Rama kundër të drejtës së vetos në BE: Një mekanizëm i tejkaluar
Kryeministri Edi Rama ka shprehur qëndrimin e tij kundër përdorimit të së drejtës së vetos në Bashkimin Evropian, duke argumentuar se ky mekanizëm nuk i shërben as unionit dhe as vendeve anëtare. Sipas Ramës, vetoja është një instrument që në kushtet e sotme nuk i përgjigjet më realitetit të BE-së. Ai solli në vëmendje edhe përvojën e Shqipërisë, duke kujtuar se vendi ka qenë më herët i prekur nga përdorimi i kësaj të drejte.
”E drejta e vetos nuk është një e drejtë që i bën mirë BE-së dhe as vendeve anëtare. Shqipëria ka qenë viktimë e ushtrimit të asaj të drejte, një mekanizëm i cili në kohët e sotme është i tejkaluar”, u shpreh Rama. Kryeministri theksoi se Shqipëria nuk e sheh heqjen apo kufizimin e vetos si dobësim të pozicionit të saj në tryezën evropiane. Përkundrazi, sipas tij, zhvillimet e tilla duhen parë në kuadër të transformimit që po kalon Bashkimi Evropian.
”Ne si Shqipëri nuk na duhet vetoja për të bërë të fortin në tryezën e BE-së”, tha Rama, duke shtuar se ajo që nga disa mund të konsiderohet si regres, për Shqipërinë mund të shihet si progres. Rama e lidhi këtë qasje edhe me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke nënvizuar se vendi ndodhet në një fazë të rëndësishme të rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian.
A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?
Results
Vota totale: 4554

