“Bombë” në PS, festime në PD

 

Tom Doshi e hodhi “bombën” që deklaroi. E hodhi dhe iku nga PS. Ndërkohë la pas një perde tymi e rremuje, duke akuzuar kryetarin e parlamentit Ilir Meta si porositës të një antentati ndaj tij dhe deputetit të PD-së Mhill Fufi. Një akuzë shumë e rëndë, e cila duhet që prokuroria e përgjithshme të fillojë mënjëherë hetimet pasi flitet për integritetin e Shtetit dhe stabilitetin e vendit. Ndërsa në selinë e PS-së plasi sherri dhe “bomba”, në kampin demokrat shpertheu gëzimi se “ e rrëzuam Metën dhe Ramën”. Në të vertetë opozita mezi pret raste të tilla , pasi është në rolin e saj të reagoj, porse do të ishte e mirë që përveç rastit në fjalë që ka nevojë për hetime, duhet që dyja forcat PD e PS të spastrojnë veten nga rradhët e tyre me elementë të dyshimtë kriminalë  dhe krejt parlamentin. Është hera e parë në historinë e parlamentit shqiptar ku ka deputetë me precedentë kriminalë nga të dyja kampet dhe ato janë grupuar në një lob të madh, se nuk kanë program politik për popullin, por kanë hyrë për të vjedhur e pasuruar me veprime mafioze. Në këtë sens themi se duhet që PD të bashkëpunojë  e të kërkojë urgjent që të pastrohet parlamenti, qoftë edhe me masa drastike kushtetuese.

 Në darkë doli Lulzim Basha dhe kërkoi dorëheqjen e kryetarit të parlamentit Ilir Meta, ndërkohë që Spartak Braho , kryetar i komisionit parlamentar të Sigurisë Kombetare tha ndryshe për median. Ai pohoi se ka patur një informacion për Doshin, por nga vetë Doshi ku ka pohuar, sipas Brahos, se ai kërcënohej për tu vrarë nga njërëzit e Berishës e pikërisht nga kunati i Berishës. Kjo e komplikon situatën, pasi sipas Brahos njëherë Doshi ka thënë se po e vret Berisha, e tani thotë se po e vret Meta!

Thuhet se ka një kasetë  deputeti Doshi për akuzën e tij e do të ishte mirë të transmetohej për publikun, përveç Prokurorisë që duhet ta sekuestrojë urgjent e të hetojë.

Nga deklarata e Bashës mbrëmë duket se opozita do të hidhet në sulm duke mos e njohur Ilir Metën si kryetar parlamenti. Këtu loja fillon e merr udhë, sepse duan ose të detyrojnë Metën të ikë nga kreu i Kuvendit dhe të peshtjellohet mazhoranca ose nëse Meta nuk e jep dorëheqjen të kenë pretekstin për të destabilizuar Parlamentin dhe të fillojnë protestat në rrugë. Skendar opozitar përfekt ! Me një gur vrasin dy zogj, sipas tyre; edhe rrëzojnë Metën në shenjë hakmarrje që kaloi me Ramën si dhe thyejnë “kembët” e karrikes së kryeministrit të PS-së duke e lenë në mëshirë të fatit politik. Kjo sipas opozitës. Në këtë rast do shikohet se sa solidarë janë Rama-Meta dhe si do ta përballojnë skenarin e opozitës. A është edhe loja e Doshit pjesë e këtij skenari të PD? Kjo mbetet të shikohet, por vertetohet shumë vonë. Nëse Doshi kandidohet në zgjedhjet e rradhës parlamentare në listën e PD-së në Shkodër ,që të jetë i sigurtë në parlament, atëhere e gjitha mbetet një lojë e luajtur bukur dhe duhet përgëzuar “regjizori Doshi” që riktheu PD në lojën e madhe. Por deri atëkohë duhet kohë! Momentalisht duhet të shikohet që zgjidhja e të gjithë enigmave dhe akuacioneve matematike politike është që nëse Prokuroria e Përgjithshme heton shpejt dhe flet me fakte. Aty janë deshimtarët, nuk kanë ku të ikin dhe duhet vetëm hetim që të sqarohet publiku se si është e verteta e planit për vrasjen e Tom Doshit dhe Mhill Fufit. Paksa e çuditshme është heshtja e deputetit të PD-së së Laçit e Mamurrasit , Mhill Fufi.

Çfarë luhet në këtë skenar?! Adriatik Llalla e ka mundësinë të jetë njeriu që t’i jap përgjigje kësaj loje të madhe; ai ka hetimin, ka dosjet, sekuestron gjithçka, ka lidhje me SHBA në linjën e hetimeve, dhe mund të mbyll një kapitull kriminal që kaë hyrë në parlament prej vitesh e ku asnjë nuk mundet të pastrojë politikën nga mafia.

Edhe nëse heton e ka fakte Policia  e Shtetit nuk do të jetë e besueshme,pasi akuzat e deputetit janë të rënda se përfshin e komplikon edhe ministrin e brendshëm. Ndaj Prokurori i Përgjithshëm ka në dorë një rast të artë për të vendosur drejtesi e pastruar parlamentin njëherë e përgjithmonë.

Qamil Xhani

 

 

SHKARKO APP