Mbështetja pas tërmetit, Von der Leyen: ”Emin Duraku”, një prej 63 shkollave të rindërtuara me mbështetjen e BE-së
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, vlerësoi mbështetjen e Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë pas tërmetit të vitit 2019, duke veçuar programin “BE për shkollat”.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, von der Leyen tha se përmes këtij programi janë rindërtuar ose rikonstruktuar 63 shkolla në vend.
Mes institucioneve arsimore të përfshira në këtë program është edhe shkolla “Emin Duraku”, të cilën presidentja e Komisionit Europian pritet ta vizitojë së bashku me kryeministrin Rama.
“Kur Shqipëria u godit nga tërmeti në vitin 2019, ne thamë se Europa do të qëndronte krah jush. Dhe ne qëndruam”, u shpreh von der Leyen.
Ajo e cilësoi programin “BE për shkollat” si një nga nismat që konkretizon mbështetjen europiane për Shqipërinë, duke theksuar se investimet në infrastrukturën arsimore janë pjesë e kësaj mbështetjeje.
Vizita në shkollën “Emin Duraku” është parashikuar gjatë qëndrimit të von der Leyen në Shqipëri.

