Bota përgatitet për shekullin e ikjes së Franc Kafkës, fenomenin e letërsisë

Nga Ag Apolloni

Sivjet janë bërë 100 vjet nga vdekja e shkrimtarit të Pragës, Franz Kafka (1883-1924). Nga një shkrimtar i panjohur, megjithëse i vlerësuar nga Rilke dhe Musil, ai u bë shkrimtari më i njohur përgjatë këtyre njëqind vjetësh. Identiteti letrar i tij sot është i padiskutueshëm, ndërsa identiteti kombëtar i tij është mjaft i debatueshëm
Përvojat e mia kafkeske

Do ta nis këtë ligjëratë me disa pikëpjekje personale mes jetës sime dhe veprës së Kafkës.
Babai im ka jetuar në Gjermani në periudha të ndryshme. Në vitet ‘70 në Munich, pastaj në Veri (pak në Cuxhaven e shumë në Hamburg). Edukimi i tij përfshinte vetëm shkollën fillore dhe një kurs daktilografie. Nuk kishte lexuar libra dhe nuk njihte ndonjë shkrimtar. Kur u kthye në Kosovë, unë e pyesja për shkrimtarë, sepse mendoja se derisa kishte jetuar në Gjermani, ai duhej ta njihte edhe letërsinë gjermane, duhej t’i njihte shkrimtarët. Jo, asnjë nuk e njihte. Përveç Goethes, edhe atë nuk e njihte si shkrimtar, por si rrugë. Ai thjesht kishte jetuar në Gjermani dhe kishte punuar sa për të mbijetuar dhe për ta mbajtur familjen. As në Kosovë, nuk lexonte, vetëm punonte dhe hante. Ma kujtonte Hermann Kafkën, dhe e shihja me sytë e Franzit. “Letër babait” ishte letra që, po të mos e kishte shkruar Kafka, do ta shkruaja unë.

Pasi kreva studimet bachelor, kërkoja punë, por nuk gjeja dot një punë të rregullt. Kur kreva masterin, ndërkohë babai im kishte vdekur, gjetja e punës dukej edhe më e domosdoshme. Në periudhën sa isha pa punë, personazhi me të cilin identifikohesha më së shumti, ishte Gregor Zamza. Një parazit në familje, i neveritshëm si një insekt, ky isha unë, kështu ndihesha, e besoj se kështu ndihet secili që bëhet i padobishëm për familjen e tij. Pra, edhe njëherë Kafka më fliste fuqishëm. “Metamorfozën” e kishte shkruar për mua, para se të lindja unë.

Në vitin 1989, kur ra Muri i Berlinit, ndërsa Çekia po përjetonte Revolucionin e Kadifenjtë, që do ta kthente shtetin nga regjimi komunist në demokraci, në krye të Serbisë, nga ku kontrollohej gjithë Jugosllavia, vjen një lider që më vonë do të njihej si Kasapi i Ballkanit, dhe do të vdesë në burgun e Hagës, ku gjykohej për gjenocid. Ne shqiptarëve, që kemi qenë të përfshirë dhunshëm në Jugosllavi, edhe pse s’ishim sllavë (në fakt, ne ishim shqiptarë të veriut, jo sllav të jugut), na shtypnin, na rrihnin, na vrisnin, edhe pse nuk e dinim se për çfarë. Ne na akuzonin pa faj dhe na vrisnin si qen, kurdo e kudo, pa i dhënë llogari askujt. Një nga ata që u vra ashtu, në mënyrë mizore, ishte edhe xhaxhai im. Lexuesit e vendeve të tjera, natyrisht, e kuptojnë “Procesin”, kurse ne, shqiptarët, jo vetëm që e kuptonim, por edhe e jetonim dhe përjetonim. Ne ishim dy milionë Jozef K., që akuzoheshim pa faj dhe vriteshim si qen. Kafka fliste për kombin tim.

Isha fëmijë kur e jetova romanin tjetër të Kafkës, ende pa e lexuar atë. Bashkë me familjen ikëm ilegalisht nga Kosova me autobus dhe erdhëm në Çeki, me synimin për të dalë në Gjermani. Kur arritëm në Pragë, ishte natë dhe bënte ftohtë. S’e kuptonim nëse dridheshim më shumë nga të ftohtit, apo nga frika. Babai e kishte rregulluar punën ashtu, që kur të arrinim në Pëlzen, qytetin kufitar me Gjermaninë, do të thërrisnim në telefon dhe dikush do të dilte të na merrte natën. Gjithë natën telefoni ra dikund në Gjermani, por askush nuk e hapi. Kështu që, u kthyem prapë në vendin tonë, pasi e kuptuam që Gjermania ishte një kështjellë ku s’mbërrinim dot. Në romanin “Kështjella”, personazhi K nuk arrin dot të hyjë në Kështjellë. Ndoshta K ishte iniciale për kosovar. (Sidoqoftë, pas disa muajsh babai iku dhe përfundoi në Hamburg, ku gjysma e emrit, burg, do të thotë kështjellë, kurse unë, kur për herë të parë, para pesë vitesh, kalova kufirin çeko-gjerman, vozisja si i çmendur, sepse më në fund, pas një çerek shekulli, pasi kisha marrë vizë dhe i kisha kaluar të gjitha burokracitë, po hyja në atë kështjellë).
Pra, kjo ishte përvoja ime kafkeske me Kafkën. Ai më gjeti mua, para se ta gjeja unë atë.

Identiteti i Kafkës

Sot është e paimagjinueshme të vish në Pragë e mos ta shohësh Kafkën (në muze, restorante, kafe, sheshe, dyqane suveniresh etj.). Ai të shfaqet kudo, nëpër libra, statuja, rroba, gota, panorama, dhe lloj-lloj relikesh). Franz Kafka është simbol i Pragës. Kafka është aset turistik nga i cili përfiton Praga (ata që vijnë për Kafkën, paguajnë bileta, vendosen në hotele, hanë në restorante, pinë nëpër klube, bare etj., pra shpenzojnë në Pragë).

Kafka? Ai shkrimtari i Pragës. Praga? Aty ku ka jetuar Kafka. Sado që një kohë është bërë propagandë, sikur Kafka nuk e ka njohur Pragën, sepse ka jetuar në një lagje të getoizuar dhe kurrë s’e ka kaluar Urën e Karlit, e vërteta ka triumfuar dhe janë sjellë dëshmi të mjaftueshme për ta vërtetuar se ai ka shëtitur në të dy anët e Volltavës dhe ka pasurë miq, punë, takime e angazhime në të dy anët, dhe i ka shkruar dhe i ka folur rrjedhshëm gjermanishten dhe çekishten, sado që veprat letrare ka vendosur t’i shkruajë vetëm në njërën gjuhë, pikërisht në atë që prindërit e tij nuk e flisnin pastër, sepse e përzienin me jidisht.

Kafka ka lindur në Pragë, ku ka jetuar, është shkolluar, ka punuar dhe ka vdekur. Kur vdiq ishte një vjet më i ri se unë tash që po flas për njëqindvjetorin e vdekjes së tij. Vdekja në një moshë të tillë e bën edhe më të dashur për lexuesit. Letërsia dhe artet e tjera janë të mbushura me raste të autorëve që gëzojnë simpati të madhe edhe për shkak të vdekjes në moshë të re. Kafka hyn te kjo kategori. Më të rrallë janë ata që arrijnë ta ruajnë simpatinë e lexuesve, dëgjuesve, apo shikuesve edhe në pleqëri.
Edhe pse gjithë jeta dhe vepra e tij lidhet me Pragën, sikur ka pasur një tendencë për t’i marrë këtij qyteti birin e vet, duke u thirrur në bindjen klishe se shkrimtari është gjuhë. Në fakt, shkrimtari është më shumë se gjuhë, dhe kjo bëhet krejt e qartë kur e mendojmë që letërsia është gjuhë, por gjuha s’është letërsi, dhe se shumë vepra mbesin po aq të mëdha edhe kur gjuhët e tyre vdesin. Gjuha gjermane, natyrisht, nuk është gjuhë e vdekur, mirëpo identiteti i Kafkës nuk është vetëm gjuhësor. Ai ishte hebre që jetonte në Çeki dhe shkruante gjermanisht. Pra, janë tre elemente identitare gati se të barasvlefshme. Të jesh hebre domethënë t’i përkasësh një kulture të lashtë; të jesh pjesëtar i një populli që ka vuajtur shumë nëpër vite, shekuj dhe mileniume dhe, nëse duam t’i referohemi një stereotipi, të dallohesh për zgjuarësi. Në kohën kur jetoi Kafka, hebrenjtë ende s’kishin shtetin e tyre, prandaj edhe pse ëndërronte Jerusalemin, jetonte në Pragë. Duke qenë komb i shkepur nëpër botë, hebrenjtë e adaptuan gjuhën e vendit ku jetuan, shpesh duke e harruar kështu gjuhën e tyre amtare, prandaj edhe Kafka, duke jetuar mes gjermanëve të Çekisë, mori gjuhën e tyre, sado që me kalimin e viteve ai kujdesej ta mësonte edhe gjuhën jidishte dhe shoqërohej me persona, grupe dhe shoqata hebrenje. Pra, identiteti kulturor i tij sa vinte e theksonte prejardhjen hebrenje.

Ndryshe qëndronte punë me Rilken, i cili edhe pse i lindur në Pragë, nja tetë vjet para Kafkës, ishte gjerman me gjuhë, komb dhe fe. Te gjuha dhe vendlindja, Rilke dhe Kafka janë të njëjtë, por përderisa identiteti i të parit nuk vihet në pikëpyetje (ishte gjerman, fliste gjermanisht, ishte pagëzuar në fenë katolike), identiteti i të dytit është lëmsh me tri fije: hebreje, gjermane dhe çeke.

Ta quash Kafkën gjerman, domethënë t’ia mohosh kulturën, traditën dhe lidhjet e thella me judaizmin. Kafka kur përkthehet shqip, ose anglisht, më nuk është gjerman, por vazhdon të mbetet hebre dhe i Pragës. Këto dy elemente identitate janë të papërkthyeshme. Nëse bota ecën me ritëm kaq të shpejtë të përhapjes dhe zotërimit të anglishtes, nesër (pas ndonjë dekade, pas ndonjë shekulli) gjuhët nacionale do të mbesin si gjuhë sekondare, sepse të gjithë do ta kenë gjuhë primare atë që sot njihet si gjuhë internacionale, anglishten. Kështu, Kafka do të bëhet anglez, ose thjesht do të zhvishet nga gjuha gjermane, dhe do t’i mbetet vetëm përkatësia etnike (hebre), profesioni (shkrimtar) dhe vendi (Praga).

Pra, gjuha është e shkëmbyeshme, kultura (laike e fetare) dhe vendi mbesin. Gjuha gjermane e veprave të Kafkës, ka rëndësi vetëm për gjermanët (austriakët), qofshin lexues, studiues, apo përkthyes. Të tjerët jo-gjermanë e lexojnë në gjuhën e tyre dhe krejt çka vërejnë, janë do shenja të qytetit ku ka jetuar dhe do motive të kulturës dhe fesë të cilave u ka takuar.

Mendoj se jeni duke më kuptuar që s’po flas kundër gjermanëve (s’besoj të ketë njeri që e don letërsinë gjermane më shumë se unë), por po flas për hipertheksimin e elementit gjuhësor te Kafka. Kafka është shkrimtar, është hebre, është i Pragës, por jo domosdoshmërisht gjerman. Ai është më i madh se gjuha e tij, ai i ka tejkaluar kurthet e gjuhës kombëtare, prandaj sot e shijojmë në çfarëdo gjuhe. Veprat e tij nuk janë si poezitë e Dylan Thomas-it që shijohen vetëm anglisht. Poeti gjithmonë është më i lidhur me gjuhën sesa prozatori, dramaturgu, apo eseisti. Arsyet janë aq të njohura saqë më duket e pavend ta zgjas.

Nuk dua ta shkëpus Kafkën nga identiteti gjerman. S’kam kurrfarë interesi ta bëj këtë. Si çek, si gjerman, si hebre, ai prapë shqiptar s’bëhet. Por insistoj që identiteti i shkrimtarit të shihet përtej skemave gjuhësore. Kafka fliste dhe lexonte rrjedhshëm gjermanisht, çekisht dhe frëngjisht, dhe komunikonte ngapak edhe hebraisht, jidisht, spanjisht, anglisht dhe italisht dhe, si shumica e shkrimtarëve, nuk ishte indiferent ndaj greqishtes dhe latinishtes. Pra, po dalin dhjetë gjuhë me të cilat shërbehej Kafka. Krejt këto bëjnë pjesë në identitetin e tij.

Ajo çka dua të them unë nuk është kjo: Kafka nuk është gjerman. Përkundrazi. Kafka gjuhësisht është gjerman, tradicionalisht hebre, qytetarisht dhe rezidencialisht çek, shpirtërisht i përket Pragës (arkitektura gotike dhe librat e tij kanë një relacion mistik mes tyre: janë të errëta, të ftohta, dominuese dhe anksioze. Madje unë mendoj se arkitektura e Pragës ka ndikuar në letërsinë e tij më shumë se gjuha dhe kultura gjermane, por për këtë do të flas ndonjëherë tjetër). Ju nuk mund të shkoni as në Gjermani, as në Izrael, për të parë lagjen ku ka jetuar, rrugët ku ka ecur, kafet ku ka frekuentuar, fakultetin ku ka studiuar, apo varrin ku është varrosur. Të gjitha i gjeni këtu, në Pragë, përfshirë edhe objektet që e frymëzuan atë, si kështjella, apo katedralja. Ndërsa dorëshkrime mund të gjeni edhe në Gjermani (Marbach), Izrael (Jerusalem) dhe Angli (Oxford).

Për këta dy muaj, jam bërë edhe unë pak çek, lëre më Kafka që jetoi këtu 41 vjet, nga lindja deri në vdekje. E keni gabim nëse mendoni që vendi ku jetoni nuk i jep asgjë identitetit tuaj. Dhe s’ka gjë më të vështirë sesa përkufizimet. Kafka vetë ka thënë: Kurrë s’kam dashur të jem i përkufizueshëm kollaj.
Thuhet se Platoni, duke dashur të jepte një përkufizim për njeriun, kishte thënë: njeriu është një dykëmbësh pa pupla. Mirëpo filozofi cinik, Diogjeni i Sinopës, për ta tallur, e mori një pulë, ia hoqi puplat, dhe shkoi te Akademia e famshme dhe tha: ja njeriu i Platonit!

Prej atëherë, është folur me shekuj për pamundësinë e përkufizimeve, ose për rezervat që duhet t’i kemi ndaj përkufizimeve. Njerëzimi ka bërë gjithashtu një përkufizm tjetër të trashëguar me mileniume: korbi është një zog i zi. Por qëkur u zbulua se në botë kishte edhe korba të bardhë, përkufizimi për korbin si zog i zi është i paqëndrueshëm.

Kafka dhe shqiptarët

E nisa me pulën dhe dola te korbi, jo vetëm për të treguar që identiteti i Kafkës nuk mund të përkufizohet vetëm si gjerman, meqë në identitet ka edhe shumë përbërës të tij, por edhe për të treguar se mbiemri Kafka ka kuptimin e një lloji të korbit, që në shqip njihet me tre emra: galë, stërqokë dhe cirikokë. Megjithatë, Kafkën s’e mendojmë si korb, por si kafkë (skull). Kështu, emri i tij (po them emri, sepse, siç thotë Kazanxakis, te shkrimtari gjithmonë mbiemri ia zë vendin emrit), për shqiptarët, sikur vjen nga vdekja, ka diçka të ftohtë, të përtejbotshme, të frikshme: kafka, skeleti, i vdekuri.

Kafka ka shumë përbërës në identitetin e tij, prandaj të thuash Kafka është gjerman, është si të thuash Kafka është një dykëmbësh pa pupla. Janë shumë topose çeke që e bëjnë Kafkën çek: Zlata Uliçka, kuarti hebre, kafe Louvre ku merrte pjesë në takimet letrare, Kështjella, katedralja dhe, mos të harrojmë, teatrin me të cilin ishte shumë i lidhur

Këtu më lëjoni të hap një parantezë: Kafka, siç thotë në ditar, mezi kishte pritur ta shihte në Pragë aktorin e famshëm shqiptar Aleksandër Moisiu, të cilin sapo e kishte parë (më 28 shkurt 1912), dhe e kishte dëgjuar të fliste, e kishte kuptuar se nuk ishte gjerman (imagjinojeni skenën: Kafka, një hebre që banonte në gjuhën gjermane, po e shihte Moisiun, një shqiptar që banonte, me qira, në gjuhën gjermane), dhe ishte çuditur me artin e tij prej ventriloku. Kafka ka bërë një nga vlerësimet më të mira për Moisiun: “Zëri dhe gjestet e Moisiut na dhuruan diçka të paparë deri tani në skenën europiane”. Kafka ishte hebre, Moisiu kishte emrin e kryeprofetit hebre. Kafka nuk flet për prejardhjen e aktorit, por duke u nisur nga mbiemri, do të ketë menduar se kishin prejardhje të njëjtë. Një lidhje mes shqiptarëve dhe hebrejve do të konfirmohej më vonë, kur shumë bashkëkombës të Kafkës, të përndjekur nga regjimi nacist, gjetën strehë në Shqipërinë e Moisiut. Shqipëria u bë strehë shpëtimi për shumë Jozef K., që akuzoheshin e persekutoheshin si fajtorë pa faj.

Me këtë ide dhe temë, të persekutimit të të pafajshmit, pesëdhjetë vjet pas vdekjes së Kafkës, në Kosovë u botua romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë” i Rexhep Qosjes, i cili më vonë u botua edhe në frëngjisht me një parathënie nga Ismail Kadare, i cili nënvizonte atmosferën kafkeske të romanit, për të cilin mandej autori i tij nga kritika franceze u quajt Kafka i Lindjes. Gjithashtu, me Kafkën kritika botërore e ka krahasuar edhe Kadarenë, jo aq për “Kështjellën” e tij (sado që sikurse personazhi i Kafkës te “Kështjella”, edhe turqit ia mësyjnë kështjellës së Krujës, por pa arritur të depërtojnë në të), më shumë për shkak të “Pallatit të Ëndrrave”, që ka një atmosferë absurdi dhe ankthi sikur veprat e Kafkës. Një lidhje më të dukshme me Kafkën e ka vepra e Ridvan Dibrës, “Franz Kafka i shkruan të birit”, që është një lloj pastishi postmodern. Gjithashtu, shumë shkrimtarë të tjerë shqiptarë u ndikuan nga Kafka, ose shkruan për të dhe u fiksuan me të. Madje njëri nga ta, romanin për të e titulloi “Profeti nga Praga”.

Kafka në shëndet, fat e famë, ngjan edhe me Migjenin. Ishte shëndetlig, veprat s’i qarkulluan për së gjalli, fama i erdhi pas vdekjes në moshë të hershme. Ndërsa për nga ideja, pra ideja e persekutimit të njeriut të pafajshëm, kemi një vepër, dorën në zemër, të dobët, por s’po i krahasojmë vlerat, vetëm ngjashmërinë ideore. “Proka” është “Procesi” ynë. Autori Filip Papajani shkroi novelën “Proka” për një njeri të pafajshëm që akuzohet për çdo gjë që nuk shkon mbarë në vendin e tij, akuzohet edhe nëse dikush merr në thua e rrëzohet, apo nëse verës nuk bie shi dhe arat digjen nga vapa. Kjo novelë që mund të jetë shkruar para “Procesit”, u botua dhjetë vjet pas “Procesit”. Papajani është shkrimtar i vogël, por lexues i madh, i obsesionuar me Niçen. Gjithsesi, novela e tij s’pati fare ndikim në jetën letrare, kulturore, apo civile shqiptare, deri kur u kthye në film më 1985.

Prania e Kafkës te shqiptarët shtrihet nga më të mëdhenjtë deri tek ata më të vegjlit. Kafka pëlqehet në Kosovë dhe Shqipëri, sepse jeta atje vazhdon të jetë absurde dhe anksioze shumë me tepër se kudo tjetër në Evropë. Kafka është përkthyer në shqip, dhe ka zënë vend mirë në gjuhën shqipe. Njëri nga përkthyesit që ishte shumë i lidhur me Kafkën dhe promovimin e tij në gjuhën shqipe, Ardian Klosi, fatkeqësisht vari veten para 12 vjetësh. Asaj hijes së vdekjes që sjell Kafka ngado që shkon, por sidomos në gjuhën shqipe, për arsyet që i përmenda, tashmë i është shtuar edhe fantazma e përkthyesit që luhatet i vdekur në litar.

Si u bë Kafka kaq i famshëm?

Një vit pas vdekjes së Kafkës, u botua libri “Mein Kampf”. Dhjetë vjet më vonë, autori i atij manifesti erdhi në krye të shtetit gjerman, dhe me politikë raciste nisi spastrimin e vendeve gjermane nga hebrenjtë gjermanë. Pra, po të jetonte Kafka, do t’i duhej të fshihej dikund, se lehtë është ta quash sot shkrimtar gjerman, por kush do të kishte guximin ta bënte këtë në atë kohë të racizmit. Fatmirësisht, Kafka nuk e përjetoi holokaustin, përndryshe sot do të mund ta shihnim emrin e tij në Pinkasova Synagoga, bashkë me 80 mijë emrat e viktimave të çifutëve të Çekisë.

Kafka nuk e përjetoi holokaustin, por e profetizoi atë me romanin “Procesi”, ku Jozef K. akuzohet dhe ekzekutohet pa bërë asnjë faj. Ishte një kohë e çmendur, kur nuk mjaftonte gjuha gjermane, as rezidenca në vende gjermane, për t’u konsideruar gjerman.

Kafka nisi të qarkullojë vetëm pas vdekjes, megjithëse ngritjen e përjetoi pas Luftës së Dytë Botërore, kur Fyhreri i hodhi trutë në erë, ndërsa gjermanët e tjerë i thirrën mendjes, dhe u distancuan, kërkuan falje dhe punuan me mish e shpirt për t’i vënë gjërat në vend. Për t’i kontribuar mjegullës mitike rreth Kafkës, shpesh thuhet se ai nuk u vlerësua dhe nuk u botua për së gjalli. Në fakt, ai botoi tregime, novela dhe libra të ndryshëm edhe sa ishte gjallë, herë në revista, herë në libra. Dhe qysh për së gjalli, vlerësohej nga Robert Musil, i cili bëri një recension lavdërues për të dhe e ftoi të bashkëpunonte, dhe Rainer Maria Rilke, i cili i tha fjalë inkurajuese pasi e dëgjoi vetë Kafkën duke e lexuar “Në koloninë ndëshkimore”, në Goltz Art Gallery, në Munich, më 10 nëntor 1916. Pas vdekjes së Kafkës, Hermann Hesse, shkrimtari anti-nacist, i martuar me grua hebreje, dhe që gjatë luftës strehoi në Zvicër shkrimtarë si Thomas Mann e Bertolt Brecht, promovonte vazhdimisht Kafkën te botuesit dhe lexuesit gjermanë. Në letërkëmbimin me Mann-in, Hesse e quante Kafkën “princi i fshehtë i letërsisë gjermane”. Pra, ai është i pari që ia dha kurorën.

Pas luftës, shteti gjerman u mobilizua në promovimin e Kafkës. Ishte mënyra më e mirë për të treguar dashurinë e tyre ndaj gjuhës së vet dhe simpatinë ndaj hebreut. Gjuha e agresorit i përkiste viktimës, dhe ky ishte një rast i rrallë që një shtet që donte të ngrihej përsëri në këmbë s’mund ta lëshonte.
Isaac Bashevis Singer, në një intervistë me Philip Roth, thotë se Bruno Schulz është më i mirë se Kafka, dhe Roth-i e pranon që mes tyre ka ngjashmëri. Atëherë pse Schulz nuk e ka famën e Kafkës? Përgjigjen s’na e japin as Singer, as Roth, por Kundera, i cili thotë se sikur Kafka të mos mbështetej nga një shtet i fortë i një gjuhe të madhe, askush s’do ta njihte. Ai pyet: “A do të ishte kaq i njohur Franz Kafka nëse do të ishte çek?” Dhe përgjigjet: “Jo, më besoni, askush nuk do ta njihte Kafkën sot – askush – po të kishte qenë çek. Çekët mund ta kishin botuar dhe promovuar, por nuk mund t’i bënin fjalët ekstravagante të Kafkës – i cili jetonte në Pragë, por shkruante në gjermanisht – të arritshme për botën.” Heidegger thoshte se gjuha është shtëpia e qenies, kështu që Kafka kishte një strehë të tijën. Ai është global, sepse është ‘gjerman’ – padyshim një nga më të mëdhenjtë e gjermanëve.
Bruno Schulz mund të jetë më i mirë se Kafka, por ai ishte hebre që shkruante në gjuhën polake. Gjermania s’kishte asnjë leverdi ta promovonte një shkrimtar të tillë, kurse Polonia s’mundej. Kështu që, edhe pse Kafka nuk është shkrimtar politik, mekanizmat që e ngritën dhe e bënë njërin ndër shkrimtarët më të mëdhenj modernë, janë mekanizma të pastër politikë. Gjermania kishte nevojë për Kafkën, kishte nevojë për një hebre, por që fliste gjermanisht. Sepse duke e ngritur atë, e pastronte ndërgjegjen e vet. Franz K., ashtu si Jozef K., përfaqësonte gjashtë milionë të pafajshmit e holokaustit.

Nëpërmjet promovimit dhe adhurimit të Kafkës, Gjermania u ka kërkuar faljen e vërtetë hebrenjve dhe ua ka zgjatur dorën e miqësisë dhe të bashkëpunimit. Dhe e bukura e kësaj është se Kafka qëndron jashtë Gjermanisë dhe Izraelit, në mes të Pargës. Nëse një ditë, do të lirohemi nga mallkimi i Zotit të bërë në kohën e ndërtimit të Kullës së Babelit, dhe s’do të ketë më gjuhë gjermane, çeke, hebreje, shqipe etj., por vetëm një gjuhë në botë (qoftë ajo anglisht, spanglisht, apo diçka tjetër), Kafka do të banojë shumë mirë në atë gjuhë, por kurrë askush s’do të mundet ta shkëpusë nga Praga. Ju mund të më kundërshtoni duke thënë që, megjithatë, Kafka është i gjuhës. Unë do të insistoj që Kafka është i letërsisë, dhe që letërsia është diçka shumë sipërore dhe hyjnore në raport me gjuhën. Tashmë Kafka është një shkrimtar që na flet në mbi gjashtëdhjetë gjuhë.

Kafka nuk u përket ekskluzivisht hebrejve, gjermanëve, apo çekëve. Kafka i përket letërsisë botërore, pra u përket të gjithë atyre që e lexojnë në çfarëdo gjuhe dhe, natyrisht, që vijnë në Pragë për ta nderuar kujtimin e tij. Kafka është i Pragës, Praga është e Kafkës, Kafka është i botës, dhe bota, mjerisht, është kafkeske.

Pjesë nga cikli i ligjëratave të mbajtura në Universitetin e Pragës, gjatë muajve tetor-dhjetor 2024. Fusnotat i hoqi redaksia. Botohet me leje të autorit.

koha.net

SHKARKO APP