Bllokohet mjeti lundrues, shkeli perimetrin e sigurisë duke rrezikuar pushuesit
Policia Kufitare ka bllokuar një mjet lundrues dhe ka ndëshkuar pronarin me inicialet A.P. me masë administrative 500 000 lekë të rinj. Sipas “bluve” ai shkeli perimetrin e sigurisë duke rrezikuar jetën e pushuesve në vendin e quajtur “Tre Ishujt” në Ksamil.
“Shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë intensifikuar kontrollet dhe patrullimet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit. Gjatë patrullimit në sektorin detar të Ksamilit, në vendin e quajtur “Tre Ishujt”, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues Jet Ski, i cili ishte futur brenda perimetrit të sigurisë, në zonën ku pushuesit po laheshin, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre. Në përfundim të veprimeve administrative, mjeti lundrues u bllokua, ndërsa pronari i tij, shtetasi A. P., u ndëshkua me masë administrative prej 500 000 lekësh të rinj”, thuhet në njoftimin e “bluve”.
Policia e Shtetit apelon sërish ndaj përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to që të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke mos hyrë në zonat e përcaktuara për pushuesit.
KOHA JONË SONDAZH

