Rama: Mbyllja e kapitujve nis brenda vitit. Ursula von der Leyen: Shqipëria ka përmbushur 80% të reformave
Shqipëria pritet të hyjë në një fazë të re të procesit të integrimit europian, me synimin për të nisur mbylljen e kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian brenda këtij viti. Deklarata u bë nga kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në Tiranë. Rama tha se qeveria synon që procesi të vijojë me ritëm edhe gjatë vitit të ardhshëm, kur pritet të mbyllet një pjesë e konsiderueshme e kapitujve.
”Përgatitemi për të nisur me mbylljen e kapitujve para fundit të vitit dhe pastaj për të vijuar vitin e ardhshëm me një pjesë të konsiderueshme të kapitujve”, deklaroi Rama. Kryeministri theksoi gjithashtu angazhimin e qeverisë për të avancuar procesin e integrimit, duke e cilësuar si një fazë ku fokusi është tashmë te përmbushja e objektivave që lidhen me mbylljen e kapitujve.
Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke vlerësuar mbështetjen e Bashkimit Europian. Sipas tij, programi nuk përfaqëson vetëm një mbështetje financiare, por edhe një mekanizëm për të nxitur integrimin gradual të vendeve të rajonit në strukturat europiane. “Plani i Rritjes është një nga risitë e mandatit të saj të dytë”, tha Rama, duke e cilësuar këtë instrument si një mbështetje të rëndësishme për rajonin dhe për procesin e afrimit me BE-në.
Von der Leyen u shpreh se Shqipëria është ndër vendet kryesuese në këtë proces dhe theksoi se gjatë vitit të fundit është shënuar progres i rëndësishëm, duke përmbushur 80% të reformave të parashikuara. Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, ajo bëri të ditur se vendi ka përfituar deri tani 213 milionë euro dhe se pagesa të tjera priten në javët në vijim.
”Është kënaqësi e madhe të rikthehem në Tiranë. Përvoja ime është e tillë që shqiptarët e mbajnë Evropën në zemër. Shqipëria është ndër vendet kryesuese në procesin tonë të integrimit. Unë vij çdo vit për të parë ecurinë dhe, pas një viti, Shqipëria ka bërë një punë fantastike me progresin. Përparim shumë i rëndësishëm, sepse do të thotë që e shohim botën me të njëjtët sy. Dua t’u përcjell qytetarëve shqiptarë dhe evropianë faktin që anëtarësimi i Shqipërisë nuk do të bëjë vetëm Shqipërinë më të fortë, por edhe BE-nëPor vazhdoni me fokusin, sepse ka ende punë për të bërë”, tha ajo.
Kryeministri Edi Rama ka shprehur qëndrimin e tij kundër përdorimit të së drejtës së vetos në Bashkimin Evropian, duke argumentuar se ky mekanizëm nuk i shërben as unionit dhe as vendeve anëtare. Sipas Ramës, vetoja është një instrument që në kushtet e sotme nuk i përgjigjet më realitetit të BE-së. Ai solli në vëmendje edhe përvojën e Shqipërisë, duke kujtuar se vendi ka qenë më herët i prekur nga përdorimi i kësaj të drejte.
”E drejta e vetos nuk është një e drejtë që i bën mirë BE-së dhe as vendeve anëtare. Shqipëria ka qenë viktimë e ushtrimit të asaj të drejte, një mekanizëm i cili në kohët e sotme është i tejkaluar”, u shpreh Rama. Kryeministri theksoi se Shqipëria nuk e sheh heqjen apo kufizimin e vetos si dobësim të pozicionit të saj në tryezën evropiane. Përkundrazi, sipas tij, zhvillimet e tilla duhen parë në kuadër të transformimit që po kalon Bashkimi Evropian.
”Ne si Shqipëri nuk na duhet vetoja për të bërë të fortin në tryezën e BE-së”, tha Rama, duke shtuar se ajo që nga disa mund të konsiderohet si regres, për Shqipërinë mund të shihet si progres. Rama e lidhi këtë qasje edhe me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke nënvizuar se vendi ndodhet në një fazë të rëndësishme të rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, vlerësoi mbështetjen e Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë pas tërmetit të vitit 2019, duke veçuar programin “BE për shkollat”. Ajo tha se përmes këtij programi janë rindërtuar ose rikonstruktuar 63 shkolla në vend. Mes institucioneve arsimore të përfshira në këtë program është edhe shkolla “Emin Duraku”, të cilën presidentja e Komisionit Europian pritet ta vizitojë së bashku me kryeministrin Rama.
“Kur Shqipëria u godit nga tërmeti në vitin 2019, ne thamë se Europa do të qëndronte krah jush. Dhe ne qëndruam”, u shpreh von der Leyen. Ajo e cilësoi programin “BE për shkollat” si një nga nismat që konkretizon mbështetjen europiane për Shqipërinë, duke theksuar se investimet në infrastrukturën arsimore janë pjesë e kësaj mbështetjeje. Vizita në shkollën “Emin Duraku” është parashikuar gjatë qëndrimit të von der Leyen në Shqipëri.
Lexoni edhe:
Rama kundër të drejtës së vetos në BE: Një mekanizëm i tejkaluar

