Braktisja e fëmijëve në vendet e BE-së, 691 të mitur u ndaluan në kufi

Rruga e braktisjes së fëmijëve në vendet e BE-së, është kthyer në shqetësim për autoritetet nga përmasat në rritje që po merr. Drejtor i Kufirit dhe Migracionit, Eduart Merkaj, thotë se për 2019-ën janë 41 prindër që janë përballur me drejtësinë për “Braktisje të femijëve të mitur”, nga 27 që kanë qenë në vitin 2018. Por kjo shifër e referimeve në prokurori, në fakt, mund të mos tregojë realitetin e fëmijëve të braktisur. Numri i tyre mund të jetë shumë më i lartë, për vetë përfitimet që ata marrin nëse gjenden në vendet e BE-së si të mitur të braktisur nga prindërit, ku shtetet më të ‘preferuara’ mbeten Italia dhe Franca.

“Kemi pasur një numër relativisht pak në rritje në krahasim me 2018, 41 raste, kanë qenë raste të cilat prindër të ndryshëm janë referuar nga Policia e Shtetit në prokurori dhe në institucionet e prokurorisë përsa i përket veprës penale të “Braktisjes së të miturve”, e cila është një nen në kodin penal. Kanë kaluar kufirin duke plotësuar dokumentacionin e duhur, por në momentin që kanë shkuar në një vend të Europës ose në një vend të Shengenit atje pastaj kanë lënë fëmijët në qendrat e ndryshme të trajtimit që ka në vendet të ndryshme të Europës dhe kur janë kthyer, janë kthyer vetëm. Pas intervistimit të punonjësve të policisë së kufirit ka rezultuar që shumë nga këta shtetas, kanë deklaruar që i kanë lënë për arsye të ndryshme në këto qendra në vendet respektive”.

Ajo që shihet nga prindërit “braktisje për një jetë të mirë”, në fakt u kthehet në bumerang, pasi sapo mbushin 18 vjeç fëmijët janë të detyruar të lënë qendrat e strehimit dhe të përballen të vetëm me jetesën në një vend të huaj, për të gjetur vendbanim dhe një punë. Një rrugë, që shpesh, është e vështirë edhe për vetë vendasit! Braktisja e fëmijëve të mitur, vuri në alarm autoritetet në vitin 2017, kur nisi edhe fluksi i shqiptarëve për të kërkuar azil.

SHKARKO APP