tha se Braçe kishte ushtruar “presion kriminal, të padëgjuar më parë, në sallën e gjyqit”. Alibeaj po ashtu akuzoi qeverinë se po përdorte vetingun për t’u bërë presion prokurorëve dhe gjyqtarëve.

“Partia Demokratike bën thirrje për nisjen menjëherë të hetimeve ndaj Edi Ramës dhe Erion Braçes për ushtrim të ndikimit të paligjshëm tek prokurorët dhe gjyqtarët në vend, si dhe shantazhimin që ai bën me procesin e vettingut për çështje individuale dhe konkrete”, tha Alibeaj.

Sipas tij, drejtuesi i arrestuar i Kadastrës në Durrës “është kushëriri dhe i emëruari i Erjon Braҁes, i cili ka vënë qeverinë në funksion të hallit të tij dhe për të mbrojtur një zyrtar të akuzuar për korrupsion”. Braçe mohoi çfarëdo lidhje fisnore me Pulën, dukë thënë se nuk kishte asnjë pikë takimi mes tyre. Ai tha se do i kërkonte Alibeajt të provonte në gjyq akuzën, duke aluduar se do e padiste për shpifje.

Braçe i tha BIRN se drejtori i ASHK-së, Liridon Pula ishte shantazhuar tre herë në zyrën e tij. Në një nga rastet, sipas Braçes drejtuesit të Kadastrës i është kërkuar të largohet nga Durrësi. “Kam marrë dëshminë e personit nën shantazh, që është drejtuesi i zyrës së Kadatrës së Durrësit,” tha Braçe, duke këmbëngulur se do të mbronte çdo punonjës të shtetit që vihej nën presion kriminal.

Ai mohoi të kishte ushtruar presion. “Fare, unë nuk kam ndërhyrë asnjë sekondë në procedurat hetimore që ka nisur prokuroria. Nuk kam ndërhyrë. Nuk kam ndërhyrë as në procesin e gjykimit të elementëve të masës së sigurisë. Po të kisha ndërhyrë, edhe hetimi do ishte ndryshe edhe vendimi do ishte ndryshe”, përfundoi Braçe. BIRN nuk arriti të kontaktonte me prokurorin e çështjes, Arjan Ndoja. /BIRN/

SHKARKO APP