Borë në veri, bllokohet drejtuesi nga Saranda në aksin Theth-Bogë
Bora vijon pa ndërprerje në veri të vendit. Policia e Shkodrës njofton se një drejtues mjeti mbeti i bllokuar në aksin rrugor Theth-Bogë, për të cilin u desh ndërhyrja e policisë rrugore dhe borëpastrueses.
“Shërbimet e Policisë Rrugore në bashkëpunim me borëpastrueset i kanë shkuar në ndihmë një drejtuesi mjeti nga Saranda i cili kishte mbetur i bllokuar në aksin rrugor Theth-Bogë, dhe kishte kërkuar ndihmë te 112, pasi duke qarkulluar me goma verore e kishte të pamundur të vijonte lëvizjen. Shërbimet e Policisë Rrugore kanë rritur prezencën në akset rrugore urbane e rurale për shkak të motit te keq me reshje shiu dhe dëbore. Aktualisht në akset rrugore Tamarë – Selcë – Vermosh; Bogë – Qafë Thorë – Theth; dhe Pukë – Fushë Arëz – Qafë Mali, ka prezencë të dëborës pasi vijojnë pa ndërprerje reshjet e dëborës”, njofton policia.
Borëpastrueset janë në terren dhe vijojnë punën për pastrimin e rrugëve nga bora dhe për shpërndarjen e kripës. Policia Rrugore apelon për drejtuesit e mjeteve që të bëjnë kujdes në lëvizje, të respektojnë sinjalistikën rrugore të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore; Në rast nevoje për ndihmë, telefononi në numrin 112.