Boshllëku në sistem, Gjykatat e Apelit në prag bllokimi

Këshilli i Lartë Gjyqësor i bën thirrje publike gjyqtarëve të kandidojnë për pozicione të përkoshme në Gjykatat e Apelit. Skema e delegimit duket se do të shërbejë si kamerdare shpëtimi për Apelet në prag ngërçi për shkak të mungesës së gjyqtarëve.

Pas bllokimit të veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, për shkak të gjyqtarëve të larguar nga procesi i vetingut, në zgrip të ngërcit funksional janë gjykatat e Apelit në vend. Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka bërë një thirrje publike gjyqtarëve të kandidojnë për t’u deleguar në gjykata të tjera nga ajo ku ushtrojnë detyrën.

Pasi merr pëlqimin e tyre, KLGJ-ja vendos delegimin e tyre të përkohshëm në afate nga 6 muaj deri në një vit. Burime pranë KLGJ-së bënë me dije se emergjent është delegimi i gjyqtarëve në Gjykata të Apelit, që nuk kanë as minimumin e një trupe gjykuese prej tre anëtarësh. E tillë është Apeli i Korçës i mbetur aktualisht me 1 anëtar në detyrë.

Aktualisht KLGJ-ja vazhdon procedurat për plotësimin me gjyqtarë të 20 vendeve në gjykatat e Apelit në vend, 12 në Apele të zakonshëm, 2 në Apelin Administrativ dhe 6 në Apelin e Gjykatës së Posaçme. Sipas të dhënave për pozicionet e lira në Apelin e Shkodrës, Korçës dhe Gjirokastrës nuk ka pasur asnjë kandidat, çka është bërë shkak për rihapjen e garës.

SHKARKO APP