Braktisi PS, Koçeku tregon bisedën e fundit me Ramën
Deputetja Marjana Koçeku e cila iku nga grupi i PS përshkak të protestës, zbulon edhe çfarë i komunikoi kryeministrit Edi Rama dhe tha se i është përgjigjur disa ditë më vonë që vendimi i saj ishte i pakthyeshëm. Koçeku deklaroi se në PS ka shumë emra që e mbështesin, por ajo do t’i mbajë anonim. Koçeku foli edhe për kërcënimin nga grupi i Bajrave.
”Çdokush përfshi qeverinë, parlamentin dhe familjen e kanë marrë vesh në rrjetet sociale sepse nuk doja të lija asnjë hapësirë influencimi. Ramës ia komunikova me vonë se ky ishte një hap përfundimtar dhe s’do të kishte tërheqje mbrapsh. Ka pasur tentativa, por ky është vendimi im.
Këto kohë kam parë pakënaqësi të anëtarëve të PS, pakënaqësi lehtësisht të lexueshme, dhe uroj të gjejnë kurajon dhe të bëjnë funksionin për të cilin janë aty. Nuk jemi të përjetshëm. Dua të respektoj privatësinë e atyre që më kanë mbështetur. Reagimin tim për kërcënimët e kam bërë publik. Jam mjaftuar me atë mesazh dhe mesazhi ka qenë mbi baza të forta.
Kam qenë pjesë e listës së mbyllur, kam kryesuar listën e Shkodrës. Unë kështu e gjeta këtë sistem, unë betimin e kam bërë mbi Kushtetutë dhe jo mbi Statutin e PS, nuk braktiset një betim. Sot e konsideroj veten të pavarur. Me PS thjesht ndaj të njëjtin Parlament. Do të sjell shumë kauza në interes të shqiptarëve, për mua e rëndësishme është liria e ndërgjegjjes për të votuar pro apo kundër ligjeve”, tha ajo.
KOHA JONË SONDAZH

