Bota dixhitale dhe koncepti i ri mbi pasurinë dhe thesarinë

Nga: Akademiku Anastas Angjeli

Ajo që po ndodh me zhvillimin e botës dixhitale në dy dekadat e fundit, po sjell ndryshime shumëdimensionale dhe thelbësore në mendimin dhe veprimtarinë ekonomike e financiare. Një revolucion i vërtetë. Një ekonomi e tërë, e re, po krijohet brenda kësaj bote dixhitale, gjë që i bën kufijtë midis vlerës dixhitale dhe vlerës fizike gjithnjë e më të paqarta, por gjithmonë edhe më të vlefshme. Në këtë ndryshim është edhe evoluimi i koncepteve të ndryshme në këtë fushë, dhe bashkë me to, edhe i konceptit të pasurisë.

GJUETIA E THESAREVE TË REJA NË BOTËN DIXHITALE

Brezi i “Baby Boomer” (të lindurit 1946 deri në 1964) njihnin si lojëra elektronike “Pacman” dhe “Srace Invaders”, të cilat i luanin në shumicën e rasteve në pc e tyre “gjatë kohës së punës kur s’kishin punë”. Në disa raste kishte edhe diskutime të ndryshme për arritjet e rezultateve, por, në përgjithësi të gjithë i shikonin këto lojëra si elemente për të “kaluar kohën”. Nuk kanë kaluar më shumë se 30 vjet nga ajo kohë, por sot, 60 apo 70-vjeçarët rrallë u kthehen këtyre lojërave. Kjo, sepse shumë-shumë gjëra kanë ndryshuar, por mbi të gjitha ka ndryshuar raporti me realitetit dixhital.

Në kohët moderne, lojërat e ekranit kanë evoluar shumë dhe janë krejtësisht ndryshe. Kemi një brez të tërë që po rritet në botën dixhitale dhe fizike njëkohësisht dhe lodrat nuk janë thjesht elemente antistres, por edhe burim vlere, pasurie dhe fitimi. Në shumë raste, ato janë kthyer në elemente me vlerë sociale, sepse lojtarët lidhen me njëri-tjetrin në internet, flasin, konkurrojnë, bashkëpunojnë, bëjnë miq dhe i nënshtrohen kësaj bote virtuale.

Në këtë mënyrë ndryshojnë vlerat, por edhe vlerësimet, për pasojë këto ndryshime krijojnë dëshira të tjera, dije të reja dhe mbi të gjitha forma ekzistenciale të pamenduara dhe të ndjera ndonjëherë. Bota dixhitale ndryshoi tregun e punës, format e dijes, mënyrat e ekzistencës dhe mbi të gjitha konceptin ekonomik të parasë dhe pasurisë. Këtu dy koncepte kanë ndryshuar dhe më parë në çdo epokë të zhvillimit ekonomik, por kësaj radhe ndryshimet janë të shpejta, gjithëpërfshirëse dhe mbi të gjitha vendimtare në metamorfozat e tregut.

NJERËZ TË PASUR DHE NJERËZ ME PARA

Nëse koncepti i pasurisë te Marksi ishte i lidhur me atë të kapitalit dhe konsiderohej një element kryesor i marrëdhënieve njerëzore (marrëdhënieve në prodhim), pas krizës së viteve 1929-‘33 të shekullit të kaluar, koncepti i pasurisë u lidh me investimet dhe mbi të gjitha me investimet shtetërore. Kështu, koncepti i akumulimit fillestar të kapitalit u zëvendësua me politikat ekonomike të bazuara ne çmimin e parasë (interesit). Politikat e përdorimit të normave të interesit, për të rritur investimet dhe për pasojë edhe pasurinë u bënë levat kryesore të politikës ekonomike për 30 vitet që pasuan.

Këtu filloi ndarja e parë midis parasë dhe pasurisë, ose më sakte filloi dallimi midis parasë si kapital në konceptin marksist dhe parasë si mjet pagese për plotësimin e nevojave në konceptin Kejsjan. Kështu, teorikisht në ndjesinë popullore paranë e posedonin njerëzit dhe kapitalin bankat dhe subjektet ekonomike. Pas viteve ‘60 të shekullit të kaluar, me ndikimin e madh të zhvillimit teknologjik filloi të zbehet koncepti i kapitalit dhe i kapitalistit dhe filloi të evidentohet më shumë koncepti i sipërmarrësit, njeriut me para dhe pasurisë.

Nuk kishte akoma një ndarje të saktë teorike “të pasurisë në aspektin individual” dhe “pasurisë në aspektin kontabël” d.m.th., pasuria e një njeriu të vetëm apo pasuria e një subjekti ekonomik. Quhej i pasur Gianni Agnelli, sepse posedonte “Fiat”-in apo Henry Ford sepse posedonte “Ford Motor Company” dhe shpesh ngatërrohet njeriu me para me pasurinë e tij. Kishim edhe shumë raste si, p.sh., ai i John Davison Rockefeller që konsiderohej në kohën e tij njeriu më i pasur i botës për aktivitetin e tij individual dhe jo si pronar i “Standard Oil Company”. Dallimi midis pasurisë dhe njeriut me para u bë evident në momentin kur njerëzit kuptuan dallimin midis shitjes së kohës së punës dhe shitjes së produktit të punës. Tashmë për shumicën e njerëzve ishte e qartë se koha e punës ka kufi fizike, për pasojë dhe kufi vlerore, ndërsa produkti i punës nuk ka kufi vleror, përveç caqeve që tregu i tij vendos për të.

Nëse ne sigurojmë rritjen e vazhdueshme të një tregu, atëherë garantojmë edhe rritjen e subjekteve që bëjnë pjesë në të. Shumë më i dukshëm u bë ky dallim kur njerëz që nuk kishin fare kapital, por thjesht një ide, u bënë njerëzit më të pasur të botës (Bill Gates, Steve Jobes etj). Pikërisht në këtë moment kohor në literaturën ekonomike, koncepti i kapitalistit u zëvendësua me konceptin e sipërmarrësit dhe të pasurit shumë para u zëvendësua me konceptin e pasurisë.

Të gjithë filluan të kuptojnë se pasuria nuk është vetëm para, por ajo ka një pafundësi formash, trajta e të cilave mund të jenë të pafundme që nga aksionet deri te pikturat, që nga antikat deri te verat e rralla etj. U bënë shumë të përdorshme në literaturën ekonomike edhe dy koncepte të tjera: ai i “portofolit të investimit” dhe ai i “diversifikimit të pasurisë”. Ndryshimet më të mëdha të dy dhjetëvjeçarëve të fundit për konceptin e pasurisë erdhën pikërisht nga bota dixhitale, ku thesaret e saj filluan të bëheshin më të kërkuarit jo vetëm për të diversifikuar pasurinë, por edhe për të siguruar një ekuilibër të portofolit të investimeve.

INVESTIMET NË BOTËN DIXHITALE

Sot, vëmendja njerëzore është drejtuar në botën dixhitale. Ajo që deri vonë ishte vetëm për argëtim, tani dalëngadalë është bërë një biznes fitimprurës. Sa më shumë kohë të shpenzohet në internet, aq më shumë vlerë dixhitale do të gjenerojë në këtë realitet, e cila ka të ngjarë të konsumohet brenda këtij tregu në mënyrë dixhitale. Ndërsa njerëzit veprojnë në botën dixhitale, ata jo vetëm krijojnë vlerë, por dhe e shkëmbejnë atë. Kështu, atyre u jepet mundësia të fitojnë, të kursejnë, të japin hua dhe të bëjnë një sërë veprimesh të tjera si në botën reale.

Dalëngadalë, ata krijojnë një ndikim social në jetën reale, prandaj nuk ka pse të ekzistojë një ndarje në botë reale (fizike) dhe botë dixhitale (virtuale). Ato janë tashmë dy realitete funksionale dhe të gjithë e dinë se ekziston një lidhje midis vlerës dixhitale dhe asaj fizike. Sot, ne e dimë që duke luajtur në botën dixhtale, mund të fitojnë çmime, të cilat në shumë raste tejkalojnë pagën që do të merrnin nëse do të punonin në punë konvencionale. Ka shumë njerëz që po paguhen më shumë duke “luajtur sesa duke punuar”.

Kjo ndodh edhe në botën fizike, mjafton të shikojmë Mesin, Ronaldon, etj., dhe kuptojmë se realiteti i sotëm është i ndryshëm dhe ndryshimi më i madh është vlerësimi i kohës dhe i produktit të punës. Në tregun dixhital, elementi ekonomik më i njohur është paraja dixhitale. Ndër format e ndryshme të ekzistencës së saj, më e njohura është Bitcoin dhe që sot konsiderohet një nga format më të zhvilluara të thesareve dixhitale.

Shumica e poseduesve të kësaj monedhe janë të bindur se ajo nuk është thjesht dhe vetëm një mjet pagese, por mbi ë gjitha një mjet i rëndësishëm investimi që duhet të jetë prezente në të gjithë portofolat investues modernë. Rritja e përdorimit të kësaj monedhe dhe mbi të gjitha rritja e subjekteve që e përdorin atë po kalon biznesin në një epoke të re, edhe pse risqet janë të pranishme. Por, suksesi i “revolucionit dixhital” i këtij thesari, bëri që dalëngadalë të krijohen edhe shumë elemente të tjera, që në vetvete përfaqësojnë thesare dixhitale dhe që janë objekt i portofolave investues. Nuk mund të kemi para dixhitale pa krijuar pasuri dixhitale.

Kjo është në natyrën e zhvillimit të një tregu dhe mbi të gjitha të tregut dixhital. Në tregun digjital, gjithmonë e më shumë po krijohet një realitet i ri që njihet me emrin Metaverse. Dhe “Facebook”-u ishte gati një vit më parë të ndërronte emrin në “Meta” që të përfaqësonte më mirë këtë realitet të ri virtual. Ky realitet virtual lejon krijimin e platformave që komunikojnë midis tyre, objekteve 3D të krijuara nga kushdo që është prezent në këto platforma dhe shumë elementeve të tjerë të realizojnë një botë paralele me botën reale. Në këtë mënyrë, komuniteti virtual do të kishte mundësinë të krijonte çdo gjë brenda këtij realiteti. NFT (Non Fungible Token) është një lloj i veçantë i shenjës kriptografike që përfaqëson diçka unike, brenda këtij realiteti virtual paralel me botën reale. Ideja e NFT-ve është që çdo objekt i klasifikuar si i tillë është një pasuri unike, e pazëvendësueshme dhe e rrallë.

Në këtë mënyrë ajo mund të nxjerrë kështu në pah konceptin e rrallësisë në botën dixhitale. Objektet NFT janë në pronësinë tuaj absolute, kështu që ju jeni të lirë të bëni çfarë të doni me to: t’i shisni, ti mbani, t’i ruani etj. Ato nuk janë të vendosura në një kompjuter ose server. Ato mbahen në adresën tuaj personale të blockchain, të cilën e kontrolloni me çelësin tuaj privat. Platforma më e popullarizuar për momentin me produkte të tilla është “Ethereum”.

Për shkak se ata janë në një blockchain, me fjalë të tjera në një bazë të dhënash të decentralizuar, skedarët e krijimit dhe transferimit të shenjave janë publike. Ka edhe motorë kërkimi të specializuar si “EnjinX” etj., që lejojnë kërkimin e objekteve të tilla dhe procedura si ato vihen në funksion të klientëve apo të publikut. Kjo e bën shumë të saktë verifikimin e gjërave të rralla, duke lejuar përdoruesit të jenë të sigurt se NFT-ja është autentike.

Arti ishte një nga rastet më të hershme të përdorimit të NFT, për shkak se me anë të këtij simboli mund të provohej lehtë një dëshmi e unikalitetit ekzistencial të një vepre artistike. Shumë vepra arti dixhitalë morën shenjën NFT, pikërisht sepse arritën të shiten dhe të rishiten brenda platformave dixhitale. Ato ishin të pakopjueshme, të pavjedhshme dhe ruheshin e ekspozoheshin lehtësisht për të interesuarit.

NFT nuk janë vetëm veprat e artit dixhital. Ato mund të jenë programe, indekse me tituj dixhitalë, meme, por dhe mesazhe celulari. Është fakt sot se “Vodafon”, më 21 dhjetor të vitit 2021, ka shitur në ankand SMS e parë e dërguar nga ai në vitin 1992 për 107.000 euro. Sot, NFT janë thesaret e reja të botës dixhitale dhe mjetet kryesore të investimit me kriptomonedha, por edhe me monedha reale.

Brezat e rinj po përpiqen të evidentohen në botën dixhitale me koleksionet luksoze që ky treg po ofron. Ato janë një shenjë e statusit shoqëror të tyre dhe krenohen për NFT-të që zotërojnë. Ne po u referohemi këtu trofeve që përfitohen nga fituesit, për shembull, në lojërat online. Fortnite në 2018 fitoi 2.4 miliardë dollarë, duke zotëruar sende të tilla dixhitale.

Shumë kupa të lodrave online të fituara nga kampionet e kohës janë sot një pasuri e madhe që ekziston në NFT dhe që përfaqëson formën e re të pasurisë dixhitale. Ashtu si të moshuarit blejnë “Rolex”, duke besuar se statusi i tyre po rritet, ashtu edhe të rinjtë e sotëm blejnë objekte apo artikuj dixhitalë NFT. Mund të duket e paimagjinueshme për ata që nuk janë të përfshirë në këto aktivitete, por jo për ata që kalojnë pjesën më të madhe të kohës në botën dixhitale. Atyre u duket e paimagjinueshme të shpenzojnë mijëra euro për të parë kohën në një orë.

Kur blini një “Rolex”, ju merrni një kuti të bukur, një orë të mahnitshme, por përbërësi më i vlefshëm është një kartë e vogël jeshile me një numër serial, i cili vërteton pronësinë e orës në bazën e të dhënave të kompanisë. Nëse e humbni këtë kartë, ajo ka një efekt dramatik në çmim, në rast se dëshironi të shisni orën në tregun sekondar. Kjo është arsyeja pse pronari i një artikulli të shtrenjtë shpesh e siguron atë, ose e vendos atë në një vend të sigurt, siç është një kasaforta, për ta mbrojtur atë nga vjedhja dhe konsumimi. Edhe një gërvishtje mund të përgjysmojë vlerën e saj. Dhe sigurisht që do të humbasë plotësisht vlerën e tij nëse shkatërrohet. Ju nuk keni probleme të tilla me NFT-të. Për shkak të formës së tyre dixhitale, ato janë të pathyeshme, të fshehura dhe transportohen lehtë dhe drejtpërdrejt.

Por ka një avantazh tjetër. Ne mund ta dimë në çdo kohë se sa janë objektet e tilla. Sigurisht, edhe këto objekte kanë vështirësitë e tyre në procesin e shitjes, sepse është shpesh e vështirë të vlerësosh vlerën e tyre. Pa dyshim që mallrat e shtrenjta, si ari, argjendi apo një pikturë reale janë të vlerësueshme më lehtësisht sesa NFT, pasi vlera e tyre përcaktohet më saktë nga tregu dhe specialistët.

Për shkak se NFT nuk tregtohen vazhdimisht, siç janë kriptot ose aksionet, është e vështirë të përcaktohet vlera e tyre. Ata nuk kanë elemente likuidite, por megjithatë edhe për to është gjetur një zgjidhje. Ekziston një sit, UPSHOT, ku ka pyetje në lidhje me vlerën e NFT-ve. Ata nuk ofrojnë menjëherë çmimin, por të informojnë se në cilën kategori mund ta vendosim një objekt të tillë: në kategorinë e shtrenjtë, me vlerë mesatare mesatar apo e lirë. Një nga aspektet më emocionuese të NFT-ve janë modelet rrënjësisht të reja të financimit që po eksplorohen për to.

Një gamë krejt e re e mjeteve të fitimit të parave është zbuluar për zhvilluesit dhe krijuesit e tyre. Përmes platformave të tilla si “SuperRare”, ata kanë aftësinë për të mbledhur honorarë për çdo transferim. Shitja e artikujve dixhitalë është në të vërtetë një mënyrë e zbatueshme për të financuar veten. Një prodhues i vogël lodrash mund të shesë paraprakisht objektet e botës së tij në mënyrë që të financojë projektin për ndërtimin e një loje digjitale. Ashtu siç bënë me “Cryptovoxels”, ku nxorën në ankand pronat e rralla dixhitale.

Në tremujorin e parë të vitit 2021, shitjet e NFT tejkaluan 2 miliardë dollarë. Një rritje prej 2000% nga tremujori i mëparshëm i fundit të vitit 2020. Pavarësisht kësaj rritjeje të paparë, shumë specialistë mendojnë se potenciali i tyre është shumë i madh, për të qenë të saktë, ata sapo kanë filluar të hyjnë në klasifikimin dhe objektet e pasurisë. Tregu dixhital dhe zhvillimi i tij po tregon çdo ditë që ndryshimi është shumë i madh në të gjitha konceptet ekonomike e financiare. Edhe të vërteta të tilla si paraja dhe pasuria po ndryshojnë formë dhe dalëngadalë po bëhen gjykime subjektive të vlerësimeve të brezave.

SHKARKO APP