Bosi i trafikut të drogës jetonte në një bunker në Berat
Mediat italiane informojnë se Policia shqiptare në bashkëpunim me Policinë italiane ka arrestuar në qytetin e Durrësit shqiptarin Alket Hatija 44 vjeç një nga bosat më të mëdhenj të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë.
Hetimet e policisë italiane kanë vërtetuar se nga janari i vitit 2003 deri në mars të 2004 Alket Hatija kishte trafikuar në qytetin e Milanos rreth 350 kg heroinë e 190 kg kokainë me vlerë 35-40 milionë euro.
Sipas investigatorëve Alket Hatija jetonte në një vilë bunker në zonën e Beratit e lëvizte përherë i rrethuar nga rojet personale të armatosura.
Arrestimi i tij u bë në qytetin e Durrësit ndërsa po takohej me një mikun e tii.
Sipas mediave italiane shqitpari Alket Hatija ishtee një trafikant i madh droge që vetëm me anë të celularit ishte i aftë të trafikonte drejt Italisë qindra kg lëndë narkotike.
Droga hynte në Itali përmes kamionëve e automjetve me targa europiane që kapërcenin kufirin në veri të italisë.
Alket Hatija u arrestua me urdhër të Policisë së qytetit të Milanos e ndaj tij është marrë dënimi me 20 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge.

