Botohen për herë të parë poezitë e Teodor Laços
Në 80-vjetorin e lindjes “zbulojmë” talentin “e fshehur” të shkrimtarit të madh
Nga Halil RAMA/Teodor Laço, me korpusin e tij letrar, që përfshin mëse 50 tituj romanesh, vëllimesh me tregime, dramash, komedish e kujtimesh, zë vend të veçantë në historinë e letërsisë shqipe. Si romancier, tregimtar, dramaturg, komedian, esseist, komentator, opinionist e politolog, ai padyshim njihet nga lexuesi shqiptar, por dhe ai i huaj ku është përkthyer, si një nga kolosët e letrave shqipe.
Por nëse, në këto gjini, Laço radhitet me elitën krijuese të kombit, ai si poet njihet pak. Jo se nuk ka shkruar poezi, por ato i ka ruajtur si “thesare” të laboratorit të tij krijues.
Por pikërisht, në pragun e 80-vjetorit të lindjes së tij, nga labirintet e këtij laboratori arritëm të zhbirojmë talentin e tij të rrallë edhe në poezi. Poezi të shkruara në harkun kohor të pesë dekadave, përmbajtja e të cilave rrok hapësira të gjera dhe përfshin gjithçka që ka të bëjë me jetën tonë.
Mjafton qoftë edhe kjo përzgjedhje për t’u mrekulluar me poezinë e Laços që është poezi përqendrimesh dhe me karakteristika shumë të sakta, përsa i përket formës dhe kompozicionit.
Gjen në këtë cikël tituj shumë intrigues që të bëjnë për vete që në krye të herës. Mendimin e thellë filozofik të këtij gjeniu krijues e dallon qoftë dhe në vargjet ” O, si hesht, si nuk pëlcet zemërimi/I lidhur në prangat e durimit!….”
Në tërësinë e tij, ky cikël (si edhe qindra vjershat e pabotuara të Laços), shpalos profilin poetik të një poeti me ndjeshmëri të lartë, me teknika vjershërimi midis tradicionales dhje modernes e postmodernes, me një pasuri të begatë mjetesh dhe teknikash poetike, me struktura vargjesh e strofash të zhdërvjellëta, që e kthejnë formën në një procedim të mesazhit estetik.
Këto risi të poezisë së tij mund t’i dalloni më së miri në ciklin që përzgjodhëm për botim në këtë nr. të gazetës prestigjioze “KOHA JONË”, të cilën Laço e vlerëson, jo vetëm për larminë tematike të botimeve, por edhe për cilësinë e produktivitetin e tyre.
KUJTIME PËR KOHË TË SHKUARA DHE NOSTALGJI RINIE
Teodor Laço ka filluar të botojë që prej viteve ‘60. Është autor i shumë romaneve, novelave, përmbledhjeve me tregime, dramave, komedive, skenarëve të filmave artistikë dhe dokumentarë. Disa prej librave të tij janë vlerësuar me çmimet më të larta që jepen në Shqipëri, ndërsa pjesë të rëndësishme të veprës së tij janë përkthyer e botuar edhe në gjuhë të huaja. Pas viteve ‘90 është angazhuar edhe në jetën politike të vendit; për dymbëdhjetë vjet ka qenë deputet në parlamentin shqiptar, ministër i Kulturës në vitet ‘94-‘97 dhe ka përfaqësuar shtetin shqiptar si ambasador në Federatën Ruse.
Shkrimtari, dramaturgu, skenaristi, dhe politikani Teodor Laço (29 shtator 1939) pas disa ditësh feston 80- vjetorin e lindjes. Në këtë përvjetor të tetëdhjetë, ai sjell ndërmend kujtime, kohë të shkuara dhe nostalgji rinie, punë dhe përpjekje mes njerëzve të dashur, miqve dhe shokëve, prej të cilëve (siç shprehet ai me modesti), një pjesë të mbeten bashkudhëtarë dhe plot të tjerë, kanë kohë që kanë shkuar nga kjo botë duke lënë pas kujtimet.
Por për një shkrimtar tetëdhjetë vjeçar, jeta dhe bota, fare mirë mund të vijnë edhe përmes letërsisë së shkruar dhe botuar ndër vite, si një dritare e së shkuarës dhe të tashmes.
Ai u lind dhe u rrit në Dardhë të Korçës. Në atë fshat që sipas tij, nuk ka të dytë; “në fshatin tim malor,- do shkruaj në një tregim,- netëve të verës, qielli është një magji që mund të mrekullojë edhe shpirtrat e thatë. Gjithësia e hap gjirin në një tejdukshmëri të ndritshme dhe atëherë, etja të duket më pranë së kurrë me hënën e madhe që lëviz si mbi një lundër në detin e errët të kreshtës mbi korijen e Shën Pjetrit, me yjet e mëdhenj që vezullojnë dritë shkëlqyese, me yjet e vegjël që regëtijnë në të venitur, me yjet që bien e digjen, duke ndjellë trishtim për jetët që shuhen”.
VEPRA LETRARE E LAÇOS NË TRI DIMENSIONE
Në letërsinë e Laços lëvrijnë pafundësisht vajza dhe gra, studente dhe gjeologe, agronome dhe fshatare, mjeke dhe artiste. Të dashuruara dhe fatkeqe. Me dramë të jashtëzakonshme si partizania e plagosur që përdhunohet prej Demos, deri edhe e vdekur, apo me fund të lumtur si Ana, tek tregimi me një antagonizëm dashuror të jashtëzakonshëm kur njeriu provon ta zgjojë atë tek vetvetja e harruar dhe e fjetur, apo “Ngrohtësia e të tjerëve”.
Në veprat poetike e prozaike, dramaturgjike apo studimore të Laços ndërthuret një lëndë letrare shumëngjyrëshe me dramaticitet drithërues, plot shpirtëzime estetike që bulojnë nga brendia e përmbajtjes. Siç është shprehur shkrimtari Andon Andoni “vepra letrare e këtij shkrimtari ka vend për analiza të thella dhe që, duke iu qasur asaj në tri dimensione, të kohës së shkrimeve, gjedheve dhe llojeve të gjinive letrare që lëvroi, si dhe tematikës së gjerë që trajtoi në to, do të përmbushej një boshllëk i madh që kritika letrare në veçanti, por dhe studiuesit e fushës së letërsisë në përgjithësi, u kanë borxh letrave shqipe të më se një treçerek shekulli”.
BOX
Mesazh i z.Teodor Laço: “Koha Jonë” nxiton të kapë “kohën e humbur”
Faleminderit “Koha Jonë”
Zotit Nikoll LESI,
Ishte një përkim i këndshëm që tri nga gazetat, që ende lëvrojnë letërsinë dhe sidomos poezinë, gjejnë vend për këto “thërrime” të thesit tim poetik, i cili ndoshta do të mbetej nëpër dorëshkrime.
-Gazeta “Koha Jonë”, e para gazetë opozitare, me kontribut të jashtëzakonshëm dhe konkurruese e denjë në tregun mediatik, duket sikur nxiton të kapë kohën e humbur me ajkën e letërsisë shqipe, por edhe me poetë të rinj, në suplementet dhe faqet e saj letrare.
I falënderoj dhe i uroj përzemërsisht!
-“Nacional”, sepse është e vetmja gazetë që i përkushtohet letërsisë dhe poezisë – sepse gara është e hapur në të gjitha trevat shqiptare, me një përkujdesje shembullore të botuesit të saj, mikut tim Mujë Buçpapaj, i cili më kujton fillimet e viteve ‘80-të, kur një tufë poetësh, zëra të rinj poetik derdhën frymëzimin e tyre, veçanërisht nga tre burime: Tropoja – farefisi Buçpapaj, Hamit Aliaj e të tjerë; Preç Zogaj, Ndoc Gjetja, Agim Isaku nga Lezha; Petrit Ruka, Ilirirjan Zhupa, Qazim Shemja nga Tepelena, “provincialë”, por që më vonë u bënë autorë të njohur të letërsisë dhe gazetarisë.
Nostalgjia zgjon kujtime të bukura, por dhe të dhimbshme! Ç’të thuash për djaloshin me fat dredharak, Ilir Balliu, i çmuar fillimisht tepër lart nga brezi i tij dhe që më vonë u harrua në gërxhet e Dajtit?!
-“Gazeta Shqiptare” me suplementin letrar të Ben Andonit, rreket të flasë me gjuhën e modernitetit poetik dhe kritik, e vetëdijshme se “Milosao” ka pasur dhe do të ketë gjithmonë.
Dhe sërish “Nacional” që vazhdon të kërkojë mineral nga bjeshkët, atje ku është miniera e arit
Urime dhe gazetave të tjera që kujtohen se ka edhe poezi!
POEZI NGA TEODOR LAÇO
Pendim
Kur zë e ngryset dita e përhime
dhe nisin të përgjumen plot vegime
ca mllefe, ca inate, ca metime;
Një tog me hi, një mal zhgënjime
Filloj i flas e vras vetveten time.
Pse rashë pre e kotësisë
e kohëhumbjes, rastësisë
e rrethit mëkatar të prapësisë
ku plot shtriganë të babëzisë
Shtrëngojnë lakun e fatkeqësisë?
Kur zë e ngryset dita e përhime
filloji i flas e vras vetveten time….
20.3.1998
(Kafe “Fan Noli”)
FUNDSHEKULLI SHQIPTAR
Tymtarët e krimit
vjellin shtëllunga…
qiell i mbyllur, i blozët
hedh shira blozë.
Tymtarët e kartës
brerojnë breshër rrenash
tymtarët e gojës
cipën e ndrangur hedhin…
Fundshekulli shqiptar
ceremonial pambarim
i kortezhit të shpresave…..
11.12.1999.
MOTIV LASGUSHIAN
–MIRJANËS-
Më trokite prej së largu
me një degëz dashurie
miturisht e çmendurisht
më vjen natën si një hije.
Grua je a lozonjare
kërkon prehje apo halle
qofsh çapkëne apo manare
ti më vdiqe, ti më ngjalle.
11.12.1999.
MOS IA MËSONI EMRIN
Në qoftë se do të më kenë vrarë,
Vrasësin larg mos e kërkoni,
nëpër pyjet, rrugët, kafenetë
që aq shumë i kam dashur…….
Në qoftë se do të më kenë vrarë,
vrasësin kërkojeni brenda dhomës sime
me një dritare grilambyllur,
me një shtrat të madh për dy vetë
nën një jastëk të pazhubrosur,
me një kasetë të Hulio Iglesias
tangoja “Kaminito addios”
dhe një tjetër e një amatori korçar
ku ka një këngë për një grua që lëngon.
Vrasësi im ka disa emra
pasaportat i ndërron sipas ditëve
kurse netëve ka vetëm një emër….
Miqtë e mij, emrin mos ia mësoni
Ju dua, nuk do t’ua tregoj kurrë.
3.1.1998.
TRISHTIMI I IKJES
U zgjua atë ditë
Ish ditë e qullur
xhamat lotonin
kaktuse gjembathyer
Trëndafili vyshkej.
Zërat e dashur shuheshin
nëpër fletë të zverdhura
kurse zogjtë e gëzimit
cicëronin grykëmbytur.
U zgjua atë ditë
ish ditë e qullur
dhe befas e kuptoi.
Jeta kishte ikur…
21.2.1995
I K J ET
O Zot, ç’e hodhe këtë epidemi?
Jetoj të shoh braktisjen, arratinë
“S’bëhet ky vend, ka mallkim
larg të ikim, pa mall, pa kthim”
Përbrenda zjej, shaj e bërtas
askujt një fjalë nuk mund t’i flas
Se do më quajnë të lig, të marrë
dhe shpresëvrasës e ziliqar……
Maj 1998
Nata e dytë në Berat
U shua hëna që u ndez mbrëmë
Çdo gjë u zhyt ne qetësi
Nga gjithë fjalët që më ke thënë
Njërën e dua ta kem gjithnjë
“Të dua shumë, tjetër nuk di”.
Ku shkoi magjia që kisha mbrëmë
Misteri i ëmbël që po më tret?
Nga gjithë fjalët që të kam thënë
Vetëm një dua ta dish gjithnjë
“Të dua shumë, tjetër nuk di”.
LUHACOVICE
Moravia jugore
qytezë e fshehtë
botë ceke, vetëm ceke
Këtu të gjitha ndjenjat
lindin e vdesin brenda ditës
shpejt, su drymemarrja.
Luhacovicë 27.10.1998
KAFENETË E TIRANËS
Kioska, kafene
kryqëzime kryefjalësh
kryeqendra kryeqyteti
. . .
Pagat në pus
Çmimet në qiell
raca e çuditshme
shtyn ditën,
vret kohën
kafeneve.
. . .
Edhe një kafe e pimë
një “koka”, një çaj
Bajmë fjalë
qeveria të rrëzohet
duhet të bjerë
qeveri e mjerë!
. . .
nga kioskat ryeza
qeverisim më mirë
pak kryeministër
pak president
lumi i nxori në breg
ne lundrojmë në pritje
me turmën!
. . .
Kioska kafene
kryqëzime kryefjalësh
kryeqendra kryeqyteti.
15.5.1998
GJENERALËT PENSIONISTË
-Ah, çfarë kukulle, psherëtiu gjenerali
gishti i madh bëri shenjën e asit
-E mirë Mona, po s’është e jona
ia priti gjenerali tjetër
dhe, sytë kafshuan vithet e femrës.
Dy gjeneralët kishin fituar beteja
me armiq të shpikur dhe femra reale
pushtues, ngadhënjyes, lavdishkruar
që nga yjet e togerit gjer tek të gjeneralit.
Por kishte zbritur koha e humbjeve
nëpër presidiume shoqatash me emra buçitës
që të kujtonin qitjet e topave
rrekeshin ta dëbonin vdekjen e lavdinë…
U shfaq kjo femër e kolme me minifund
shpina e zhveshur, veluar me tyl
gjoksi provokues me jakën e hapur
dhe ata e kuptuan…..përkohësisht
s’u mbetej më asgjë për të pushtuar.
Lisbonë, 21 tetor 1998.
L a k u
Mbi ju që lakun m’a shtrënguat
Në ditën time të vështirë
Po hedh përbuzjen e mëshirës
Dhe emrin e vetëm – faqenxirë!
Mëshira i ka hije veç të fortit
Krenarit të vetmuar, zog i qiejve
Që ngrihet e flatron mbi klithje e gjak
Dhe që nuk sheh zhabat zhytur në batak.
Mbi ju që lakun ma liruat
Në orën time të vështirë
Po hedh shkulmat e zemrës dlirë
Pa stepje, lehtësisht porsi fëmijë.
ZEMËRIMI
O, si hesht, si nuk pëlcet zemërimi
I lidhur në prangat e durimit!
Në mokrat e dhëmbëve bluaj qindra fjalë
Në zgavrat e dhembjes shuaj afsh të valë.
Po zjen në zemër zemërimi i zi
Përplaset, platitet e zjen përsëri.
Me muzgun muroset i mugët si murg
Me agun agohet i ashpër si gur.
Dhe prapë duron e hesht i pagojë
Ky shkëmb ku koha bën ç’të dojë……..
Dardhë, 31.7.1979.