”Bonusi i bebes”, mbi 81 mijë fëmijë kanë gëzuar familjet që nga 2019
9,610 fëmijë të lindur nga janari i këtij viti, kanë përfituar bonusin e bebes, duke marrë mbështetjen direkte të qeverisë përmes Programit të Mbrojtjes Sociale.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e cila tha se ”që nga viti 2019 kur nisi ky program universal, 81,793 fëmijë që kanë gëzuar familjet e tyre kanë marrë shpërblimin financiar 40 000 lekë për fëmijën e parë, 80 000 për fëmijën e dytë dhe 120 000 lekë për fëmijën e tretë”.
Kur bebet janë binjakë ata përfitojnë nga 80 000 lekë të dy, ndërsa kur janë trinjakë përftojnë nga 120 000 lekë secili. Bonusi i bebes, është një politikë e re sociale që po zbatohet nga qeveria prej 1 janarit 2019 dhe mbështet familjet e reja pavarësisht statusit social-ekonomik.