Biznesmeni Jani Zaka 40 vjeç ka dëshmuar në polici për Shullazin
Biznesmeni Jani Zaka 40 vjeç ka dëshmuar në policia takimet me Emiljano Shullazin, në lidhje me konfliktin për parkingun 1200 metër katrorë që kishte me shtetasin Fatmir Sinani.
Dëshmia
“Jam banor i Tiranës dhe kam adresën dhe gjeneralitetet e sipërpërmendura. Para disa vitesh, unë te Lesharaku (NSHRAK-u, shën. red.) kam blerë nga shtetasi Fatmir Sinani një parking nëntokësor me sipërfaqe 1.200 m2 për një vlerë 300.000 euro. Parkingun unë e kam blerë me kontratë porosie, pasi pallati është i pahipotekuar.
Fatmiri pasi më bëri shitjen, më ka thënë se parkingu i kushtonte më shumë seç ia kisha blerë unë dhe unë i kam thënë se në qoftë se më kthente lekët, unë në çdo moment do t’ia ktheja pronën këtij shtetasi. Para dy ose tre muajsh, dhe ka qenë ditë e hënë, më ka marrë në telefon një person dhe më thotë që ‘të kërkon Emiljano Shullazi’. Unë i kam thënë që ndodhem jashtë Tirane dhe me t’u kthyer do të të njoftoj vet.
Ditën e enjte, por si datë nuk më kujtohet, jam kthyer në Tiranë dhe kam marrë në telefon personin që më mori dhe ai më thotë ‘jam te lagjia kur rrimë, afër shtëpisë së Emiljanos’. Unë kam vajtur dhe jam ulur në një lokal të bardhë dhe personi më ka thënë që ‘më prit ta njoftoj’. Pasi prita pak, personi më thotë që ‘nuk vjen sot, por mbaje telefonin hapur nëse do të të telefonojë ai vetë’. Ditën tjetër më telefonon rreth orës 13:00 ky person, por si datë nuk më kujtohet dhe më thotë ‘po të presim te lokali mbrapa Xhakes’.
Unë kam vajtur te lokali dhe atje ishte Emiljano, i cili më priste në lokal. Emiljano më thotë ‘çfarë garazhi i ke mbajtur peng Fatmirit’? Unë i kam thënë që nuk i kam mbajtur peng garazh, por më ka shitur garazh dhe ai më thotë ‘zgjidheni me Fatmirin këtë problem’. Për këtë gjë kam vënë në dijeni edhe kushëririn Mitri Prifti. Dua të theksoj se edhe në datën 01.02.2016 rreth orës 13:00 unë jam takuar me Emiljanon tek i njëjti lokal pasi më njoftoi një kushëri i tij dhe ai më tha ‘zgjidheni problemin me Fatmirin sa më shpejt’.
Pyetje: A keni gjë tjetër për të shtuar?
Përgjigje: Nuk kam gjë tjetër për të shtuar. Procesverbalin pasi e lexova, e gjej të rregullt dhe e firmos pa vërejtje.
KOHA JONË SONDAZH

