Bllokuan grupin e kontrollit të Tatimeve në ambientet e resortit, arrestohen pesë persona
Një incident i pazakontë është regjistruar në zonën e Golemit, ku pesë persona janë arrestuar pasi dyshohet se kanë penguar punonjësit e Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve gjatë një kontrolli në një resort.
Sipas hetimeve paraprake, administratori i biznesit dhe katër punonjës të tjerë të resortit dyshohet se kanë mbajtur të izoluar për një periudhë kohe inspektorët e Tatimeve, të cilët ndodheshin në ambientet e subjektit për të kryer detyrën e tyre.
Pas kallëzimit të bërë nga punonjësit e Task Forcës, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Kavajës kanë ndërhyrë dhe kanë bërë arrestimin në flagrancë të pesë personave.
Në pranga kanë rënë administratori i resortit, Saimir Ndreca, 34 vjeç, shefi i financës Zaho Jacaj, 56 vjeç, shefi i sigurisë Artan Kasa, 56 vjeç, si edhe dy punonjësit e sigurisë Hamid Sula, 64 vjeç, dhe Bujar Agolli, 57 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se të arrestuarit kanë vepruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke penguar inspektorët e Tatimeve dhe duke ua kufizuar lirinë e lëvizjes gjatë kohës që ata po kryenin kontrollin administrativ në resort.
Ngjarja është regjistruar më 18 korrik 2026, ndërsa ndaj pesë personave rëndon akuza për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë përkatëse, e cila do të vijojë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e incidentit dhe përgjegjësinë e personave të përfshirë.
KOHA JONË SONDAZH

