Bllokimi i kolektorit nga një trung 8-metërsh në Kashar, Rama: Problemi i ujërave të zeza zgjati prej vitesh
Një trung peme rreth 8 metra i gjatë është zbuluar brenda kolektorit kryesor të ujërave të zeza në Bulevardin e Kasharit, duke shkaktuar bllokime dhe probleme të përsëritura në zonë.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga ndërhyrja, ku tregohet momenti i nxjerrjes së trungut nga tubacioni. Pengesa është identifikuar përmes një kamere të posaçme që përdoret për kontrollin e rrjetit nëntokësor.
Sipas Ramës, problemi kishte vijuar prej më shumë se 10 vitesh. Sa herë që binte shi, kolektori nuk përballonte rrjedhjen dhe ujërat e zeza dilnin në sipërfaqe, duke përmbytur Bulevardin e Kasharit dhe zonat përreth.
Pas identifikimit të shkakut, ekipet kanë ndërhyrë për largimin e trungut, duke bërë të mundur zhbllokimin e kolektorit.
Rama e ka cilësuar rastin si të pazakontë, duke pretenduar se pema kishte mbetur brenda tubacionit që në kohën e ndërtimit të tij.
Me përfundimin e ndërhyrjes, kolektori është vënë në funksion dhe pritet që problemi i përsëritur i ujërave të zeza në këtë zonë të marrë fund.
KOHA JONË SONDAZH

