BKH harton hartën, 10 hetues ngrenë databazën e grupeve kriminale
Cilat janë grupet kriminale që veprojnë në Shqipëri, kush janë anëtarët e tyre, cilat janë pasuritë që zotërojnë dhe në çfarë aktivitetesh kriminale janë të përfshirë? Këtyre dhe shumë pyetjeve të tjera synon t’u japë përgjigje Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), e cila po punon për krijimin e një harte të plotë të krimit të organizuar në vend. Për këtë qëllim, BKH po mbledh dhe përpunon informacion nga një sërë institucionesh dhe agjencish ligjzbatuese, përfshirë edhe shërbimin sekret vendas. Të dhënat do të përfshihen në një databazë të posaçme, e cila do të jetë e pavarur nga institucionet e tjera dhe do të shërbejë për analizimin e aktivitetit të grupeve kriminale.
Në BKH është ngritur së fundmi Sektori i Analizës dhe Vlerësimit të Informacionit Kriminal. Në këtë strukturë janë angazhuar rreth dhjetë hetues të FBI-së në Shqipëri, të cilët merren me përpunimin dhe analizimin e informacionit kriminal. Sektori i ri bashkëpunon me prokurorët e SPAK-ut, si dhe me agjenci homologe të huaja, me synimin për të krijuar një panoramë sa më të plotë të veprimtarisë së grupeve kriminale shqiptare, si brenda vendit, ashtu edhe në aktivitetet e tyre ndërkombëtare.
Një pjesë e rëndësishme e punës lidhet edhe me analizimin e të dhënave të siguruara nga aplikacione të komunikimit të enkriptuar, si EncroChat dhe Sky ECC. Informacioni i mbledhur për identitetin e personave të dyshuar, lidhjet mes tyre, aktivitetin kriminal dhe pasuritë e grupeve konsiderohet i klasifikuar dhe mbahet sekret. Përmes kësaj strukture, BKH synon të krijojë një bazë të centralizuar informacioni që do të ndihmojë në identifikimin e grupeve kriminale, strukturën e tyre, burimet financiare, aktivitetin dhe lidhjet e tyre në Shqipëri dhe jashtë saj.
KOHA JONË SONDAZH

