Brataj: Ia kemi hapur të gjitha dyert virusit, gjoba është një masë që mund të funksionojë
Shtimin e rasteve të reja me Covid dhe rritjen e numrit të vdekjeve nga virusi, drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, e sheh të lidhur me mosrespektimin e masave anti-Covid.
I ftuar në Ora News, ai thotë se për momentin është me rëndësi respektimi i masave ekzistuese.
Brataj: Është parë në të gjitha festat, në të gjitha mbledhjet politike, mbledhjet studentore, në shumë raste grumbullimi i njerëzve mbi numrin e caktuar 10, pa ruajtur distancën dhe pa maskë. Çfarë duhet të presim?Ja kemi hapur të gjitha dyert virusit. Duhet ashpërsuar kjo masë, të respektojmë këtë që kemi dhe të shikojmë rezultatin. Mund të marrim masat të tjera por nëse nuk respektohen këto katër që kemi marrë më parë për çfarë do të shkojmë te të tjerat. Të detyrohet shtrëngimi i këtyre masave.
Brataj pranon se pos neglizhencës së qytetarëve edhe nga institucionet kontrolluese ka pasur një relaksim për shkak të numrave të vegjël.
Ai thotë se gjoba është një masë që mund të funksionojë aty ku mungon vetëdijësimi.
Brataj: Kur nuk e kuptojmë që maska është për të mbrojtur dhe jo për të mos marrë gjobën… Pati dhe një relaksim nga të gjithë institucionet sepse dukej që numrat ishin nën kontroll. Shqetësohemi kurr rriten numrat dhe shohim ambulancat para spitaleve. Nuk duhet të arrijmë deri aty. Kur masat nuk respektohen edhe ndëshkimi është një masë që mund të funksionojë.
Mbyllja nuk është një opsion i dëshiruar, por masat e reja shtesë nuk përjashtohen.
Brataj: Komiteti monitorion çdo ditë. Duhen zbatuar këto masa që janë, së shpejti mund të ketë propozime të tjera. Komiteti nuk është shprehur akoma pavarësisht se janë diskutuar variante të ndryshme.
Për Ora News, Brataj foli edhe lidhur me ankesat e qytetarëve për pritjet e gjata në ambulanca por edhe mungesën e informacionit për familjarët e pacientëve.
Brataj: Ka qenë sporadike, disa ditë në kulmin e rasteve. Qytetarët kanë pritur por nuk u është mohuar shërbimi, nuk janë lënë në mëshirë të fatit. Një familjar mund të ketë mbi 100 veta që interesohen dhe gjithësecili e do informacionin më vete, është e papërballueshme. Miq, njohje nga të gjithë anët dhe kur kërkohet informacion nga qindra vetë është e papërballueshme. Të lënë një të familjes të autorizuar dhe tua përcjellin të tjerëve.Ka pasur dhe ngarkesë të tillë. Ose në momentin që mjeku që ndjek familjarin është mjek roje e ka të pamundur të përgjigjet se do të ndjekë 30-40 shtrime.
Qytetarët që bien në kontakt me virusin tentojë ta kalojnë duke u vetëmjekuar në shtëpi, por Brataj apelon që mos ti drejtohen spitalit në gradën e fundit.
Brataj: Ka një gjë shumë kritike që na vë para një situate shumë të keqe. Qytetari ok nuk ka besim, vazhdon me ato kurat e veta. Kanë edhe këtë zakonin që do të pyesin 10 mjekë për të njëjtën terapi, për të njëjtat analiza, e marrin një ilaç te ky, një te tjetri, një te tjetri, pastaj e rifillojnë nga e para dhe kur vijnë në spital me 40 dhe 45% të gradën e fundit çfarë do ti bësh më që i ka mbetur 20% e mushkërisë apo infeksioni ka mbërritur kulmin. Edhe trajtimi në shtëpi, dakord jam që mjeku i familjes e ndjek hap pas hapi, kur kalon te forma e mesme e rëndë që duhet të shtrohet në spital fillon kalon te specialisti, fillon recetat nëpërmjet rrjetit që nuk janë të përballueshme në banesë. Kur kalon në antibiotikë, kortizon ke nevojë të shohësh analizat një herë në ditë, një herë në dy ditë. Rrezikojnë të vdesin nga hemoragjia e brendshme, dëmtim nga vetë mjekimi. Për shtëpi janë format e lehta dhe të mesme por po kaluam në format e rënda duhet patjetër të shikohet mundësia e dërgimit në spital.